Kërcënon Basha: Nëse PS dhunon PD, populli do të marrë në dorë Parlamentin
Lulzim Basha është deputeti i parë që përjashtohet nga seanca për këtë legjislaturë të Kuvendit. Kreu i Parlamentit, Gramoz Ruçi nuk e ka kursyer liderin e opozitës për shkeljen e rregullore, pasi foli më shumë sesa ishte e lejuar. Ky vendim solli dhe reagimin e PD. Deputetët e djathtë bllokuan sot gjatë gjithë ditës sallën e Kuvendit. Vetëm në orën 18:00 rinisi seanca e cila nuk vazhdoi me rendin e ditës, por vetëm me miratimin e disa projektvendimeve për kalendarin e punimeve, për të cilat nuk ka pasur vërejtje nga PD.
Në mbyllje të seancës Gramoz Ruçi sqaroi se ishte treguar i butë me Lulzim Bashën. Ai tha se si kryetar i Kuvendit kërkoi vetëm përjashtimin për një ditë të kreut të PD-së nga seancat, por mund të kishte thirrur Byronë për përjashtimin e Bashës për disa javë. Gjithë tensioni i ditës së sotme u mbyll me këtë deklaratë të Gramoz Ruçit.
Por jashtë sallës së Kuvendit, Lulzim Basha bëri një kërcënim të fortë për këtë vendim të Partisë Socialiste. Ai e cilësoi si sjellje prej ministri të brendshëm vendimin e Gramoz Ruçit. Ndërkohë që nëse kjo situatë me heqje të fjalës së opozitës dhe përjashtime do të përsëritet, PD do të marrë masa ekstreme.
Ai u shpreh se Parlamenti duhet të garantojë paqen sociale, pasi ajo është e rrezikuar.
“Parlamenti shkel të drejtën për faljen e lirë. Kjo e drejtë shkelet Rama dhe Ruci. Rama do që ti mbyllë gojën shqiptarëve. Parlamenti duhet të garantojë paqen sociale, pasi është e rrezikuar”- u shpreh Basha para gazetarëve.
“Nëse në këtë Parlament vendoset të rikthehet regjimi diktatorial ka ardhur koha që të themi të vërtetën troç. Opozitës i lind e drejta që të thërrasë shqiptarët të marrin të drejtën e tyre. Pas këtij atentati grupi i PD-së do të shikojë se si do të dalin nga kjo krizë. Nuk do të lejojmë që Ruçi dhe Rama të na kthejnë pas 30 vite” – tha Basha.
“Nëse kjo situatë do të përsëritet PD do t’i bëjë thirrje popullit që të marrë Parlamentin në dorë”,- tha Lulzim Basha.
Kreu i PD-së njoftoi mbledhjen e Grupit të PD për të marrë vendime për situatën e krijuar. Ai deklaroi se PD ka kërkuar debat për reformën zgjedhore në Kuvend dhe debat për çështjen e sigurisë dhe krimit të organizuar.
Gjithsesi Gramoz Ruçi e fali këtë radhë Bashën siç ka thënë Rama si “një djalë të urtë”. Ndërsa Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar të PS theksoi pas seancë se “Kjo është një gjë tërësisht e paimagjinueshme se si PD sot shpërdoroi gjithë këtë kohë të rëndësishme për çdo deputet për të bërë punë të rëndësishme. Sa kohë që Konferenca e Kryetarëve dje ka përcaktuar se kur janë seanca, mund t’ju them se seanca e përcaktuar edhe me votën e zt.Spaho është sot një javë. Kuvendi i Shqipërisë më në fund po hyn në një bindje që respektimi i Rregullores do të jetë i njëjtë për të gjithë dhe ky është mesazhi për sot”.
Siç duket Lulzim Basha po radikalizohet nga pak e përditë.
VIDEO/DEKLARATA E BASHËS PAS SEANCËS
https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/1652054664845708/