Kokëdhima: Shqipëria, superlavatriçja e parave të pista të Qeverisjes së Rilindjes

Partia ZGJIDHJA e drejtuar nga Koço Kokëdhima, e cilësoi Shqipërinë, superlavatriçe të parave të pista të Rilindjes. Në një deklaratë për mediat, partia e Kokëdhimës i referohet renditjes së Shqipërisë në Indeksin Kundër Pastrimit të Parave, hartuar nga Instituti i Bazelit për Qeverisje. Shqipëria ishte sivjet në vendin e 85-të për pastrimin e parave, ose mes 15 vendeve me rrezik më të lartë në Europë dhe Azinë Qendrore.

ZGJIDHJA e Kokëdhimës deklaron se qindra milionë euro me prejardhje nga trafiku i drogës dhe krime të tjera, hynë në ekonominë kombëtare, u pastruan dhe u përdorën si oksigjen për një vend që eksporton vetëm drogë dhe krim.

“Një tjetër “sukses madhështor” i qeverisjes së Rilindjes. Një tjetër medalje turpi në gjoksin e kryeministrit Edi Rama. Pas renditjes në vend të parë si vendi me superprodhim kanabisi, vendi me më shumë azilkërkues ndër vendet që nuk janë në luftë, të emigrantëve për numër popullsie, të kufizimit të lirive ekonomike dhe politike, mjerimit, skamjes dhe shpresëvrarëve, Shqipëria është shndërruar në superlavatriçen e parave të pista të krimit dhe mafies. Analiza për  Indeksin Kundër Pastrimit të Parave, hartuar nga Instituti i Bazelit për Qeverisje, e renditi sivjet Shqipërinë në vendin e 85-të , ose mes 15 vendeve me rrezik më të lartë në Europë dhe Azinë Qendrore, që do të thotë se në vend ka vijuar pastrimi i parave të pista, korrupsioni në ekonomi dhe rreziku që këto të ardhura të përdoren edhe për terrorizmin”,- thuhet në deklaratë.

Kokëdhima shton se kjo sasi e pamasë parash të pista gremisi edhe monedhën e përbashkët europiane dhe valutat e tjera, sepse ato u përdorën për të blerë votat e 25 qershorit, që do t’i jepnin Rilindjes edhe një mandat tjetër qeverisës. “Ky është një rezultat që nuk i surprizon shqiptarët. Nën qeverisjen e Rilindjes, qindra milionë euro me prejardhje nga trafiku i drogës dhe krime të tjera, hynë në ekonominë kombëtare, u pastruan dhe u përdorën si oksigjen për një vend që eksporton vetëm drogë dhe krim. Kjo sasi e pamasë parash të pista gremisi edhe monedhën e përbashkët europiane dhe valutat e tjera, sepse ato u përdorën për të blerë votat e 25 qershorit, që do t’i jepnin Rilindjes edhe një mandat tjetër qeverisës”,- shprehet Kokëdhima.

Ai shton se ekonomia është me keq sesa në kohën kur ishte Sali Berisha në pushtet. Kokëdhima hodhi akuza të ashpra ndaj qeverisë së PS, ku dikur ishte vetë pjesë. Sipas tij, ekonomia drejtohet nga një grusht mafiozësh dhe tutorësh. “ZGJIDHJA deklaroi shumë kohë më parë se kjo do të ndodhte, se nga kjo ekonomi kriminale nuk përfitojnë aspak shqiptarët e thjeshtë, por një grusht mafiozësh dhe tutorët e tyre në pushtet. Këtë e dinë shumica e shqiptarëve që thonë se ekonomitë e tyre familjare janë më keq se katër vite më parë kur iku Saliu nga pushteti, se shteti nuk ofron asnjë mbështetje për shtresat në nevojë dhe se mundësia e vetme për të mbijetuar për gjysmën e shqiptarëve janë të ardhurat nga emigracioni”,- shprehet Kokëdhima.

Duke bërë parashikime për qeverisjen e re të PS, Kokëdhima thotë se pastrimi i parave do të vijojë edhe më shumë gjatë këtyre viteve. “ZGJIDHJA është e bindur se me këtë ekip qeverisës dhe me këtë kryeministër, vitin tjetër krimi dhe pushteti i lidhur me të do të pastrojë edhe më shumë para se tani, se shqiptarët do të jenë edhe më të varfër dhe se vendi do të jetë edhe më i rrezikuar përballë sfidave të terrorizmit. Kjo Shqipëri me stabilitet fasadë, do të jetë një minë me sahat dhe një fushë e lirë për krimin e organizuar dhe terrorizmin në Ballkanin Jugperëndimor.”,- shprehet Koço Kokëdhima.

SHKARKO APP