Këtë javë në Kongres, SHBA në pritje të publikimit të raportit për UFO-t
Çfarë dinë Pentagoni, FBI-ja dhe agjencitë e tjera të inteligjencës amerikane rreth UFO-ve? Një raport që do të publikohet këtë javë pritet të nxjerrë disa përfundime dhe të ngrejë shumë pyetje, veçanërisht në lidhje me rivalët e Shteteve të Bashkuara.
Raporti i shumë pritur për UFO-t pritet të mbërrijë në Kongresin amerikan këtë javë.
Në raport përfshihen mbi 120 raste të atyre që ushtria i quan Fenomene Ajrore të Paidentifikuara, por ende nuk është bërë ndonjë përcaktim në lidhje me origjinën e mjeteve fluturuese misterioze, thonë zyrtarët që kanë njohuri për raportin dhe që janë intervistuar nga gazeta The New York Times.
Hetimi i qeverisë amerikane ndaj këtyre fenomeneve u nxit nga regjistrimet e marinës amerikane që tregojnë objekte të panjohura duke bërë lëvizje të pazakonshme.
Luis Elizondo drejton hetimet e Pentagonit për UFO-t, që nga viti 2008.
“Rregjistrimet janë bërë nga platformat më të sofistikuara të Amerikës. Ato ishin objekte të vërteta dhe ishin në hapësirën tonë ajrore dhe ne nuk e dimë se çfarë janë”, thotë zoti Elizondo.
Ligjvënësit nga të dyja partitë politike thonë se është koha për të përcaktuar nëse këto objekte paraqesin një kërcënim për Shtetet e Bashkuara.
Raporti pritet të përqendrohet në faktin nëse mjetet fluturuese i përkasin një kundërshtari të Amerikës. A mund të ketë zhvilluar Rusia ose Kina atë që duket të jetë teknologji shumë e përparuar?
Nuk ka ngjarë që këto dy vende të kenë bërë këtë, thotë Marik von Rennenkampff, një analist i mbrojtjes gjatë administratës së presidentit Obama.
“Ne e dimë që Kina ka ende vështirësi me teknologjinë themelore të motorëve të avionëve. Kina mbështetet në spiunazh për të siguruar pjesën më të madhe të teknologjisë së saj të përparuar të mbrojtjes. Rusia ka një buxhet të mbrojtjes që është shumë i vogël krahasuar me atë të Shteteve të Bashkuara”, thotë ai.
Duke patur parasysh informacionin e kufizuar të publikuar deri më tani, është herët të thuhet nëse fenomenet janë rezultat i përparimeve teknologjike të një vendi, thonë disa ekspertë.
“Mund të ketë shpjegime që nuk kërkojnë një hap të madh në aftësinë teknologjike. Mund të jetë diçka që nuk e prisnim dhe diçka që nuk e kemi parë më parë. Nëse rezulton të jetë diçka nga Kina, Rusia ose një vend tjetër, kjo do të tregonte vërtet një dështim për ta imagjinuar këtë mundësi nga ana e agjencive tona të inteligjencës”, thotë Todd Harrison, ekspert në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Përgatitjet për raportin kanë filluar gjashtë muaj më parë dhe ai përfshin prova të mbledhura në një periudhë prej shumë vitesh. Ka patur sinjale se zyrtarët e inteligjencës nuk janë ende të gatshëm të zbulojnë një konkluzion përfundimtar për këtë. Ndërsa thuhet se nuk ka prova të jashtëtokësorëve, mundësia e ekzistencës së tyre nuk është përjashtuar.
“Nga ajo që kam dëgjuar nga njerëzit në qeveri është se nuk ka kohë të mjaftueshme për të përpiluar një raport koherent për këtë çështje. Ne nuk kemi analizën e nevojshme për këtë. Ky është një projekt afatgjatë. Mendoj se është një hap i duhur”, thotë ish-analisti i Departamentit të Mbrojtjes, Marik Von Rennekampff.
Duke shtuar intrigën, Kina ka programin e saj të studimit të UFO-ve, që bazuar në një artikull të kohëve të fundit të gazetës South China Morning Post, përcakton Shtetet e Bashkuara si një burim të mundshëm të këtyre mjeteve fluturuese.