Kancelarja Merkel: Nuk hapen negociatat me Shqipërinë

Gjermania ka vendosur që të mos votojë pro hapjes së negociatave për anëtarësimin e  Shqipërisë në Bashkimin Europian, derisa kriza politike në vend të mos jetë zgjidhur.

Süddeutsche Zeitung i referohet takimit të komisionit të Bundestagut për Europën, gjatë të cilit thuhet se Merkel ka refuzuar kërkesën e Komisionit Europian për hapje të shpejtë të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Radioja shtetërore gjermane thekson se “sipas një raportimi se gazetës së njohur gjermane, Süddeutsche Zeitung” të premten (07.06) kancelarja gjermane, Angela Merkel i ka bërë një refuzim të qartë kërkesës së Komisionit Europian për hapje të shpejtë të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Këtë ajo e ka thënë në një seancë të komisionit parlamentar të Bundestagut për Europën, sipas informacioneve të “Süddeutsche Zeitung”. Merkel ka bërë të qartë, se një vendim për këtë pritet më së hershmi në tetor.

Me këtë kancelarja del qartazi kundër partnerit në koalicion, Partisë Socialdemokrate, SPD, që përkrah votimin pro për hapjen e negociatave në Këshillin e BE më 18 qershor. Ministri gjerman i Shtetit për Europën në Ministrinë e Jashtme, Michael Roth (SPD) është një nga politikanët gjermanë që është angazhuar fort javët e fundit për hapjen e negociatave me dy vendet e Ballkanit. Ai ka theksuar në intervista të ndryshme, se angazhimi i Shqipërisë për reforma duhet të vlerësohet.

CDU/CSU dhe SPD me qëndrime të ndryshme

Mospërputhja e qëndrimeve brenda koalicionit qeverisës gjerman u vu re hapur pas publikimit të progres-raportit të Komisionit Europian në fund të majit. KE kërkoi hapjen e shpejtë të negociatave si me Shqipërinë ashtu edhe Maqedoninë e Veriut. Por CDU/CSU është e rezervuar edhe këtë vit, ajo ka nevojë për analizë të kujdesshme raportit. Deputeti gjerman i CDU, dhe kryesues i grupit parlamentar për Ballkanin Perëndimor në Bundestag, Johann Wadepuhl, ka thënë se CDU/CSU do duhet të shqyrtojë me kujdes raportet e progresit mbi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Vetëm në këtë mënyrë mund të marrim një vendim të përgjegjshëm nëse janë plotësuar me të vërtetë kushtet e fillimit të negociatave për anëtarësim të këtyre dy vendeve në BE”, ka thënë Wadephul në një deklaratë të publikuar menjëherë pas publikimit të progres-raportit të KE në fund të majit. Për Wadephul, Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë nga kushtet e caktuara në Këshillin e Ministrave të Jashtëm, të datës 28 qershor 2018.

Për shkak të kalendarit të punës të CDU/CSU nuk besohet, se kjo temë do të shqyrtohet para vjeshtës.

Konfirmimi është bërë nga Angela Merkel, e cila e ka bërë të ditur këtë gjë për qeverinë e saj. Ky qëndrim u përsërit një ditë më parë nga kancelarja Angela Merkel, në një takim të Komitetit për Europën në Bundestag, shkruan FinanzNachrichten.

Por qëndrimi brenda koalicionit qeverisës CDU/CSU-SPD në lidhje me Shqipërinë nuk është i njëjtë.

Ministri i Jashtëm, Michael Roth, përfaqësues i SPD-së (Partia Socialiste, e cila humbi në zgjedhjet e fundit Europiane) kërkon që Gjermania të mbajë fjalën e dhënë vjet, ku premtoi se do të votonte hapjen e negociatave.

Sipas Roth, të dyja vendet, si Shqipëria dhe Maqedonia i kanë bërë detyrat e caktuara.

Por CDU/CSU kundërshtojnë dëshirën e Komisionit Europian për të vendosur për hapjen e negociatave të pranimit me të dy vendet në 18 qershor”,- përfundon shkrimi i Deutsche Welle.

SHKARKO APP