KLGJ largon nga detyra Ardian Dvoranin

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur sot largimin nga detyra të anëtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani.

Vendimi është marrë në seancën e zhvilluar sot pasdite. Shumica e trupës së KLGJ, 6 me 3, ka vendosur se mbajtja e detyrës së anëtarit dhe kreut të Gjykatës së Lartë nga Ardian Dvorani është në kundërshtim me ligjin.

Me largimin e tij nga Gjykata e Lartë, Dvorani humb dhe të drejtën për të qenë kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Mandati i Dvoranit si anëtar i Gjykatës së Lartë, sipas Kushtetutës, ka përfunduar në vitin 2014. Por për më shumë se 6 vjet Dvorani ka qenë në këtë gjykatë si anëtar dhe drejtues i saj. Precedenti i rrallë në historinë e institucioneve të drejtësisë ka marrë fund sot, duke i hequr Dvoranit të gjitha postet që i ka mbajtur në kundërshtim me ligjin.

Edhe pse në kundërshtim me ligjin, në detyrat që ka mbajtur Dvorani ka marrë vendime të rëndësishme për emërimet në institucionet e reja të drejtësisë.

Shkeljet e tij ligjore dhe kushtetuese po hetohen nga SPAK. Mësohet se dy prokurorë të SPAK e kanë nën hetim për një sërë shkeljesh.

SHKARKO APP