Këshilla e Gramoz Ruçit: Mbyllni sytë kur bëni dashuri, i hapni kur votoni !

Pazari PS-PD i ka djegur shumë edhe Gramoz Ruçit, por nuk ka se ç’të bëjë. Edi Rama ia bëri fakt të kryer ditën e shënuar të 17 majit, dita e LGBT. Ndërkohë Ruçi ka hedhur poshtë aludimet për një marrëveshje të fshehtë mes Ramës dhe Bashës, për bashkëqeverisje pas zgjedhjeve. Pakti-pazar ka prodhuar pakënaqësi te elektorati socialist. Në një takim me të rinjtë, Ruçi tha se Partia Socialiste synon ta ketë e vetme qeverinë. Ruçi tha dhe arsyet se pse vendosën të dalin të vetëm në këto zgjedhje. Kreu i Grupit Parlamentar të PS i ftoi të rinjtë të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet e 25 Qershorit.

“Sot po dëgjoni të thuhet ky Edi Rama mos ka bërë një marrëveshje të fshehtë me Lulzim Bashën? Do ketë koalicion me LSI apo jo?’. PS nuk do të futet në këtë proces elektoral për të bashkëqeverisur, por për të vetëqeverisur”, tha Ruçi. Por të gjithë analistë, politikanë, etj thonë se nuk ka asnjë shans që PS të vetqeverisë. Do jetë e detyruar.

Ilir Meta tha dje se asnjë parti e madhe si PD, PS dhe LSI nuk merr me shumë se 53 deputetë, çka ia rrëzoi krejt sloganin Edi Ramës se “PS-ja merr 71 deputetë”. Po kështu edhe figura emblematike të së majtës si Skender Gjinushi dhe Paska Milo deklarojnë se PS-ja nuk ka asnjë mundësi të marrë e vetme pushtetin. Tashmë ka shumë variante qeverisje pas zgjedhjeve, por asnjëra e vetme si PS.

Nga ana tjetër kreu i Bashkisë së Tiranë, Erion Veliaj u tha studentëve se duhet të votojnë kryeministrin Rama që të ketë më shumë ndryshime në qytetet e tyre. Ai lajmëroi edhe hapjen e sheshit “Skëndërbej” pas dhjetë ditësh. “Sheshi ka filluar 10 vite më përpara, kur në bashki ishte Edi Rama. 10 vjet punë që u bënë për 10 muaj, përse? Sepse në pushtet nuk ishte Partia Socialiste”, ka thënë Veliaj.

Takimin ku morën pjesë kandidatët për deputetë të PS në qarkun e Fierit, Ruçi e mbylli duke iu përshtatur atmosferës rinore. “Një porosi gjyshi: mbyllni sytë kur bëni dashuri. I hapni kur vini në provim dhe në kutinë e votimit”, – tha Ruçi. Por kohët kanë ndryshuar nga koha e Ruçit. Ka shumë që bëjnë dashuri edhe me sy hapur! Po kjo masë e madhe rinie që ka këtë stil dashurie, i bie që të mbyllë sytë para kutisë së votimit dhe të mos ia jap PS-së?!

SHKARKO APP