John Bolton: Me Thaçin dhe Vuçiç kemi diskutuar për ndonjë ndryshim kufijsh…
Fillojnë të zbardhen pazaret e fshehta për ndarjen e Kosovës. Ish-këshilltari i ish-presidentit amerikan Donald Trump për Siguri Kombëtare, John Bolton u shpreh se gjatë kohës që ka qenë në detyrë bashkë me ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçin dhe me presidentin serb Aleksandër Vuçiç është folur edhe mbi idenë e shkëmbimit të territoreve.
“Mund të ju them se kur isha këshilltar i Sigurisë Kombëtare dhe flisja me presidentin Thaçi dhe me presidentin Vuçiç, ajo mundësi, pra korrigjimi i vogël territorial, është shqyrtuar dhe është diskutuar. Nëse do të mund ta kapërcenim shpërbërjen e Jugosllavisë më 1991-n dhe unë e di që historia shkon shumë më larg se 30 vjet, atëherë ajo mund të jetë pjesë e një pakete më të madhe që do të na çonte drejt një zgjidhjeje. Nëse njerëzit nuk dëshirojnë të flasin për korrigjimin e territorit, pa dyshim se ju hiqni një zgjidhje të mundshme përbërëse dhe ngushtoni opsionet për zgjidhje dhe pa dyshim krijoni një situatë në të cilën është më e vështirë të gjesh një zgjidhje. Qeveria e Kosovës ka të gjithë të drejtën të thotë se nuk dëshiron të diskutojë për korrigjimin e territorit, por unë mendoj se atëherë praktikisht do të thotë se nuk do të ketë progres në negociata” u shpreh John Bolton për “Kosovo Online”.
Me tej Boltoni tha se BE-ja ishte e pakënaqur kur ai kishte tentuar të ndërhynte në dialogun mes dy vendeve.
“Kur tentova të përzihesha, me sugjerimin e ish-kryeministrit britanik Tony Blair ndër të tjerë, kur isha këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, evropianët ishin shumë të pakënaqur kur dëgjuan për interesimin tim. BE-ja ka negociuar për më shumë se një dekadë pa ndonjë përparim të rëndësishëm dhe Shtetet e Bashkuara do të kontribuonin në një perspektivë të re.
Besoj se prioritet për të gjithë do të duhej të ishte arritja e një marrëveshjeje, madje edhe nëse është e nevojshme të bëni kompromise që duken të dhimbshme, sepse atëherë ju mund të ecni përpara në çdo aspekt, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik” tha ai.