Jerusalemi/ Rama, me Presidentin turk apo me Presidentin amerikan?

Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë vendim të fortë për Jeruzalemin. E njeh si kryeqytet të Izraelit dhe jo Tel Aviv. Një vendim amerikan që ka trazuar krejt botën, veçanërisht në Lindjen e Mesme, ku ka shpërthyer dhuna. Ai është vendim i aleatit më të madh strategjik të Shqipërisë. Shqipëria ka qenë dhe mbetet mirënjohëse Amerikës, siç ka vepruar në çdo vendim të rëndësishëm, në akord me Uashingtonin zyrtar. Ishte SHBA që çliroi Kosovën nga okupimi serb dhe është po SHBA që futi Shqipërinë në NATO, jo shumë për meritë e standarte demokracie e zhvillimi, porse e donte si shtet aleat.

Tani Shqipëria dhe Kosova duhet të marrin një vendim të madh, ndonëse ndodhen në një siklet të madh. Këtë vendim e ka komplikuar dalja publike e presidentit turk Erdogan kundër vendimit të Presidentit Trump. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se vendimet që do të mirren gjatë takimit në Organizatën për Bashkëpunim Islamik (OIC), do të tregojnë se njohja e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit nga ana e Shteteve të Bashkuara nuk do të jetë lehtë e zbatueshme. Një zëdhënës i Erdoganit ka njoftuar se OIC do të zhvillojë një takim urgjent në Turqi më 13 dhjetor, për t’u koordinuar, si përgjigje ndaj vendimit të SHBA-së.

E themeluar më 1969, OIC ka 57 anëtare, shumica prej tyre me shumicë myslimane të popullësisë. “Ne u kemi sqaruar të gjithë bashkëbiseduesve tanë se vendimi i SHBA-së nuk është në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe diplomacinë”, ka thënë Erdogan në provincën qendrore të Turqisë, Sivas, duke iu referuar një thirrje telefonike që ka bërë me disa liderë, duke përfshirë presidentin francez, Emmanuel Macron.

“Në programin që do të krijojmë gjatë këtij takimi, ne do të shpalosim sesi vendimi nuk do të jetë aq lehtë i zbatueshëm”, ka thënë ai, duke shtuar se e konsideron të pavlefshëm vendimin e presidentit Trump për Jerusalemin. Liga Arabe, përmes një deklarate në një sesion emergjent në Kajro, e ka cilësuar vendimin e presidentit Trump, “shkelje të rrezikshme të ligjit ndërkombëtar”, dhe është thënë se do të kërkojnë rezolutë nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara për ta hedhur poshtë vendimin e SHBA-së. Liga Arabe ka 22 shtete anëtare aktive.

Pra para qeverisë shqiptare si zotëruese e diplomacisë shtetrore del një pyetje publike: A do ta përkrah qeveria shqiptare vendimin e Presidentit Trump apo do të rreshtohet me Presidentin turk Erdogan? Me njerën palë do të rreshtohet publikisht, patjetër.

Kryeministri Rama duhet t’i shpjegojë publikut shqiptar, ashtu sikurse kryeministri kosovar Haradinaj, kosovarëve, se si do të jenë rreshtuar qeveritë në këtë rast. SHBA nuk ka nevojë shumë për Shqipërinë e Kosovën, por është gjesti politik dhe diplomatik i dy qeverive se si rreshtohen; me SHBA apo me Turqinë dhe 23 shtetet e Ligës Arabe.

Na futi njëherë ish-presidenti Berisha në vitin 1994 në Konferencën e shteteve islamike, por asgjë nuk përfitoi, bile disa shtete islamike akoma nuk njohin Kosovën si shtet të pavarur që të pranohet në OKB.

Atëhere pse kryeministri Rama dhe kryeministri Haradinaj nuk deklarojnë se në cilin krah janë?

Me Erdogan apo me Trump?

S.Prulli

SHKARKO APP