Kodi i ri Zgjedhor/PS: Të mbyllen portalet anonime për fushatë
Të gjitha portalet online që nuk janë të regjistruara dhe nuk njihen nga bordi i monitorimit të mediave, nuk do lejohen të bëjnë fushatë elektorale. Ky është një ndër propozimet e Partisë Socialiste, dorëzuar në komisionin e reformës zgjedhore. Sipas PS, portale anonime do të mbyllen nga shteti nëse bëjnë propagandë gjatë muajt të fushatës.
“Ndalohet përdorimi i portaleve elektronike të pakontrolluara nga Bordi i Monitorimit të Mediave për propagandë zgjedhore. Autoritet shtetërore marrin masa për mbylljen gjatë fushatës zgjedhore të portaleve elektronike të paregjistruara të cilat përhapin propagandë zgjedhore, zhvillojnë sondazhe pa respektuar rregullat e këtij kodi, apo kalojnë kufirin e informimit dhe konsiderohen propagandë zgjedhore”,- thuhet në nenin 10 të amendamentit të PS.
Një nismë e tillë e Partisë Socialiste vjen në momentin kur është vënë re një shtim i portaleve të lajmeve. Në një studim të disa muajve më parë numëroheshin rreth 800 portale në Shqipëri, të cila si rregull duhet të shërbejnë për informim. Por vetëm një pjesë e vogël e tyre plotësojnë kriteret etike dhe normat ligjore.
Problemi i parë dhe më kryesor është anonimati. Janë portale pa adresë zyrtare, pa emër botuesi apo gazetarësh. Lajmet janë anonime. Përveç autorësisë shpesh herë lajmet nuk kanë asnjë element profesional gazetaresk dhe rezultojnë sajesa ose shpije ndaj individëve të caktuar dhe personazheve publikë. Janë lajme të rreme që po me të njëjtën skemë sponsorizohen edhe në rrjetet sociale duke ju servirur publikut si “raportime” profesionale. Ndërkohë që financimi i tyre është i pazbardhur, për sa kohë nuk dihet se kush i ka në pronësi.
Portale të tilla u kthyen në një problem real edhe për fushatën e zgjedhjeve në SHBA. Studimet e institucioneve të mediave në Amerikë arritën në përfundimin se shumica votuesve, gjatë fushatës ishin informuar më shumë me lajme të rreme nga portale të tilla dhe jo me raportime nga mediat serioze.
Ky problem i hasur në SHBA duket ka sjellë dhe reflektimin e politikës shqiptare. Mbetet të shihet sesi do të realizohet konkretisht në Kodin Zgjedhor kjo nismë dhe a do të përkrahet nga partitë e tjera. Gjithsesi, një propozim i tillë për rregullimin e tregut të medias online duhet të ishte në funksion, sipas ligjeve të BE-së, jo vetëm gjatë fushatës elektorale por gjatë gjithë kohës.
Veç mediave online, PS ka propozuar ndryshime edhe për posterat elektoralë, ku numri i posterave që çdo parti apo subjekt do të vendosë do të varet nga votat që ka marrë në zgjedhjet e kaluara dhe drejtuesi lokal do të caktojë 3 muaj para zgjedhjeve vendet ku do afishohen këto postera elektoralë.
Posterat nuk duhet të jenë më të mëdhenj se 50 me 50 cm, ndërsa flamujt nuk duhet të vendosen më larg se 10 metra nga zyrat e partive. Gjithashtu ndalohet prodhimi dhe shpërndarja e shkrepësve, çakmakëve , apo mjeteve të ngjashme ndezëse për propagandë elektorale.