Jep doreheqjen nënkryetarja e LSI në bashkinë e Tiranës, Brunilda Paskali
Brunilda Paskali, Nënkryetarja e LSI në Bashkinë e Tiranës, ka dhënë dorëheqjen nga posti. Vendimi i Paskalit ka ardhur pas miratimit një ditë më parë në Këshillin Bashkiak, të vendimit për rritjen e tarifës së ujit të pijshëm në kryeqytet.
Dy këshilltarë të LSI-së, në mënyrë individuale dolën kundër vendimit politik të partisë dhe votuan projektin për rritjen e çmimit të ujit. Ditën e sotme LSI përjashtoi dy këshilltarët, duke u distancuar qartë nga ky vendim që binte kundër qëndrimit politik të kësaj force politike.
Por qëndrimi politik i LSI-së për të treguar distancimin ndaj votimit të djeshëm ka vijuar edhe me akte të tjera politike. Në një deklaratë për mediat, Paskali ka deklaruar se ky vendim vjen për shkak të “partneritetit individual” të këshilltarëve të LSI me PS, për të miratuar rritjen e çmimit të ujit në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.
“Bashkëpunimi i deritanishëm institucional mes LSI dhe PS u zëvendësua me partneritetin individual të dy këshilltarëve që kanë vepruar në kundërshtim me qëndrimin e LSI. Misioni në opozitë i LSI më obligon aktin e dorëheqjes si detyrim ndaj qytetarëve që i kanë besuar LSI-së qeverisjen”, ka deklaruar Paskali.
VIDEO E DORËHEQJES SË PASKALIT:
https://www.facebook.com/levizjasocialisteperintegrim/videos/1655309071149011/
Kush është Nënkryetarja e dorëhqur e Bashkisë së Tiranës:
Brunilda Paskali është një prej figurave të LSI-së më karrierë të gjatë fushatën e administrimit. Ajo ka punuar për dy vjet si zëvendësministre e Zhvillimit Ekonomik, Tregëtisë dhe Sipërmarrjes së Shqipërisë, gjatë periudhës tetor 2013 deri në gusht 2015. Pas vitit 2015 ajo mori postin e Nënkryetares së Bashkisë së Tiranës.
Paskali ka një përvojë 17 vjeçarë si menaxhere dhe administratore financiare e kompanive të ndryshme vendase dhe të huaja private në Shqipëri. Paskali është diplomuar në Universitetin Norwich në Vermont, SHBA në fushën e diplomacisë, e specializuar në “Menaxhim konflikti” dhe ka ndërmarrë një sërë trajnimesh pasuniversitare në fushën e Marrëdhenieve Ndërkombëtare dhe Diplomaci, ligji i Punësimit Ndërkombëtar dhe Biznes Emigracionit.