Koço Kokëdhima: PS shkatërroi zgjedhjet. PD ra në gropën që i hapi Rilindja

Kryetari i partisë ZGJIDHJA Koço Kokëdhima lëshoi akuza të forta ndaj Partisë Socialiste dhe kryetarit të saj Edi Rama të cilët i akuzoi si shkaktarët e shkatërrimit të zgjedhjeve të 25 qershorit, të cilat siç tha ai, u deformuan nga paratë e drogës dhe krimit në pushtet.

Si nismëtar i lëvizjes për bojkotimin e këtyre zgjedhjeve Kokëdhima evidentoi në aktivitetin e kësaj partie, se në gropën që hapi “Rilindja” ra dhe vetë Partia Demokratike.

Në vijim ai paralajmëroi se forca që ai drejton do të jetë në opozitë me Rilindjen dhe i ftoi të gjithë partitë e spektrit opozitar që të bashkohen me ZGJIDHJEN dhe ta mbështesin programin e saj kundër qeverisë së PS-së.

Koço Kokëdhima: Rilindja shantazhon e përndjek aktivistët e “Zgjidhjes”, por ne nuk gjunjëzohemi

Kryetari i partisë ZGJIDHJA Koço Kokëdhima u shpreh se pushteti që është vetëquajtur Rilindje vazhdon shantazhin dhe përndjekjen ndaj aktivistëve të “ZGJIDHJA”, vetëm për shkak të pikëpamjeve të tyre politike dhe filozofike.

“Dëshiroj të falënderoj nga zemra ata mijëra të rinj e të reja, burra, gra dhe të moshuar të Shqipërisë që ju bashkuan Zgjidhjes, mirëpritën projektin, tezat, idetë, çështjet dhe kauzat e saj dhe u bënë anëtarësia e parë e partisë tonë. Unë dhe të gjithë drejtuesit e lartë të ZGJIDHJA-s ju jemi mirënjohës të gjithë veprimtarëve mendjehapur e besnikë që u përfshinë vendosmërisht në aksionet tona politike dhe mbushën sallat e takimet e Zgjidhjes duke refuzuar me vendosmëri kërbaçin dhe kulaçin e cubave dhe sekserëve të pushtetit. Ne nuk do ta harrojmë kurrë sjelljen primitive  dhe mizore të pushtetit ndaj mbështetësve dhe aktivistëve të Zgjidhjes në fillimet e saj. Në shumë raste njerëzit tanë u përndoqën, u pushuan nga puna, u shantazhuan dhe u goditën pa mëshirë. Disa të tjerëve ju ndërprenë karrierat, ju hoqën funksionet e postet që mbanin, ju hodhën në shpinë gjithë njerëzit e shtetit dhe ju bënë dëme të mëdha vetëm e vetëm për shkak të pikëpamjeve të tyre politike dhe filozofike.

Ne jemi krenarë për të gjithë veprimtarët e shquar të Zgjidhjes që nuk u trembën dhe nuk u gjunjëzuan nga presioni dhe dhuna e lidershipit të Rilindjes, nuk u zbrapsën, nuk u tërhoqën, nuk u mposhtën, nuk u thyen, por e ruajtën dinjitetin dhe vetëvlerësimin dhe ngritën bazat e strukturës sonë politike në fare pak muaj. Ne, gjithashtu, nga lartësia e këtij podiumi, ju adresojmë vlerësimet më të shkëlqyera të gjithë atyre qytetarëve që nuk e kanë humbur shpresën se Shqipëria do të bëhet, që nuk u korruptuan dhe nuk u shitën te njerëzit e këtij pushteti që blejnë e shesin me para shpirtrat, votat, mbështetjen, të sotmen dhe të ardhmen e këtij populli. Këta qytetarë të ndritur besojnë te e ardhmja e ideve dhe kauzave të Zgjidhjes”, tha Koço Kokëdhima.

 Koço Kokëdhima: ZGJIDHJA ka 20 mijë anëtarë, s’ka lidhje me partitë e vjetra mafioze

Kryetari i partisë ZGJIDHJA Koço Kokëdhima u shpreh në fjalën e tij se subjekti politik që udhëheq ka 20 mijë anëtarë dhe se këto persona janë anëtarësuar falë kontributit të shumë personave. Kokëdhima ka theksuar se ZGJIDHJA nuk ka lidhje me partitë e vjetra, për të cilat tha se kanë struktura mafioze e të kriminalizuara.

“Zgjidhja ka anëtarësuar 20 mijë persona nga të gjitha moshat e profesionet, të rinj e të reja nga qyteti e fshati, nga shkollat e mesme dhe të larta, burra, gra e të moshuar kryesisht në Tiranë, Elbasan, Vlorë, Athinë, Fier, Korçë, Durrës, Shkodër, Lezhë e gjetkë. Kjo anëtarësi e parë do ta zgjerojë e fuqizojë me shpejtësi të madhe mbështetjen për kauzat tona dhe strukturat e Zgjidhjes në të gjithë Shqipërinë dhe në emigracion. Ne kemi parë e  njohur edhe njerëz të dobët e pa respekt për veten e tyre, individë pa ideale që shëtisin njëkohësisht sa në një parti në tjetrën, vetëm e vetëm për t’u shitur më shtrenjtë, për të nxjerrë ndonjë përfitim të çastit apo për të rritur çmimin e marrëveshjeve që bëjnë me trafikantët e votave. Jemi dëshmitarë edhe të rasteve kur na janë afruar njerëz të futur nga pushteti për diversion dhe për të na dëmtuar nga brenda në punën tonë. Njihini mirë njerëzit dhe mos humbni kohë me ata që janë të tillë.

Zgjidhja nuk do të blejë kurrë vota e pushtet, komisionerë e numërues, nuk do të premtojë kurrë vende pune në administratën e shtetit në këmbim të aktivizmit dhe mbështetjes politike, nuk do të përdorë pushtetin dhe të mirat publike për vota apo për para dhe nuk do anëtarësojë kurrë njerëz me premtime të paligjshme. Asnjë nuk duhet ta ngatërrojë Zgjidhjen me partitë e vjetra të Shqipërisë. Ne nuk kemi asgjë të përbashkët me to. Partitë e vjetra shqiptare janë struktura mafioze thellësisht të kriminalizuara, janë organizata me aktivitet shkatërrimtar për themelet e shtetit, administratën publike dhe të gjitha vlerat e shoqërisë shqiptare. Zgjidhja do të luftojë vendosmërisht e pa kompromis me të keqen që ka mbërthyer këtë vend. Kush mendon ta shesë aktivizimin dhe mbështetjen politike me lekë droge dhe korrupsioni, me favore të paligjshme, me tendera dhe vende pune në shtet, me miell, keca, desh e karburant, me leje ndërtimi dhe legalizimi të paligjshme unë i them këtyre njerëzve: Mos ejani te Zgjidhja! Zgjidhja nuk ka vend për veset tuaja! Zgjidhja i refuzon kategorikisht këto lloj mëkatesh!

Asnjë person që e koncepton politikën kështu, nuk është i mirëpritur te Zgjidhja! Kush kërkon nga partia këto lloj privilegjesh e përfitimesh le të shkojë te Rilindja dhe te partitë e vjetra të Shqipërisë! Zgjidhja kërkon të bëjë katharsisin e shoqërisë dhe institucioneve të shtetit shqiptar, katharsisin e thellë e të plotë të elitës politike të vendit. Kush dëshiron të vijë te Zgjidhja dhe me Zgjidhjen duhet të pastrojë shpirtin nga këto vepra e ndikime të dënueshme që e kanë ndihmuar klasën politike të korruptuar të Shqipërisë që të shkatërrojë shtetin tonë dhe ta vërë atë në shërbim të mafies së krimit, korrupsionit dhe marijuanës”, tha Koço Kokëdhima.

SHKARKO APP