Kirgistani pa qeveri pasi kryeministri dha dorëheqjen, opozita gati të marrë pushtetin
Parlamenti i Kirgistanit nuk ka arritur të mbledhë një kuorum gjatë seancës të mbajtur në orët e vona të natës duke e lënë kombin e Azisë Qendrore në një vakum pushteti, ndërsa grupet opozitare u përpoqën të pretendonin pushtetin pas rrëzimit të kabinetit.
Ish-republika Sovjetike është përfshirë nga trazirat prej disa ditësh kur mijëra njerëz nisën të protestojnë kundër rezultateve të zgjedhjeve parlamentare duke sulmuar edhe ndërtesat qeveritare.
Kryeministri Kubatbek Boronov dha dorëheqjen ndërsa për të parandaluar përshkallëzimin e tensioneve u mor vendimi që të mos njihet as rezultati i zgjedhjeve. Tre grupe opozitare kanë propozuar secili kandidatët e tyre për kryeministër të përkohshëm të cilët do të duhet të mbikëqyrin një votim të përsëritur në muajt e ardhshëm.
Shumë qytetarë në Kirgistan fajësojnë Presidentin Sooronbay Jeenbekov për lejimin e blerjes sistematike të votave dhe parregullsive të tjera të përhapura gjatë zgjedhjeve parlamentare për të siguruar që vetëm partitë besnike të tij të fitojnë vende në parlament. Kjo është kryengritja e tretë që nga viti 2005 në Kirgistan.