Topalli deklaron: Pa një opozitë të fortë, Edi Rama është i frikshëm

Jozefina Topalli tregohet e prerë në raport me Lulzim Bashën. Në një intervistë për Abc News ish nënkryetarja e PD-së ka thënë se: “Lulzim Basha i ka shitur zgjedhjet e 25 Qershorit. Politika është mision, nuk mjafton një dëshirë apo një urdhër e një familjari për të bërë një njeri deputet. Kjo nuk është lista e PD-së, por e familjes Basha-Isufi. Një listë që nuk ka asnjë kriter politik nuk mund të funksionojë”.

Duke folur me tej Topalli kishte një këshillë Gramoz Ruçin: “Unë kam patur një parim për të respektuar rregulloren. Uroj që zoti Ruci të respektoj rregulloren, por të mos bëjë policin. Në çdo vend të botës bëhet paralajmërimi 2-3 minuta pastaj ndërpritet fjala. Unë nuk ia kam ndërprerë fjalën zotit Ruçi”.

Ndërsa për qeverinë Rama 2 ajo shprehet se “Thuhet kur krijohet një qeveri e re që duhet 6 muaj kohë të bësh vlerësimin e parë. Zoti Rama i ka dhënë gjithë pushtetin vetëm 3 ministrave. Oligarkët, biznemenë të fortë që blejnë ministra, deputetë dhe kryetar partish, ato kësaj rradhe kanë caktuar ministrat. Pa një opozitë të fortë, Rama është i frikshëm. Ajo që ka ndodhur në Elbasan është e rëndë. Të guxosh të sulmosh makinën e policisë është e frikshme. Ajo nuk është një qeveri e vogël, ajo nuk është një qeveri as e majtë as e djathtë”.

Më tej ish-kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli sqaron se nuk pajtohet me qëndrimin e Lulzim Bashës për Kodin Zgjedhor: “Nuk ka ligj që pengon shitjen dhe blerjen e votës. Faji nuk është i kodit. Kam dëgjuar që Lulzim Basha flet për një sistem mazhoritar, ky është fundi. Kjo sepse në kolegjin zgjedhor është paraja ajo që blen mandatet, prandaj e bëmë kodin zgjedhor proporcional. Por nëse në zgjedhjet e fundit janë shitur 20% vendeve të listave, në mazhoritar do të shiten 100% të vendeve”.

“A ka deputet të PD-së që kanë paguar për kandidimin?”- ishte kjo një pyetje që Jozefina Topalli nuk e la pa përgjigje kur tha: “Ka zëra që flasin. Ku ka zë nuk është pa gjë”- përsëriti disa herë ajo.

Por ftesës së Berishës dhe Bashës për kthim në PD ajo u përgjigj prerë: “Ku të shkoj, aty s’ka njeri, aty nuk shkon më asnjë demokrat pasi zoti Basha i ka zëvendësuar njerëzit e PD me klientët e gruas dhe kunatit. Unë nuk marr telefonata nga drejtoresha e biznesit të kunatit dhe unë prandaj jam larguar nga Lulzim Basha”.

Me sa duket karriera në PD duket e mbyllur sa të jetë Basha në krye të selisë blu.

SHKARKO APP