Topalli, kryetarit të PD-së: Opozita është në gjumë! Mos flirtoni me Metën!
Janë zbardhur pjesë nga debatet me dyer të mbyllura në mbledhje. Deputeti Astrit Patozi ka kërkuar përqendrim te dekriminalizimi, kurse Jozefina Topalli ka kritikuar Bashën, duke i kujtuar të mos e lërë Ilir Metën në hije sa i takon kritikave dhe akuzave.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka bërë publike tre kushtet e opozitës përpara se opozita t’i drejtohet bojkotit parlamentar.
Pas mbledhjes së zhvilluar me Grupin Parlamentar, e cila ishte e dyta në radhë me fokus kryesor rikthimin e ish-deputetit të PS-së, Armando Prenga në Kuvend, Basha i kujtoi shumicës kushtet e saj përpara se vendi të hyjë në kolaps politik.
Demokratët e kushtëzojnë pjesëmarrjen e tyre në Kuvend me miratimin e akteve nënligjore për dekriminalizimin, heqjen e mandateve të deputetëve të PS-së, Valentina Leskaj, Koço Kokëdhima dhe Rakip Suli, dhe funksionimi i komisioneve hetimoreparlamentare.
Pavarësisht se gjatë mbledhjes së Grupit, gjykimet e demokratëve për formën e reagimit të opozitës ishin të ndryshme, Basha ka vendosur që reagimi i PD-së të jetë i fokusuar në këto tri çështje.
DEBATI NË GRUPIN E PD-SË
Lulzim Basha: Ashtu siç diskutuam në mbledhjen e djeshme, çështja e dekriminalizimit do të jetë edhe kryefjala e aksionit opozitar këtë të enjte dhe ndoshta, edhe për shumë të enjte në Parlament. Personalisht, jam angazhuar që rastin e rikthimit të Armando Prengës t’ua komunikoj edhe instancave të tjera partnere të Partisë Demokratike. Kam kontaktuar me kreun e Partive Popullore Europiane, Josef Daul, por edhe me eurodeputetët Kukan dhe Flenckenstein. Kryetari i Grupit Parlamentar i është drejtuar me një kërkesë Kuvendit sot, ku kemi qenë të qartë mbi qëndrimin tonë si opozitë mbi këtë çështje. Ashtu siç jemi të qartë edhe për mbarimin e mandateve të Leskajt, Kokëdhimës dhe Sulit.
Astrit Patozi: Unë mendoj se më shumë sesa të flasim dhe të shtrojmë si kusht për maxhorancën kaq shumë kërkesa, do të ishte më mirë të fokusohemi vetëm te dekriminalizimi. Është e gjitha betejë e opozitës dhe rikthimi i këtij deputetit në Kuvend është një akt shumë i rëndë. Them të fokusohemi vetëm te kjo çështje, sepse nuk është thjesht fjala për Prengën si individ, por Rama po iu imponohet të gjithëve me këta lloj individësh. Duke i ofruar disa alternativa si rrugë alternative, më duket sikur sfumojmë diçka që jo më kot mori atë vlerë që ka sot, siç është dekriminalizimi.
Aldo Bumçi: Unë mendoj se duhet të jemi më konkretë në aksionin tonë opozitar. Kur them më konkretë, dua të them se kauzat nuk duhet të jenë thjesht afatshkurtra. Vendi për 8 muaj shkon në zgjedhje, ndaj edhe gjykoj se do të ishte mirë që të mendojmë më gjatë për strategjinë që do ndjekim në këto muaj. Ashtu siç thashë, zgjedhjet vijnë shumë shpejt, ndërkohë që ne nuk mund të ecim me aksione afatshkurtra. Sali Berisha: S’ka dyshim që kërkesat tona, ne do të kërkojmë të plotësohen me çdo kusht. Nëse do të duhet të bllokojmë foltoren, seancën do ta bëjmë. Me Edi Ramën nuk ka rrugë tjetër, përballje kërkon ai, atë do të bëjmë edhe ne. Po në krah të Prengës në Parlament, nuk ulemi ne!
Lulzim Basha: Forma jonë e reagimit varet nga qëndrimi që do të mbajë maxhoranca në lidhje me deputetin e saj se, pavarësisht se thonë që nuk është pjesë e grupit të tyre parlamentar, ata e futën në Parlament.
Jozefina Topalli: Kryetar, duhet të keni diçka parasysh. Kur ngrini akuza dhe akuzoni maxhorancën, mos krijoni diferencime për ata që e drejtojnë maxhorancën. Dua të them se kur e akuzon Edi Ramën, mos e lër në hije Ilir Metën. Akuzat të jenë të unifikuara për të dy, në mënyrë që askush të mos krijojë aludime se PD po flirton me një parti apo me tjetrën. Partia duhet të reagojë, nuk mund të jetë kaq e përgjumur. Nuk është hera e parë që e them, opozita nuk është kurrkund. Kur flas për reagim, dua që të reagojmë për çdo çështje, për çdo shqetësim dhe jo vetëm për problemet që janë në fushën e shëndetësisë. Pse nuk reagojmë ne kur njerëzit lirohen nga gjykatat? Kur lirohen kriminelët? Kur flas për kriminelët, nuk e kam fare për Armando Prengën, se atë nuk e llogaris fare, se është skandaloze. Por pashë mungesë reagimi totale të opozitës atë administratorin e komunës Kaçinar në Mirditë, që doli nga burgu me pretekstin se gërhiste shumë. A ju duket normale se si po dalin këta kriminelë nga burgu?