Jozefina Topalli në SHBA për votën e diasporës shqiptare

Sokol Paja

New York, 14 Nëntor 2024 – Jozefina Topalli, ish kryetarja e Parlamentit të Republikës së Shqipërisë zhvilloi një vizitë të përzëmërt, vëllazërore e shumë emocionuese në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Ajo u prit ngrohtësisht prej vatranëve e aktivistëve të shquar të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pasi u njoh prej editorit me historinë shekullore të Federatës Vatra e gazetës Dielli, kontributin e jashtëzakonshëm  atdhetar, veprimtarinë patriotike të shqiptarëve të Amerikës e përpjekjet e tyre për komb, atdhe e komunitet, në fjalën e mirëseardhjes arkëtari i Vatrës z.Besim Malota shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin për diplomaten dhe shtetaren Jozefina Topalli, përcolli urimet në emër të kryetarit Dr. Elmi Berisha, Kryesisë dhe Këshillit të Vatrës. Z.Malota shpjegoi veprimtarinë e shkëlqyer të Vatrës dhe punët e mëdha kombëtare në shërbim të çështjes kombëtare dhe komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Z. Malota ekspozoi veprimtarinë institucionale të Vatrës në Departamentin e Shtetit dhe Shtëpinë e Bardhë. Z. Asllan Bushati shpalosi modelet, arritjet dhe krenarinë shqiptare për sukseset e tyre në diasporën e Amerikës duke rrezatuar energji kombëtare e patriotike si modele frymëzimi për çdo shqiptar. Vera Markaj e Bashkim Shehu vlerësuan zonjën Topalli duke veçuar cilësitë atdhetare, institucionale e profesionale dhe modelin moral dhe  ardhetar që ajo frymëzon. Në fjalën e saj zonja Jozefina Topalli falenderoi Vatrën e shqiptarët e Amerikës për pritjen vëllazërore dhe krenarinë me të cilën shqiptarët e Amerikës përfaqësojnë e prezantojnë kombin shqiptar në shoqërinë dhe institucionet amerikane. Zonja Topalli vlerësoi kontributin e Vatrës, historinë e çmuar dhe frymëzuese të patriotëve shqiptarë përgjatë 1 shekulli dhe dekade të mërgatës shqiptare në Amerikë. Zonja Topalli çmoi Vatrën e Diellin si institucione patriotike, mërgatën e Amerikës si aset patriotik, atdhetar, ekonomik e kulturor. Ajo diskutoi rreth shpopullimit të Shqipërisë, rrezikut të braktisjes biblike të atdheut, nevojës ekstreme për të ndaluar eksodin biblik të shqiptarëve dhe nevojës për angazhimin e të gjithë shqiptarëve të diasporës për të kontribuar për kombin e atdheun. “Kemi nevojë për kthimin e një autoriteti moral, të një fuqie shpirtërore e patriotike për të dashur atdheun e ndryshuar Shqipërinë. Shqiptarët e Amerikës kanë shkruar historinë e lavdishme të kombin tonë. Vatra e Dielli, njëra ngroh e tjera ndriçon historinë tonë kombëtare dhe identitetin tonë” u shpreh ndër të tjera zonja Topalli përgjatë takimit vëllazëror në Vatër./Gazeta Dielli, New York/

 

SHKARKO APP