Karlo Bolino, një fitore ndaj Koço Kokëdhimës, shkruan lapsi
Kryesore E Martë, 20 Prill 2021 04:02
Pas ndarjes me sherr mes tyre nga televizioni A1Report (tashmë janë dy të tillë A1 dhe Report), mes Karlo Bolinos dhe Koço Kokëdhimës nuk patur më paqe. Dy njerëzit që drejtojnë media pranë Edi Ramës, fillimisht kanë qenë miq dhe kanë bashkëpunuar në televizionin A1Report, por më pas, lufta për të qenë sa më afër dhe sa më influentë tek kryeministri i ka çuar drejt ndarjes.
Kjo ndarje, ku Karlo Bolino kërkon një rol më të rëndësishëm mediatik (dhe jo vetëm) pranë pushtetit dhe ku Kokëdhima ndihet i plotfuqishëm, shpesh ka çuar në përplasje publike mes tyre.
Më e fundit është ajo për drejtorin e Ujësjellësit, Neritan Gjojdeshi, të cilin gazeta e Bolinos, Shqiptarja.com prej disa ditësh e kishte vënë në shënjestër si njeriun e Koço Kokëdhimës. Më në fund, Gjojdeshi u shkarkua dje nga ky post dhe sot Shqiptarj.com shpallte me gërma të mëdha në faqen e parë këtë fitore të saj.
Nën titullin “Bie njeriu te UKT, një mesazh edhe për Kokëdhimën”, Bolino nuk e fshihte kënaqësinë e sfidimit që i ka bërë superdeputetit të Jugut. “Neritan Gjojdeshi ishte i mbrojtur nga “beu i Jugut”… një mesazh i drejtpërdrejtë drejtuar vetë Kokëdhimës, si njeriu që deri tani ka dalë si i paprekshëm. Lidhjet mes Koço Kokëdhimës dhe Neritan Gjojdeshit janë të njohura dhe publike”, shkruan gazeta duke theksuar se “i paprekshmi” i Edi Ramës, Koço Kokëdhima, tashmë nuk është më i tillë.
Karlo Bolino mendon se ia ka lëkundur pozitat dhe jep kështu mesazhin që Kokëdhima nuk është më njeriu i rëndësishëm i Edi Ramës. /lapsi.al/