Kisha Katolike kundër ministreve të Ramës: Mbroni familjen shqiptare, jo martesat gay

Arqipeshkvi i Tiranë-Durrësit, Mons. George Frendo, ka reaguar për letrën që tetë ministret e PS i kanë dërguar parlamentit të Holandës. Përfaqësuesi i lartë i Kishës Katolike ndalet në vlerësiminqë anëtaret e kabinetit “Rama” kanë për martesat brenda së njëjtës gjini, të cilat janë legalizuar në Holandë dhe për legalizimin e abortit.

“Ta legalizosh abortin dhe martesën gay a është shenjë e një shoqërie të emancipuar? A është shenjë përparimi? Të dashur Ministre, ju lutem: familja shqiptare është dalluar si një bërthamë shumë e bashkuar dhe të qëndrueshme. Mbrojeni jetën njerëzore, mbrojeni familjen shqiptare! Tashmë ka shumë faktorë që po sulmojnë familjet tona sot. Është detyra juaj, si përfaqësuese të popullit tonë dhe ministre, t’i mbroni vlerat e vërteta për një Shqipëri më të mirë!”,- thuhet në letrën e Arqipeshkvi i Tiranë-Durrësit, Mons. George Frendo.

George Frendo shprehet se kush i ka autorizuar ministret e PS që të vlerësojnë martesat brenda së njëjtës gjini dhe ligjërimin e abortit në emër të qytetarëve shqiptarë?

Mesazhi i plotë i Arqipeshkvi i Tiranë-Durrësit, Mons. George Frendo: 

RRETH LETRËS SË MINISTRAVE GRA

Mons. George Frendo,

Arqipeshkvi i Tiranë-Durrësit

“Janë tetë ministre gra që u janë drejtuar deputetëve të Parlamentit Hollandez me një letër. Në këtë letër shkruajnë se janë “nëna dhe bija, gra që luftojnë për familjet tona dhe për kombin tonë”.

Më poshtë shkruajnë: “Ne në Shqipëri sinqerisht çmojmë Hollandën”. E pse? Sepse “ju ishit ndër të parët në botë që keni legalizuar abortin” dhe “keni qenë vendi i parë në botë që keni legalizuar martesën e së njëjtës gjini në 2001”.

Disa komente. “Ne në Shqipëri sinqerisht çmojmë Hollandën”. Vërtetë, janë deputete, janë ministre. Por kush u dha të drejtën të flasin në emrin e të gjithë shqiptarëve? Janë “nëna”. Atëherë pritet se e vlerësojnë jetën njerëzore. Si pra guxojnë ta lavdërojnë Hollandën sepse kjo ka legalizuar vrasjen e jetës njerëzore të ngjizur në kraharorin e shumë nënave? Janë “bija”, dhe, supozojmë (pasi janë edhe nëna), të martuara. Sigurisht, kanë lindur fëmijë jo nga një grua tjetër, por nga një burrë. Dhe thanë se “luftojnë për familjet” – imagjinojmë se e përkufizojnë familjen si bashkësi që përfshin burrin dhe gruan bashkë me fëmijët e tyre. Këto fjalë janë krejt në kundërshtim me pohimin e tyre, ku kanë miratuar qëndrimin e Hollandës që ka legalizuar martesën e së njejtës gjini.

Ta legalizosh abortin dhe martesën gay a është shenjë e një shoqërie të emancipuar? A është shenjë përparimi? Të dashur Ministre, ju lutem: familja shqiptare është dalluar si një bërthamë shumë e bashkuar dhe të qëndrueshme. Mbrojeni jetën njerëzore, mbrojeni familjen shqiptare! Tashmë ka shumë faktorë që po sulmojnë familjet tona sot. Është detyra juaj, si përfaqësuese të popullit tonë dhe ministre, t’i mbroni vlerat e vërteta për një Shqipëri më të mirë!”.

SHKARKO APP