Kërkohet arrestimi i kryeministrit maqedonas
Drejtësia e organit më të lartë prokurorial, Prokurorisë Speciale është hedhur në pikëpyetje pas publikimit të videove nga gazeta italiane “La Verita”, në të cilat dyshohet për përfshirjen e kryeprokurores, Katica Janeva, prokurores Lile Stefanovsi dhe kryeministrit, Zoran Zaev në rastin “Zhvatja”.
Në një intervistë për Top Channel, sekretari i përgjithshëm në VMRO DMPNE, Igor Janushev ka thënë se pas këtyre publikimeve, kryeministri dhe kryeprokurorja duhen arrestuar. Janushev shton se kjo është e vërteta e asaj çfarë kanë thënë prej kohësh, se drejtësia nga kjo prokurori është selektive.
“Kjo është ndjekje politike. Prokuroria Speciale nuk heton sipas ligjit, ku vetë prokurorët janë pjesë e krimit si rasti “Reket”, për t’ju marrë para të akuzuarve. Këtu është përfshirë pushteti me gjithë Zoran Zaev. Prokuroria Speciale nuk ka kredibilitet dhe është dora e ndihmës së kryeministrit duke i zhvatur paratë e biznesmenëve. Kjo prokurori duhet të kalojë në kuadër të Prokurorisë Themelore, dhe kryeprokurori t’i përgjigjet themelores”, tha Igor Janushev, sekretar i përgjithshëm i VMRO DPMNE.
Shoqëria Civile vlerëson se kjo ka qenë bomba më e madhe ndonjëherë ndaj drejtësisë, dhe vetëm një drejtësi e udhëhequr nga një person i jashtëm ndërkombëtar do të mund ta kthente besimin në organet e drejtësisë. Derisa ka shqetësime për ndikimin që këto dyshime mund ta kenë tek faktori ndërkombëtar, për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Deputeti i partisë në pushtet, nga Lidhja Social Demokrate(LSDM), Muhamet Zeqiri është shprehur se kanë kërkuar që prokuroria t’i intensifikoj hetimet.
“Pas publikimit të videove nga gazeta italiane “La Verita”, Prokuroria Publike ka ngritur akuza ndaj dy personave, ndaj show menit i njohur si Boki 13 dhe biznesmenit Zoran Milevski, që tashmë janë në paraburgim.
Ndërsa për kryeprokuroren e cila ka dhënë dorëheqje publike por jo edhe zyrtare, prokuroria nuk ka ngritur akuzë, ndërsa kolegëja e saj, Lile Stefanovski pritet të intervistohet në rolin e dëshmitares gjatë së martës”.
Publikimi i videove u bë pikërisht pak muaj para se Maqedonia Veriore t’i hap bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
E sekretari amerikan, Matthew Palmer është shprehur se hetimin i pazgjidhur për shantazh mund të minojë perspektivën për anëtarësim.
Prokurorisë Speciale do t’i përfundojë mandati me 15 shtator, për ketë kuvendi pritet të mbajë seancë me 27 gusht me qëllim të miratimit të Ligjit për Prokurorinë Speciale, i cili do ta mundësonte funksionimin e kësaj prokurorie në kuadër të Prokurorisë Themelore.
Themelimi i kësaj gjykatë ishte bërë në vitin 2015, pas publikimit të videove nga opozita e atëhershme LSDM për përfshirjen e ish kryeministrit, Nikolla Gruevski në korrupsion.