Kancelari gjerman Friedrich Merz kundër planit amerikan për asetet ruse: “I papranueshëm, Evropa nuk mund të paguajë edhe 100 miliardë të tjera”
Kancelari gjerman Friedrich Merz ka kundërshtuar hapur planin e Shteteve të Bashkuara për të përdorur fondet e ngrira ruse në territorin e Bashkimit Europian, duke e quajtur “të papranueshëm” modelin e propozuar nga Uashingtoni. Në një intervistë për transmetuesin publik ARD, Merz kritikoi idenë që SHBA-të të marrin kontrollin e 100 miliardë dollarëve asete të sekuestruara dhe të përfitojnë deri në 50% të fitimeve të mundshme.
Plani amerikan parashikon gjithashtu që BE të shtojë edhe 100 miliardë dollarë të tjera për rindërtimin e Ukrainës – diçka që kancelari e refuzoi prerazi.
“Kjo është e papranueshme”, deklaroi Merz. “Këto janë pjesë të planit që sigurisht nuk mund të zbatohen pa miratimin tonë.”
Merz: Asetet e ngrira mund të përdoren vetëm si kredi – jo për mekanizma fitimi për SHBA-të
Kancelari theksoi se diskutimet aktuale në Gjenevë janë të përqendruara tek përdorimi i aseteve ruse si garanci për kredi, jo për t’u kaluar nën administrim amerikan.
“Nëse kjo kredi jepet, ajo do të sigurohet nga Bashkimi Europian dhe më pas do t’i jepet Ukrainës si kolateral që ajo të mund të blejë armë. Por kjo nuk prek amerikanët. Sigurisht që amerikanët nuk mund të kenë qasje në këtë shumë”, u shpreh Merz.
Ai shtoi se kërkesa që Evropa të shtojë 100 miliardë të tjera për rindërtimin e Ukrainës “nuk është diçka që mund të pranojmë”.
“Evropa duhet ta kishte ndihmuar Ukrainën më herët”
I pyetur pse Evropa ka më pak peshë në negociatat me SHBA mbi fondet e ngrira, Merz dha një përgjigje të drejtpërdrejtë:
“Ne bëmë shumë pak, shumë vonë. Duhej të kishim bërë më shumë dhe më shpejt.”
Megjithatë ai shprehu shpresë se negociatat në Gjenevë do të sjellin përparim: “Është e rëndësishme që të arrihet progres tani.”
Kancelari gjerman: Rusia po zhvillon sulme hibride çdo ditë ndaj Evropës
Në intervistën për ARD, Merz paralajmëroi për intensifikim të sulmeve hibride të Rusisë ndaj infrastrukturës europiane.
“Ne shohim sulme hibride çdo ditë – ndaj rrjeteve tona, ndaj infrastrukturës sonë të të dhënave. Ka pasur edhe akte sabotimi. Ngjarja e fundit në Poloni, ndaj një lidhjeje kyçe hekurudhore, tregon qartë përfshirjen ruse.”
Sipas tij, qëllimi i Moskës është i qartë: “Rusia po përpiqet të shkatërrojë rendin politik të të gjithë kontinentit evropian.”
KOHA JONË SONDAZH

