Koço Kokëdhima: Ndiq shembullin tim Z. Basha, bëhu pjesë e “Zgjidhjes”!

Edhe pse është pjesë e Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima nuk ka komplekse ta ftojë që të bëhet pjesë e lëvizjes së tij politike kundërshtarin më të madh të PS, Lulëzim Basha.

Në cilësinë e drejtuesit të Lëvizjes për reformimin e PS-së “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima i bën thirrje kreut të PD-së, Lulzim Basha, që të bëhet pjesë e lëvizjes së prezantuar më 19 janar. Reagimi i Kokëdhimës, vjen pasi partia kryesore e opozitës bëri publike nismën që baza e partisë të sjellë propozimet për kandidatët për deputetë. Sipas Kokëdhimës, kjo nismë është prezantuar dhe nga ai vetë dy muaj më parë, me moton: “Unë zgjedh deputetin që dua”.

Nisma e deputetit Kokëdhima nuk është mirëpritur nga strukturat e Partisë Socialiste. Formalisht ai është vetëm një anëtar i thjeshtë i partisë që ka ndërrmarrë një lëvizje politike në bazë, kundër drejtuesve aktualë të selisë rozë.

Nuk dihet ende si do të merret kjo ftesë për Bashën nga Kokëdhima. Është një thirrje për aleancë për zgjedhjen e deputetëve, apo mesazhi i Kokëdhimës ka edhe sinjalin për një pakt me Bashën kundër Kryetarit të Partisë Socialiste?

Statusi i plotë i Kokëdhimës në Facebook: “PD këto ditë është duke predikuar se po u kthen të drejtën qytetarëve shqiptarë, që t’i caktojnë ata vetë kandidatët për deputetë. Z. Basha perifrazon sfidën e duhur, por gjen zgjidhjen e gabuar. Ai e fton elektoratin që të bëjë propozime me shkrim për kandidatët për deputetë, por në fund do të jetë “partia”, që zgjedh. Kjo është qesharake. Ka vetëm një rrugë për t’i kthyer të drejtat popullit sovran. Atë e praktikon demokracia më e madhe në botë, SHBA-të, dhe ajo është rruga e zgjedhjeve primare. Populli duhet të zgjedhë me votë dhe jo thjesht të propozojë. Kjo është teza e lëvizjes “Zgjidhja” në PS. Z. Basha thotë: populli të propozojë, kryetarët do të zgjedhin! E ftoj kryetarin e partisë më të madhe në opozitë, z. Basha, që të bëhet pjesë e “Zgjidhjes” sime dhe të mbrojë në parlament draftin që “Zgjidhja” propozon për plotësimin e ligjit mbi partitë politike, me detyrimin e mbajtjes së zgjedhjeve primare. Vetëm kjo jep garanci që kandidatët në zgjedhje të dalin nga populli. Çdo ligjërim tjetër është kohë e humbur. Midis fjalëve dhe veprave, zoti Basha ka zgjedhur që të bëjë vetëm fjale dhe t’u hedhë njerëzve hi syve. Është koha që t’ua imponojmë primaret kryetarëve që i kanë kthyer partitë në çifligje të tyre!“.

SHKARKO APP