Kërcënojnë njëri-tjetrin. Rama: Të pres deri nesër! Basha: Të shtunën!

Përplasjet në Kavajë u shmangën falë një lëvizje në minutat e fundit të Kryeministrit Edi Rama. Por edhe pse e diela do të jetë sot ditë normale, pa dhunën e paralajmëruar, kriza politike nuk merr fund me Kavajën. Rreziku i tensioneve dhe futjes së vendit në një spirale destabiliteti është më afër se kurrë. Opozita duket e vendosur të mos hyjë në zgjedhje pa largimin e kryeministrit dhe krijimin e një qeverie teknike. Ndërsa mazhoranca dhe Kryeministri Edi Rama kanë vendosur këtë herë afate fikse për PD, në të kundërt do të shkojnë në zgjedhje pa opozitën. Pra po afrohen si kurrëherë në përplasje me vetdije dhe kokëfortë.

Në deklaratën e fundit për krizën politike, Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se pas 8 majit nuk e pret më PD-në për negociata. Rama tha se PD-ja duhet të pranojë ose refuzojë ofertën me një zëvendëskryeministër dhe disa zv/ministra teknikë, ose pas së hënës PS-ja do të shkojë e vetme në zgjedhje. Pra, e diela dhe orët e para të së hënës janë afati i fundit kohor për gjetjen e një marrëveshje politike mes palëve. Ndërkombëtarët janë vënë në lëvizje këto ditë për të realizuar dhe një takim tjetër mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Deri në minutën e fundit palët do i mbajnë hapur kanalet e komunikimit, me shpresë se një prej tyre do të lëshojë nga kërkesat.

Teksa pritet marrëveshje brenda afatit, Basha e ka dhënë dje një përgjigje për Kryeministrin. Një përgjigje që duket se nuk lë vend për negociata dhe as për marrëveshje. Partia Demokratike dhe Basha vendosën që më 13 maj, të shtunën e ardhshme, të zhvillojnë një nga protestat më të mëdha të opozitës të bashkuar. Në takimin me drejtuesit e degëve të PD dhe më pas me aleatët, Lulzim Basha ka diskutuar mbi detajet e protestës. Të dhënat e para flasin për një tubim me rreth 200 mijë protestues. Duket se gjithë organizimin që opozita kishte menduar ta zhvillonte në qytetin e Kavajës, ka vendosur ta transferojë në Tiranë. Ashtu si në Kavajë, PD zyrtarisht thotë se protesta do të jetë paqësore, por nuk mungojnë dhe zërat se skenari i dhunës nga Kavaja do të sillet në Tiranë, përballë zyrës së Kryeministrit, Edi Rama. Ish-kryeministri Berisha bëri dje një deklaratë që duket si distancim i PD-së nga ajo që mund të bëjnë protestuesit. Ai tha se protesta do të jetë masive dhe problemi kryesor është menaxhimi i saj për të mos “fshirë Ramën”. Kjo duket e rrezikshme, pasi nëse turma stërmadhe nuk menaxhohet apo ka plan sekret që të rrethojnë kryeministrinë duke mos lejuar asnjeri të futet brenda, do sjelli përplasje. Nga përplasja nuk dihet si përfundon puna. Edhe me 21 janar 2011 kështu filloi, por përfundoi me katër të vrarë.  Me zhvillimet e djeshme në selinë blu dhe përgatitjen për protesta, Basha i ka kthyer përgjigje Edi Ramës mbi fatin negociatave. PD nuk ka ndërmend të tërhiqet përderisa 6 ditë pas mbarimit të afatit paralajmëron protestën më të madhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Në vend të negociatave, PD-ja po merr në konsideratë skenarin e përplasjes së fortë.

Por çështja e negociatave tashmë nuk është më në dorë të vullnetit politik të Edi Ramës. Kryeministri tregoi se bën dhe hapa pas nga qëndrimet e tij, siç tregoi dhe rasti i Kavajës. Por data 8 maj nuk është çështje dëshire. Më 8 maj Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sipas ligjit duhet të vendos për prodhimin e fletëve të votimit. Pasi janë ngritur Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhjeve, duhet të nis dhe shpërndarja e bazës materiale. Nëse do të ketë zgjedhje, afati i fundit për bazën materiale është 8 maji. Pas kësaj date, ose duhet që PS të hyjë në zgjedhje, ose Kryeministri duhet të shkelë një tjetër premtim të tij, atë për shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Ndërkombëtarët këto ditë po bëjnë apele të forta dhe presion për dialog, ndërkohë pak ditë më parë për pak sa nuk i çuan palët në përplasje ekstreme kur thanë se “zgjedhjet do njihen edhe pa PD”. Pavarësisht qëndrimeve armiqësore me njeri-tjetrin, Basha dhe Rama kanë në duar këto orë finale, fatet e vendit. Nëse do të ketë zgjedhje normale me 18 qershor vendoset këto orë. Ndryshe, zyrtarizohet 18 qershori pa opozitën dhe e shtuna do të jetë dita e një opozite që të vetme mënyrë reagimi pas vetëpërjashtimit nga zgjedhjet, ka rrugën.

Rruga sjellë përplasje. Përplasja e turmave sjellë gjëra të paparashikuara.

Qamil Xhani

SHKARKO APP