Kokëdhima sulmon Carlo Bolinon

Ka filluar prej muajsh një luftë mes botuesve Kokëdhima dhe Bolino. Në përfundim të zgjedhjeve për kreun e ri të degës së PS-së në Vlorë, ku fitoi kandidati Anduel Tahiraj, deputeti i PS-së dhe koordinatori i qarkut Vlorë-Gjirokastër, Koço Kokëdhima, sulmoi edhe botuesin e shqiptarja.com dhe Report Tv, Karlo Bolinon, dikur ish-ortak i tij.

Kokëdhima e ka cilësuar Bolinon si një spekulant dhe mashtrues. Sulmi i Kokëdhimës erdhi pasi mediat e Bolinos akuzonin kandidatin e Himarës, Ilir Gjicali, se është person me precedent penalë dhe se mbështetet edhe nga Kokëdhima. “Jam informuar mbrëmë për një publikim që bënë mbrëmë mediat e Bolinos, ku e paraqesin Ilir Gjicalin si njeriun tim, si të përzgjedhurin tim dhe si njeriun që është mbrojtur me zjarr dhe me këmbëngulje .

Së pari, dëshiroj të them se Bolino është një gazetar perëndimor, ka përvojë punë në “Ansa” dhe ndoshta edhe në gazeta të tjera në tregun e shtypit italian dhe e di mjaft mirë se të shpërndash intriga, spekulime dhe mashtrime është një mëkat jo i vogël për njerëzit që bëjnë media. Fakti që Bolino, jo vetëm në këtë rast, por edhe në raste të tjera, merret me intriga dhe shpërndan informacione tërësisht të pavërteta, tregon se ai është i motivuar në interesa për t’u përfshirë në këto intriga dhe shpifje. Gjicali si qytetar është i imi aq sa është i Nishanit, sa është i Ramës, sa është i Metës, aq sa është i Berishës, aq sa është i çdo shqiptari tjetër. Si socialist, Gjicali është i imi aq sa është i Ramës, sa është i Rucit, sa është i çdo socialisti dhe drejtuesi të PS-së tjetër. Ai ka qenë aktivist i PS-së përpara se sa unë të vija në PS dhe në politikë”, tha Kokëdhima.

Më tej Kokëdhima, ka shtuar se: “Unë i kam njohur që të dy, edhe Bolinon edhe Gjicalin, dhe mund të them opinionin tim se Gjicali është një burrë me shumë vlera, madje qëndron shumë më lart nga vlerat e veta se sa Bolino. Kështu që nuk mendoj se duhet të bëhet rasti i tij një rast për sulme të paprecedenta, as për llogari të sulmeve që bëjnë ndaj meje kundërshtarët e mi politikë, dhe as për arsye të tjera”.

Para disa muajve Kokëdhima dhe Bolino kishin një televizion të përbashkët, por që Koço e nxori Carlon duke mos dhënë asnjë shpjegim publik. Por habia është se të dy, Carlo Bolino dhe Koço Kokëdhima , janë miq të Kryeministrit  Rama dhe duket paksi si habi se si janë në luftë të hapur mediat e të dyve.

Carlo Bolino mbetet një nga botuesit më me përvojë në shtypin e shkruar shqiptar, krahas “Koha Jone” dhe botuesit të Albania Ylli Rakipi. Duhet theksuar se Carlo Bolino e ka ngritur gjithçka në media me krahët e mendjen e tij.

SHKARKO APP