“Supërdeputeti” Koço Kokëdhima merr udhën drejt Gjykatës Kushtetuese

Këshilli i Rregullore dhe Mandateve në Parlament ka vendosur dje që kërkesa për heqjen e imunitetit të deputetit Koço Kokëdhima të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese. Parlamenti pritet të votojë procedurën formale këtë të enjte dhe më pas do të jetë Gjykata ajo që to të thotë fjalën e fundit. Heqja e imunitetit të deputetit socialist është kërkuar nga Partia Demokratike. Sipas opozitës, Kokëdhima ka përfituar para nga buxhetit i shtetit gjatë kohës që ka marrë detyrën e deputetit. Demokratët pretendojnë se janë 150 kontrata që bizneset private të deputetit socialist janë nënshkruar me institucionet shtetërore pas marrjes së mandati si ligjvënës i Kuvendit.

Beteja e PD-së për heqjen e mandatit të një prej deputetëve më të rëndësishëm të PS-së ka nisur në janar të vitit 2015. Në muajin prill të vitit 2015, Kuvendi me votat e mazhorancës vendosi që çështja e mandatit të Kokëdhimës të mos dërgohej në Gjykatën Kushtetuese. Ky vendim i Kuvendit hapi një procedurë të gjatë ligjore. Partia Demokratike depozitoi në Gjykatën Kushtetuese një ankesë që synonte rrëzimin e vendimit të Kuvendit. Sipas ankesës së PD-së, Kuvendi ka marrë kompetencat e gjykatës duke u shprehur për përputhshmërinë e mandatit të deputetit. Pas gati 8 muajsh, Gjykatat Kushtetueses nxori vendimin që i jep të drejtë Partisë Demokratike. “Gjykata arrin në përfundimin se për çdo shkelje të pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës, kur kërkohet konstatimi i papajtueshmërisë me mandatin e deputetit, Kuvendi është i detyruar ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila është organi i vetëm që ka kompetencën ta shqyrtojë në themel çështjen. Në raste të tilla hapësira e vlerësimit të Kuvendit lidhet vetëm me verifikimin e kritereve juridiko-formale, duke respektuar procedurat parlamentare të parashikuara në Rregulloren e këtij organi”,- thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Mbështetja politike që i dha deputetit të saj pikërisht kryeministri Rama duke mos e çuar çështjen në gjykatë, ka sjell dhe kosto, pasi rezultoi se edhe vetë Kuvendi shkeli kushtetutën duke marrë një vendim që nuk i takonte. Tashmë çështja nis nga e para, duke e lënë mandatin e deputetit në dorën e juristëve të gjykatës kryesore në vend. Kjo është mënyra më e mirë për ti dhënë fund një debati dy vjeçar ku ka pasur akuza, lobingje politike, por edhe dyshime për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë. Në ndonjë rast tjetër çështja e imunitetit nuk do të kishte shkaktuar kaq shumë procedura ligjore dhe përplasje politike. Por duke qenë se flitet për Koço Kokëdhimën, biznesmen dhe njeriu me më shumë ndikim tek Kryeministri Edi Rama, përballja e PD është direkte me kreun e qeverisë. Dhe realisht kreu i qeverisë e mori në mbrojtje deputetin e tij. Jo vetëm nuk lejoi procedura normale, por detyroi edhe deputetët e mazhorancës të vendosin që çështja të mos shkonte në Gjykatën Kushtetuese. Nëse deputeti i Vlorës ka marrë fonde në mënyrë të paligjshme këtë mund ta thotë vetëm gjykata, por për sa kohë që Partia dhe Kryeministri i garantojnë mbrojtje politike ekstra, kjo shton vetëm dyshimet. Por Koço nuk është thjesht një deputet. Ai është miku më i ngushtë i kryeministrit, “supërdeputeti” dhe “kryeministri i Jugut”, njeri me shumë influencë në media, kandidati numër një për të marrë postin e sekretarit të përgjithshëm në PS, duke spostuar Gramoz Ruçin. Pra ndonëse Gjykata duket se do të shikojë vetëm zbatimin e Kushtetutës, por nëse vendos heqjen e mandatit të Kokëdhimës, indirekt politikisht ka rrëzuar Edi Ramën. Ndaj do të ketë presion të jashtëzakonshëm mbi Kushtetuesen.

Vendimi i gjykatës është dhe një test për vetë sistemin e drejtësisë.Mbetet të shihet nëse do interpretohet ligji, apo gjyqtarët do të bëjnë siç kanë bërë gjithmonë, i japin të drejtë atij që është në pushtet.

Vendimi i Gjykatës është një precedentë edhe për rastet e tjera. Përveç Kokëdhimës PD-ja ka nisur procedurat edhe për heqjen e mandatit të deputetes Valentina Leskaj dhe deputetit Rakip Suli. Ndryshimi mes tre kërkesave lidhet me mënyrën sesi janë marrë fondet, sipas PS. Për Koço Kokëdhimën sipas padisë fondet janë marrë nga ai vet si administrator i kompanive private. Ndërsa për dy deputetët e tjerë përfitues kanë qenë të afërmit e tyre, pra nuk kanë direkt interesa private.

Koço nuk është “kockë” e lehtë për t’u gëlltitur. Është “ujk” i vjetër dhe zor se mund të ketë rënë në kurthin e ligjit, siç e akuzojnë deputetët e PD-së.

Kushtetuesja është, në këtë rast, në vendimin e saj më të vështirë, çka mund të çojë edhe në shkrirjen e gjykatës prej inatit të kryeministrit Rama, nëse mandati i Koços ikën.

SHKARKO APP