Kastriot Islami: Zgjedhje të parakohshme dhe ndëshkimi i Edi Ramës…
Ish-ministri i Jashtëm: Pika e kthesës që qëndrimit ndërkombëtar ka disa muaj që është vendosur, në javët e ditën në vijim kjo do të bëhet gjithnjë e më e qartë për shumicën e shqiptarëve
Intervistoi: Mili Xhani
Ish-ministri i Jashtëm dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, Kastriot Islami shprehet se qëndrimi i ndërkombëtarëve për krizën në Shqipëri dhe problemet e qeverisjes “Rama” ka ndryshuar . Në një intervistë për “Koha Jonë”, Islami thotë se shumë shpejt do të ketë qëndrime të qarta të kancelarive të huaja lidhur keqqeverisjen e Edi Ramës. Ish-ministri i Jashtëm deklaron se “Rama konsiderohet tashmë prej shumë kancelarive perëndimore jo vetëm si individi më i korruptuar dhe politikani më i pasur në botë (pasuria e tij mendohet se arrin deri në 1,5 miliard dollarë), por edhe si një politikan atipik e i paqëndrueshëm, i paparashikueshëm dhe i rrezikshëm, hajdut e i inkriminuar”.
Islami shprehet se zgjedhjet e parakohshme janë i vetmi mjet për normalizimin e situatës, por shton se që një marrëveshje e re politike të ketë sukses duhet që të garantohet dhe ndëshkimi i kryeministrit Edi Rama dhe anëtarëve që Rilindjes që kanë abuzuar këto vite. Islami deklaron se pa ndëshkimin e Edi Ramës dhe kupolës së Rilindjes, Shqipërisë nuk mund t’i hapen negociatat. “E vërteta e hidhur është se me qeverinë Rama apo thënë më direkt, pa largimin e Ramës nga drejtimi i qeverisë dhe ndëshkimin e tij e të Rilindjes, Shqipërisë nuk do të mund ti hapen negociatat me BE”,- shprehet Islami.
Islami, dje në Finlandë u zhvillua takimi informal i ministrave të Jashtëm të BE. Mes temave të trajtuara ishte dhe ajo e integrimit të Ballkanit Perëndimor. Në mesazhet që dolën nga ky takim duket se Maqedonia e Veriut duket se është më afër çeljes së negociatave në tetor. Sa shanse ka që Shqipëria të marrë një “Po” në tetor?
Fatkeqësisht për shkak të babëzisë dhe zullumeve të paprecedenta, pra
- të korrupsionit të lartë qeveritar dhe të skandaleve të shumta me ministra, zyrtarë të lartë, kriminelë e trafikantë;
- të lidhjeve të ngushta të Ramës me oligarkët, kriminelët e trafikantët;
- të kthimit të Shqipërisë në lavatriçen më të madhe në Europë për pastrimin e parave të pista;
- të pasurimit të paligjshëm e transferimit të milionave euro të Ramës e ministrave të tij në parajsat fiskale;
- të mungesës së shtetit ligjor dhe të kontrollit politik e personal nga Rama të institucioneve kushtetuese;
- të shkatërrimit të demokracisë, pluralizmit dhe të administratës publike, dhe rivendosjes së totalitarizmit;
- të kontrollit të plotë personal të Ramës mbi median, biznesin e shoqërinë civile;
- të manipulimit të zgjedhjeve me synimin për të marrë të gjithë pushtetin qëndror e vendor;
- të përpjekjeve të Ramës për të vonuar reformën e drejtësisë apo vënë nën kontroll sistemin e drejtësisë;
- të marrëdhënieve të tensionuara të Ramës me institucionet kryesore dhe opozitën;
- të rrënimit të ekonomisë e të shkatërrimit të biznesit e të financave publike;
- të varfërimit ekstrem të qytetarëve dhe nxitjes së tyre për të emigruar masivisht;
- të mbështetjes së projekteve antieuropiane për ndryshimin e kufijve dhe destabilizimin e rajonit;
- të orientimit antiperëndimor në marrëdhëniet me jashtë dhe të aplikimit të një politike të jashtme destabilizuese;
- thënë shkurt e qartë, të kapjes së shtetit në të gjithë aspektet nga Rama e Rilindja,
shanset që të merret një vendim pozitiv për hapjen e negociatave me BE në tetor janë zero. E vërteta e hidhur është se me qeverinë Rama apo thënë më direkt, pa largimin e Ramës nga drejtimi i qeverisë dhe ndëshkimin e tij e të Rilindjes, Shqipërisë nuk do të mund ti hapen negociatat me BE.
A mund të konsiderohet Shqipëria e vonuar në procesin e integrimit në BE?
Shqipëria është e vonuara e madhe Ballkanit përsa i përket anëtarësimit në BE ndërkohë që është vendi që ka mbështetjen më të lartë publike për integrimin në BE. Rama prej 9 vjetësh, 3 vjet në opozitë dhe 6 vjet në pushtet vonon procesin e integrimit pra edhe të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, duke rrezikuar, thjesht për interesat e pushtetit të tij personal, të ardhmen europiane të shqiptarëve. Ky fakt e ka vendosur Shqipërinë në grupin e fundit të vendeve të Ballkanit Perëndimor përsa i përket integrimit e anëtarësimit në BE. Sepse, ndër të tjera, Rama konsiderohet tashmë prej shumë kancelarive perëndimore jo vetëm si individi më i korruptuar dhe politikani më i pasur në botë (pasuria e tij mendohet se arrin deri në 1,5 miliard dollarë), por edhe si një politikan atipik e i paqëndrueshëm, i paparashikueshëm dhe i rrezikshëm, hajdut e i inkriminuar, që për më tepër është përpjekur të sigurojë pushtetin e tij personal duke ofenduar presidentin amerikan si “turpin e njerëzimit” dhe njëkohësisht duke i ngulur thikën pas shpine kancelares gjermane me lojërat e tij makiavelike për ndryshimin e kufijve në Ballkan, ndërkohë që është akuzuar nga OSBE edhe si zotërues i një pasurie të paligjshme prej 200 milionë euro të fshehur në off shore në emër të të vëllait dhe autor i kriminalizimit të qeverisjes e kanabizimit masiv të vendit.
Çfarë pasojash mund të sjellë një tjetër dështim në çeljen e negociatave me BE?
Pasojat për vendin e shqiptarët nga ky vonim/frenim i integrimit në BE janë të shumta dhe të paimagjinueshme, e deri ndoshta fatale në afatgjatë. Më e rënda në aspektin ekonomik e financiar, është se Shqipëria s’do të mund të marrë të gjithë ato ndihma që marrin vendet anëtare të BE apo ato që janë në procesin e negociatave me BE. Në aspektin e përmirësimit të jetës së qytetarëve, shqiptarët jo vetëm do të vonohen edhe për shumë vjet për tu futur në zonën Shengen por edhe mund të rrezikojnë edhe lëvizjen e lirë tashmë të fituar, duke u frenuar kështu arsimimi i të rinjve në vendet e BE, duke u penguar lëvizja e lirë për punësim apo për kurim mjekësor në vendet e BE. Por më e rënda është se vonesat në këtë fazë mund të kthehen në fatale për anëtarësimin e Shqipërisë në BE duke patur ndoshta edhe fatin e Turqisë përsa i përket anëtarësimit në BE, aq më tepër që Rama ka hedhur bazat e orientimit të vendit në drejtimin e kundërt të perspektivës europiane.
Çfarë mund të bëhej në këtë rast për të shmangur këto pasoja?
Kjo është një kosto shumë e lartë që do tu duhet shqiptarëve ta paguajnë. Kosto që lidhet kryesisht me qeverisjen e dështuar të Rilindjes dhe të gjithë pasojave dhe dëmeve që ajo ka krijuar. Kosto që lidhet edhe me indiferencën, mungesën e reagimit në kohën e duhur apo pamundësinë e shqiptarëve për ta larguar Rilindjen nga pushteti duke penguar trashjen e zullumeve të saj deri në rrënimin apo boshatisjen e vëndit. Shqiptarëve tani u duhet të lexojnë me kujdes mesazhin e qartë e të prerë që vjen nga kryeqytetet europiane; mesazh që lidhet me moshapjen e negociatave me BE por që shkon përtej këtij vendimi: Ose largoni Ramën nga drejtimi i qeverisë ose qëndroni jasht BE! Madje paralelisht shqiptarët duhet të lexojnë edhe mesazhin tjetër edhe më të fortë: Ose ndëshkoni Ramën e shpurën e tij oligarkike, të korruptuar e kriminale në krye të Rlindjes ose jo vetëm do të qëndronin jasht BE por me shumë gjasa do tju rivendosim kufizimet për lëvizjen e lirë në vëndet e BE. Ripërsëris, kjo është një kosto që po ju kujtohet shqiptarëve që nuk po ndërgjegjësohen e aktivizohen për të larguar nga pushteti e ndëshkuar të keqen, Rilindjen dhe Ramën që janë shndërruar në pengesën kryesore të integrimit të Shqipërisë në BE.
Që nga muaji shkurt, Shqipëria po përjeton krizën më të madhe politike të viteve të fundit. Pasi janë konsumuar aktet më të rënda ndaj demokracisë; si kthimi i parlamentin në seksion të PS dhe zhvillimi i zgjedhjeve moniste më 30 qershor, mendoni se zgjidhja e krizës do të vijë nga presioni i opozitës me protesta apo me negociata?
Zgjidhja afatgjatë e krizës do të vijë vetëm nga zgjedhjet e parakohshme, të lira e të ndershme; zgjidhje tjetër nuk ka dhe s’mund të ketë në demokraci. Pyetja shtrohet sesi do të realizohen zgjedhjet e parakohshme kur vendi është zhytur thellë në krizë të thellë politike, sociale, institucionale, kushtetuese e deri të funskionimit të demokracisë e të pluralizmit? Zgjedhjet e parakohshme, të lira e të ndershme do të mund të zhvillohen vetëm
- nëse largohet me çdo mjet e mënyrë Rama dhe kupola e Rilindjes nga drejtimi i vendit;
- nëse SPAK fillon paralelisht të veprojë i pavarur nga pushteti aktual për të vendosur kulturën e ndëshkimit të së keqes dhe zullumeve, që aktualisht identifikohen me Edi Ramën dhe kupolën e Rilindjes;
- përmes një marrëveshjeje politike të të gjithë faktorëve politikë e të shoqërisë civile, konstruktivë e me integritet, të angazhuar e aktivë jashtë e brenda parlamentit;
- për shkak të krizës shumë të thellë politike, institucionale, kushtetuese, të demokracisë e pluralizmit, zgjidhja përmes një marrëveshjeje politike do të duhet dmosdoshmërisht të papraprihet ose shoqërohet me ndëshkimin e së keqes, të zullumqarëve, hajdutëve e kriminelëve, trafikantëve, mashtruesve e sharlatanëve, që janë të lidhur ngushtësisht me Ramën dhe kupolën e Rilindjes.
Nëse në Shqipëri do të vazhdojë të aplikohet kultura e mosndëshkimit, nëse e keqja e zullumet e Rilindjes nuk do të ndëshkohen ashpërsisht dhe nëse filozofia e Rilindjes nuk do të çrrënjoset nga çdo qelize e qeverisjes së vendit, atëherë kriza ose do të thellohet e përkeqësohet, ose zgjidhja fasadë vetëm do të shtyjë krizën në kohë e thellojë atë.
Në të gjitha shkeljet e qeverisë dhe PS pas muajit shkurt është fakt se ndërkombëtarët i kanë mbështetur ose kanë heshtur, aq sa duket se kjo është qeveri mbahet në këmbë nga ambasadorët dhe jo më nga vullneti politik i shqiptarëve. A pritet një ndryshim qëndrimit të kancelarive të huaj me fillimin e shtatorit?
Ky përfundim nuk është plotësisht i tillë gjatë kohëve të fundit. Qëndrimi i ndërkombëtarëve që prej vitit 2017 ka ardhur duke u ndryshuar dhe qartësuar kundër bëmave e zullumeve të Rilindjes, pavarësisht se Rama duke shpenzuar shuma të majme parashë të korrupsionit është përpjekur të krijojë perceptimin e kundërt. Ndjej se pika e kthesës që qëndrimit ndërkombëtar ka disa muaj që është vendosur, kurse në javët e ditën në vijim kjo pikë kthese do të bëhet gjithnjë e më e qartë për shumicën e shqiptarëve, madje edhe për publikun e gjerë.
Ish-ministri Ditmir Bushati kritikoi Ramën për vendosjen e kandidatëve problematikë në Shkodër dhe për rikthim në PS të njerëzve që janë larguar më parë për shkak të problemeve ligjore. Këto debate brenda PS, i shërbejnë Ramës për të tërhequr vëmendjen nga problemet e tjera që ka vendi apo realisht në këtë parti ka një pakënaqësi në rritje ndaj kryeministrit?
Ndjehem krenar që çdo ditë rritet numri i individëve që artikulojnë tezat dhe qëndrimet e mia të cilat janë prezente në politikë dhe median shqiptare prej mëse 10 vitesh dhe për të cilat unë jam larguar nga qeverisja e Ramës duke stigmatizuar Rilindjen dhe sulmuar ashpërsisht kupolën e saj e Ramën. Shkodra është vetëm maja e ajsbergut të problemit, sepse problemi i qeverisjes së vendit nga Rilindja është më i thellë dhe shumë më kompleks e i komplikuar. Rilindja tinëzisht e me marifete e mashtrime ka uzurpuar pushtetin e votave të socialistëve duke u mbështetur në tri grupime kryesore të drejtuara e orkestruara nga Rama por që së fundmi kanë marrë peng edhe vetë Ramën e të gjithë kupolën e Rilindjes dhe po shkatërrojnë partinë e socialistëve të vërtetë e të ndershëm:
- oligarkët e monopoleve, hajdutët e pasurisë e pronave publike, kriminelët e trafikantët, manjatët e mediave;
- pinjollët e sharlatanët e nomeklaturës së lartë të ish-regjimit;
- të paaftët, të pashkolluarit, kukullat e manekinët, sharrësit e portaleve dhe banakëve të medias, perversët e përdoruesit e drogave,
A e kontrollon Rama situatën apo Rama është peng i korrupsionit, krimit e trafiqeve?
Pushteti real i Ramës po zvenitet e shkërmoqet realisht çdo ditë sepse mbështetja qytetare po zvogëlohet, por ndërkohë Rama po tenton të krijojë përshtypjen se kontrollon situatën duke u mbështetur vetëm te oligarkët, kriminelët dhe trafikantët, të paaftët, manekinët e servilët, pra te një grusht i vogël njerëzish qe kanë marrë peng Ramën dhe qeverisjen e vendit. Mund të thuhet pa asnjë hezitim se tashmë Rama e Rilindja janë aktualisht përfaqësues të së keqes, të pakicës zullumqare. Rama qëndron e mbahet në pushtet me thonj nga frika e humbjes së pushtetit që do të thotë nga frika e ndëshkimit. Ai po zavrritet për të realizuar një marrëveshje amnistie, pra për të realizuar një marrëveshje shpëtimi për bëmat dhe zullumet që ka bërë. Me Ramën në krye të qeverisë dhe të Rilindjes nuk mund të ketë rikthim të vlerave dhe normalitetit në PS, nuk mund të ketë rikthim të pushtetit te socialistët e ndershëm, nuk mund të ketë qeverisje për të mirën e shqiptarëve.
Ndërkohë që Rama kontroll PS si do të realizohej ndëshkimi i Rilindjes?
Përgjigja e kësaj pyetjeje është shumë komplekse. Së pari, socialistët duhet të largojnë Ramën dhe bartësit e së keqes e mashtruesit që kanë kanë keqpërdour votën e tyre dhe së dyti, këta socialistë duhet të bashkohen e të bashkëpunojnë me të gjithë qytetarët e tjerë që po vuajnë pasojat e qeverisjes së drejtuar nga Rama dhe kupola e Rilindjes, për ndëshkimin penal të Ramës e të kupolës së Rilindjes, për një ndëshkim të ashpër e pa kompromis, pa u shqetësuar se kjo mund të shkaktonte edhe kalimin në opozitë të socialistëve; e cila ndoshta do të mund të ishte edhe zgjidhja aktuale më e shëndetshme për partinë e tyre dhe mbi të gjitha me e favorshme për të larguar të keqen dhe për të mirën e të ardhmen e shumicës së shqiptarëve e të vetë socialistëve.
Nisur dhe nga përvoja juaj që keni pasur në PS, në situatën ku ndodhet sot vendi dhe qeverisja, çfarë do t’u sugjeroje socialistëve?
Ndjehem i trishtuar por edhe “krenar” që gjithçka kam thënë e parashikuar po provohet tërësisht e deri detaje. Tani jo vetëm opozita e kundërshtarët, por edhe socialistët e ndershëm e madje edhe disa rilindas të “goditur” nga Rama e bandat e qeverisjes po artikulojnë të gjithë tezat, qasjet, qëndrimet dhe termat që unë prej mbi 10 vjetësh shtjelloj e artikuloj në media kundër zullumeve të qeverisjes së drejtuar nga Rama. Tani që zullumi është trashur deri në këputje kurse Rilindja është kalbëzuar deri në asgjësim, socialistët e vërtetë e të ndershëm duhet të bashkohen e të bashkëpunojnë me shumicën e qytetarëve të revoltuar për largimin më çdo mjet e mënyrë të Ramës e të Rilindjes nga pushteti qoftë edhe me koston e kalimit të partisë së tyre të kapur nga Rilindja në opozitë. Është koha, madje është vonë, që socialistët e vërtetë e të ndershëm të zgjohen dhe të bashkohen e të bashkëpunojnë me të gjithë shqiptarët e tjerë për të kryer zgjedhje të parakohshme, të lira e të ndershme si brenda partisë, ashtu edhe për kuvendin dhe për pushtetin vendor, pra për rivendosjen e vendit në shinat e normalitetit demokratik, pluralist e meritokratik.