Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë falënderon PS dhe PD për qëndrimin e përbashkët mbi ligjin e “Barazisë Gjinore”

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë (KNFSH) ka shprehur mirënjohjen e tij për qëndrimin e bashkuar dhe të përgjegjshëm të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike në lidhje me projektligjin e propozuar nga Ministria e Shëndetësisë për “Barazinë Gjinore”.

Në deklaratën zyrtare, Këshilli thekson se ky vendim reflekton respektin ndaj vlerave natyrore, traditave kulturore dhe parimeve themelore të shoqërisë shqiptare. Sipas KNFSH, ky qëndrim i përbashkët politik tregon “maturinë institucionale dhe kujdesin për të mirën e përbashkët”, duke u konsideruar një shembull pozitiv për klimën e dialogut ndërinstitucional dhe fetar në vend.

“Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë vlerëson dialogun, bashkëpunimin dhe maturinë e treguar gjatë këtij procesi, duke e konsideruar një shembull pozitiv të përgjegjësisë institucionale dhe kujdesit për të mirën e përbashkët,” thuhet në deklaratë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në të njëjtën deklaratë, Këshilli falënderon ekspertët e grupit të punës të ngritur nga pesë komunitetet fetare – përfaqësues të myslimanëve, bektashinjve, katolikëve, ortodoksëve dhe ungjillorëve – si dhe juristët, sociologët dhe specialistët që kontribuan në përgatitjen e raportit profesional dhe në lobimin pranë institucioneve vendase dhe ndërkombëtare.

Swiss Digital Mobile Reklama

Një falënderim i veçantë shkon edhe për mediat shqiptare, të cilat sipas Këshillit “pasqyruan me përgjegjësi dhe korrektesë punën dhe deklaratat e KNFSH-së, duke ndihmuar në informimin e drejtë të opinionit publik”.

Në përfundim, Këshilli Ndërfetar rikonfirmon angazhimin e tij për të mbështetur çdo nismë që lidhet me mbrojtjen e vlerave njerëzore, shoqërore dhe morale, si dhe për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm dhe integrimin evropian të Shqipërisë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?