“Kinezët italianë” të sondazheve të paguara nga kryeministri Rama
Nga Spiten Prulli/
Sondazhet italiane, të paguara nga qeveria, po rishfaqen në skenë këto ditë krize të madhe politike. Në fakt kryeministri i thërret në skenë dy ose tre muaj para zgjedhjeve politike dhe me sa duket diçka po mendon edhe kryeministri Rama. Thotë se nuk do të ketë zgjedhje parlamentare të parakohshme, por fakti që ka thirrur në ndihmë një sondazh me italianë apo nesër me ca kosovarë, të gjithë të parapaguar, flet se po shkohet drejt zgjedhjeve të reja parlamentare. Loja e tij duket nga larg se po i publikon që të karikojë të vetët se sikur ka mbështetje popullore. Nuk është lojë pa mend, pavarësisht se italianët e kaluan sensin e masës, sepse e nxorën shumë lart Edi Ramën.
Nuk kanë faj sepse në raport me pagesën e rritën sondazhin!
E nuk kishte si ndodhte ndryshe, derisa u shfaqën ca italianë me ca kova në duar, të cilat i kanë mbushur të kryeministria dhe na publikojnë sondazhin sikur prapë Rama fiton bindshëm, madje tani na e nxirrkan me 80 deputetë (!), dhe që opozita po humbet pikë, kur mbetet krejt e kundërta. Opozita po rritet frikshëm, madje për këtë shkak kryeministri nuk jep dorëheqjen dhe të shkohet në zgjedhje të reja politike. Se po ta kishte real sondazhin italiani Cin pan Ci shu mënjëherë kryeministri do thoshte “merrni dhe qeverinë tranzitore e hajde të shkojmë në zgjedhje”. Por e di mirë se nuk fiton më me vota të blera, nëse shkohet në zgjedhje pa qenë ai në krye të qeverisë.
Natyrisht se sondazhi real është krejt në të kundërt të asaj që publikon një italian që përveç kovës me lista nga kryeministria, ka edhe një çantë për eurot që do t’ia jap qeveria.
Edi Ramës duhet t’i thotë dikush në PS, nga ata ish-ministrat me mend në kokë, të heqë dorë nga aventura për ta futur vendin në kaos. Pyet edhe ministrin Pandeli Majko, dy herë ish-kryeministër në kohë krizash të forta dhe që i zgjidhi me flokëbardhësinë e tij, të fisshme. Pyete edhe Gramoz Ruçin që ndihet keq kur shikon se si po rrëshqet PS-ja e krijuar nga Nano dhe ai. Pyete dhe Ditmir Bushatin, që BE e çmon si njeriun korrekt në diplomaci dhe që shquhet për atdhedashuri. Edhe Fatmir Xhafën si një proamerikan i vertetë.
Dhe mos u bazo te deputetët e rinj të “opozitës”, të cilët nuk dinë as shqip mirë, as nuk njohin politikën, as nuk kanë mend në kokë. Ata kanë ardhur për rrogën dhe ndonjë euro…
Lëri sondazhet e paguara dhe thirri mendjes duke kujtuar Edin e dikurshëm në vitet 1991-1997. Se ky Ramë, ka marue!