Kancelari gjerman,Scholz: Absurde që Erdogani e akuzon Izraelin për fashizëm
Presidenti turk Erdogan e kishte akuzuar Izraelin për “fashizëm” dhe kishte vënë në dyshim të drejtën e tij për të ekzistuar. Scholz tha se do të vazhdojë të theksojë pse e konsideron Hamasin organizatë terroriste.
Kancelari gjerman Olaf Scholz tha të martën se ishte “absurde” që presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e akuzon Izraelin për fashizëm. Izraeli është një vend “që ndihet i përkushtuar ndaj të drejtave të njeriut dhe së drejtës ndërkombëtare dhe i orienton veprimet e tij në përputhje me to.” “Dhe kjo është arsyeja pse akuzat kundër Izraelit janë absurde dhe nuk mund të ketë asnjë dyshim për këtë”, tha kancelari gjerman në një konferencë shtypi në Berlin. Scholz do të presë Erdoganin në Berlin të premten për bisedime. Ftesën Erdoganit ai ia kishte drejtuar pas rizgjedhjes së tij si president në maj. Para takimit të përbashkët në mbrëmje, Erdogani do të takohet edhe me presidentin e Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier.
Çfarë ka thënë Erdogani?
Në konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit, presidenti turk ka mbajtur një qëndrim krejtësisht të ndryshëm nga 30 partnerët e tjerë të NATO-s. Më 10 nëntor, Erdogan tha se legjitimiteti i Izraelit ishte “në pikëpyetje” për shkak të asaj që ai e quajti “fashizmi i tij”.
Erdogani e ka quajtur Hamasin një “organizatë çlirimtare”. Ndërsa Gjermania, SHBA dhe Bashkimi Evropian, si dhe vende të tjera, e konsiderojnë Hamasin organizatë terroriste.
Presidenti turk kritikoi ashpër luftën e Izraelit kundër grupit militant Hamas, e cila filloi pasi grupi organizoi sulme terroriste në Izrael më 7 tetor, duke vrarë rreth 1200 vetë.
Turqia gjithashtu tërhoqi ambasadorin e saj në Izrael për të protestuar ndaj sulmeve izraelite në Gaza.
Erdogani e akuzoi Izraelin se ka kryer krime lufte duke bombarduar rëndë Rripin e Gazës. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza të drejtuar nga Hamasi, konflikti aktual ka shkaktuar tashmë më shumë se 11.240 të vdekur.
Izraeli i ka hedhur poshtë akuza të tilla në të kaluarën dhe ka thënë se ka në shënjestër Hamasin.
Të martën, Scholz-i përsëriti se ai e konsideron Hamasin organizatë terroriste dhe se ai do të vazhdojë të theksojë këtë pikë.
Ai sqaroi më tej se takimi me Erdoganin nuk ishte anuluar. Friedrich Merz, lideri i CDU-së e mbështeti vendimin e kancelarit Scholz për të mos anuluar bisedimet.
Scholz-i shtoi se Izraeli jo vetëm që kishte të drejtë, por edhe “detyrë” për t’u mbrojtur kundër grupit militant islamik./DW/