Ja pajisja “IMCI Catcher” ku policia përgjon pa lejen e Prokurorisë
“Boldnews.al” ka mësuar se “IMCI Catcher” është pajisja që po përdoret për trajnimin e oficerëve të Policisë së Shtetit, por që Prokuroria dyshon se mund të përdoret për përgjime të paligjshme.
Prej ditësh, në media po flitet se shërbimet inteligjente kanë ngritur alarmin se në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë është një pajisje përgjuese, për të cilën nuk ka asnjë autorizim ligjor dhe nuk dihet se si ka hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Këto informacione mediatike u konfirmuan në mesin e javës, kur Prokuroria e Tiranës ka regjistruar informacionin e shërbimeve inteligjente në formën e kallëzimit dhe ka nisur verifikimet e saj.
Të premten, dy oficerë të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Tiranës u paraqitën në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, me një vendim për të sekuestruar pajisjen e dyshimtë. Por të dërguarit e Prokurorisë u kthyen “duarbosh”, pasi, drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit u thanë që kjo pajisje nuk gjendet në administrimin e tyre. Sipas zyrtarëve blu, pajisja që po kërkon Prokuroria shërben vetëm për qëllime trajnimi dhe administrohet nga misioni “Interforze” i Qeverisë Italiane, e cila asiston autoritetet shqiptare.
Në vijim të kësaj përgjigjeje, Prokuroria e Tiranës i është drejtuar zyrtarisht “Interforze”-s, për të krijuar një ide më të qartë se për çfarë qëllimi është përdorur pajisja.
Referuar faqes ndërkombëtare të internetit ‘Wikipedia”, për pajisjen “Imci Catcher” jepet një shpjegim i tillë:
“Imci Catcher” është një pajisje që përdoret për përgjimin e trafikut të telefonisë celulare (mobile), si edhe për të ndjekur vendndodhjen e personave që përdorin telefonë celularë. Teknikisht, kjo pajisje shërben për të realizuar krijimin e një antene të rremë ndërmjet telefonit celular dhe antenës reale. “IMCI” përdoret në vende të ndryshme nga agjencitë ligjzbatuese dhe shërbimet e inteligjencës. Megjithatë, përdorimi i tyre ka ngritur shqetësime të mëdha sa i përket sigurimit të lirive civile dhe personale. Përdorimi i kësaj pajisjeje është rregulluar me ligje strikte në vendet ku ajo përdoret”/BoldNews/
Prokuroria ka urdhëruar sekuestrimin e pajisjes përgjuese të paautorizuar që është instaluar në zyrat e Policisë së Shtetit. Por oficerët e policisë gjyqësore nuk kanë mundur dot të ekzekutojnë urdhërin e sekuestros.
Ata mësohet se kanë kërkuar takim me titullarin, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë. Por nga stafi i tij, hetuesit janë njoftuar se kreu i policisë dhe zëvendësi i tij ndodhen në një aktivitet në Akademinë e Sigurisë, ku përveç pjesës së aktivitetit ishte parashikuar edhe një drekë për të pranishmit”, shkruan Balkanweb.
Sipas medias, oficerëve të prokurorisë ju është dashur të presin për rreth 5 orë për të marrë kontakt me kreun e Policisë së Shtetit, Haki Çako.
Ata e kanë njohur kryepolicin me urdhrin e sekuestros së pajisjes përgjuese, që sipas SHISH ndodhet në zyrat e policisë, por Çako ka deklaruar se kjo pajisje nuk është nën administrimin e policisë shqiptare”, raporton BW.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka pranuar se ekziston një pajisje e tillë, por që administrohet nga partnerët italianë të misionit Interforza, të cilët e përdorin atë për trajnimin e policisë shqiptare.
Pas këtij shpjegimi të kreut të policisë, hetuesit e prokurorisë kanë mbajtur një procesverbal me thëniet e z. Çako, duke pasqyruar faktin se policia shqiptare nuk ka në administrim një pajisje të tillë përgjuese”.
Sipas informacionit të SHISH dërguar Presidentit të Republikës dhe Prokurorit të Përgjithshëm, bëhet fjalë për një pajisje shumë të sofistikuar të instalua në Policinë e Shtetit. Ajo shërben për realizimin e përgjimeve, por nuk është e autorizuar nga Prokuroria e Përgjithshme.
Çpo ndodh rreth kësaj historie
Historia e përgjimeve në Shqipëri nuk po arrin të mbetet vetëm brenda institucioneve që u takon me ligj ta kryejnë atë. Shpesh politika shpërthen në debate të ashpra lidhur me këtë çështje dhe siç ndodh rëndom opozita është ajo që ankohet se përgjohet nga struktura të palegjitimuara siç ndodhi në 2011, kur socialistët akuzuan Ministrin e Mbrojtjes të asaj kohe se përgjonte eksponentë të opozitës përmes Shërbimit Inteligjent të Ushtrisë. Një debat po vlon aktualisht lidhur me një pajisje të zbuluar nga SHISH në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë të cilën Prokuroria ka tentuar ta sekuestrojë dhe për të cilën zyrtarë të policisë thonë se ajo përdoret për trajnim nga ekspertët italianë të Interforze. Kjo ngre disa pikëpyetje dhe dyshime.
Lajmi se Policia e Shtetit po kryen përgjime, u përcoll me shqetësim në media. Hetim të këtij informacioni kërkoi edhe Presidenti i Republikës Nishani.
Nishani: Kam parë ditët e fundit në media që është denoncuar ekzistenca e një pajisje ilegale që kryen përgjime. Kjo mbetet për tu verifikuar sesa qëndron si lajm, sesa i vërtetë është, mbetet për tu hetuar nëse rezulton i vërtetë.
Pak ditë më parë në një takim konsultativ me kompanitë celulare, Ministri i Brendshëm Tahiri foli për një projektligj që do ta bënte të ligjshëm përgjimin nga Policia e Shtetit, gjë që aktualisht sipas ligjeve shqiptare kryhet ekskluzivisht nga Shërbimi Informativ Shtetëror.
Publikisht Tahiri mohoi se ishte duke tejkaluar kompetencat.
Tahiri: Patëm një konsultë me operatorët telefonikë sa i takon disa ndryshimeve në ligjin për komunikimet eleketronike, të cilat do të mundësonin një akses më të drejtëpërdrejtë të Prokurorisë, Policisë dhe Agjencive të tjera ligjzbatese për çështje të caktuara që prekin komunikimet elektronike.Nuk ka lidhje ky me kompetencat e asnjë institucioni, ndryshimet që po konsultojmë kanë lidhje me marrëdhënien që kanë Agjencitë ligjzbatuese me operatorë, kryesisht privat por edhe publik në fushën e hetimeve penale. Nuk jemi në fazën, kjo nuk është as detyra dhe as kompetenca jonë, që të propozojmë ndryshime në pikëpamje të ndryshimit të kompetencave të institucioneve. Nuk është kjo.
Por faktet komplikohen edhe më shumë kur Prokuroria nisi zyrtarisht hetim për këtë çështje dhe kërkesës së saj për të sekuestruar pajisjen në fjalë Policia mësohet se i është përgjigjur se pajisjen nuk e ka më dhe se mjeti përgjues që sipas Policisë së Shtetit po përdorej për arsye trajnimi i është kthyer misionit Interforze.
Disa pikëpyetje kërkojnë ende një përgjigje zyrtare.
Përse Policia e Shtetit duhet të bëjë përgjime qoftë edhe për trajnim?
Çfarë ka ndodhur me ato përgjime, ku ndodhen dhe kush i disponon?
Dhe a duhet të marrë Policia e Shtetit kompetenca ligjore për të përgjuar për arsye hetimi?
Kur PS ishte në opozitë në vitin 2011 e ka denoncuar ashpër ekzistencën e një pajisje përgjimi nga Ministria e Mbrotjes, duke këmbëngulur se përgjimi është kompetencë e SHISH dhe asnjë strukture tjetër.