Këshilli Europës tërhiqet nga zgjedhjet. Drejt mosnjohjes së 30 qershorit
Në një njoftim të publikuar pak momente më parë, Këshilli i Europës ka anuluar delegacionin që ishte programuar për zgjedhje në Shqipëri. Arsyeja lidhet me pasigurinë e zhvillimit të zgjedhjeve më 30 qershor, por edhe me faktin se sipas informacioneve të KiE në disa zona të Shqipërisë nuk ka siguri për vëzhguesit. KiE “ka vendosur të mos dërgojë në Shqipëri një Delegacion Vëzhgues Zgjedhjesh nga Kongresi për shkak të pasigurisë së vazhdueshme në lidhje me organizimin e zgjedhjeve lokale në Shqipëri më 30 qershor dhe për për shkak të rreziqeve të mundshme për sigurinë në disa zona të caktuara”,- thuhet në emailin e KiE.
Largimi i misionit është konfirmuar dhe nga Zëdhënësja e OSBE/ODIHR, Katya Andrusz. Në një prononcim për “BalkanWeb”, Katya Andrusz tha se Këshilli i Europës nuk do të monitorojë zgjedhjet e 30 qershorit në Shqipëri. Në një komunikim pas e-mail-it të dërguar nga Këshilli i Europës ku bëhej i ditur vendimit për anulimin e misionit të vëzhguesve, Andrusz thotë se janë informuar nga KiE se ata nuk do të vëzhgojnë zgjedhjet e ardhshme. ”Mund të konfirmoj se jemi informuar nga KiE se ata nuk do të vëzhgojnë zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri. Për më shumë detaje ju duhet të kontaktoni me ta direkt”, shkruan Zëdhënësja e OSBE/ODIHR.
Tërheqja e vëzhguesve të Këshillit të Europës është sinjali më i qartë që vjen nga ndërkombëtarë lidhur me pavlefshmërinë që ka procesi i 30 qershorit. Edhe pse raporti përfundimtar për një proces elektoral bëhet nga OSBE/ODIHR, largimi i Këshillit të Europës tregon se ajo që bën PS-ja në Shqipëri është një proces shumë larg standardeve të zgjedhjeve normale.
Këshilli i Europës është një organizatë ndërkombëtare e cila ka si synim ruajtjen e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit në Europë. Themeluar në vitin 1949, Këshilli ka 47 vende anëtare.
Ja njoftimi i plotë i Këshillit të Europës: “Në vijim të emailit të mëposhtëm, me të cilin ju ftojmë në një takim me një delegacion të Kongresit të Autoriteteve Rajonale e Lokale të Këshillit të Evropës, po ju informojmë se udhëheqja e Kongresit (Presidenti në konsultim me dy Presidentët e Dhomave, në përputhje me rregullat e Kongresit) ka vendosur të mos dërgojë në Shqipëri një Delegacion Vëzhgues Zgjedhjesh nga Kongresi për shkak të pasigurisë së vazhdueshme në lidhje me organizimin e zgjedhjeve lokale në Shqipëri më 30 qershor dhe për për shkak të rreziqeve të mundshme për sigurinë në disa zona të caktuara. Ju kërkojmë ndjesë për çdo problem që mund t’ju shkaktojë anulimi në çastet e fundit dhe ju falënderojmë për gatishmërinë për të korresponduar me Kongresin”.
Gjosha: Këshilli i Europës dha sinjalin, zgjedhjet e 30 qershorit janë marrëzi