Koka në Stamboll, trupi në Janinë dhe turpi në Tepelenë!
Nga Ben Manaj
Së fundmi, sërish isha në Janinë për herë të dytë, thjesht si një tepelenas i apasionuar pas figurës sa karizmatike aq edhe kontraverse të të madhit Ali Pashë Tepelena, sundimtarit unikal të Epirit, siç e quajnë grekët e atjeshëm atë pjesë të botës, të cilëve duket se historia u fillon dhe mbaron krenarisht me figurën dhe gjithçka që simbolizonte Ali Pasha!
201 vjet më parë, është dita e vrasjes së tij në 1822!
Te varri i tij përballë Xhamisë Fetije në kalanë e Janinës i mbuluar me kuvli hekuri, sikur kanë frikë nga çlirimi dhe gjëma që mund të shkaktojë ringritja e tij, edhe pse u solla vërdallë disa herë në kërkim të një dedikimi se i kujt është ky varr edhe pse shumica e turistëve shkojnë atje për ta parë varrin pa kokë të njeriut që armiqësoi Portën e Lartë, por krijoi një vilajet indipendent, vetëm një shenjë në formë dritareje tregonte se ndodhej varri i tij!
E nëse nuk ishe tejet i kujdesshëm do e humbje orientimin dhe njohurinë për vendndodhjen e varrit të tij!
Edhe pse Ali Pasha është njeriu që të kujton si i dyti, një udhëheqës shqiptar, në errësirën e stërgjatur otomane, pas Skenderbeut, ai padyshim mbetet dipllomati i parë tipik shqiptar që u mor me Napolonin, Mbretin e Anglise, Carin e Rusisë e padyshim Portën e Lartë!
Edhe pse aktivitetin e tij politik e ushtarak e ushtroi në Janinë, një zonë e padefinuar qartë si pjesë e Greqisë siç është sot, ka aq shumë relike, muzeume deri te llulla e tij e famshme në ishullin në mes Liqenit të Janinës, thënë kjo, ai njihej si Ali Pashë Tepelena, e jo Janina, sepse ishte prej andej, një e hedhur guri larg nga fshati i gjyshërve të mi, sërish ndihesh tmerrësisht keq sa pak ne në Shqipëri kemi për një figurë të tillë të privatizuar nga grekët!
Kemi një kala e cila se fundmi është mirëmbajtur por që ka nevojë të kthehet në një Mekë të krenarisë shqiptare përmes shndërrimit të saj në një qendër të vërtetë muzeale!
Dhe kjo fillon me rindërtimin e Sarajeve ku ai jetonte kur qëndronte në Tepelenë e deri te rikonceptimi i Kalasë e cila mund të shndërrohet të paktën sa gjysma e asaj të Janinës! Maketet ekzistojnë të këtyre sarajeve! Shumë artefakte dhe relike, armë, jatagane a veshje të kohësh, jam i sigurt se ekzistojnë nëpër Shqipëri nga ajo periudhë. Sepse s’ka përse një pikturë e jashtëzakonshme e një piktori modern shqiptar Agim Sulaj nga Vlora, të jetë në Muzeun e Ali Pashës në Janinë e jo në Tepelenë, ku nuk ekziston!
Falë Zotit marrëdheniet i kemi shumë të mira me Stambollin dhe mund të gjurmojmë dhe kërkojmë shumë objekte dhe dokumente në arkivat otomane nga ajo kohë, përse jo akoma më me ngulm se Berisha, edhe kokën e Ali Pashës, të cilën turqit nuk është se e kishin xhan!
Edhe ca elemente nga aktiviteti dhe ndërveprimi i tij politiko-diplomatik me qendrat e mëdha të vendimarrjes së kohës, përfshi edhe ato britanike si ato me Lordin Bajron, shumë lehtë mund të përbëjnë pjesë të këtij muzeu në Kalanë e Tepelenës, për njeriun më të famshëm të këtij qyteti dhe ndër më të njohurit në Shqipëri!
Edhe pse qeveria aktuale ka bërë jo pak për kalanë e Tepelenës, por kjo është shumë pak nga sa kërkohet dhe janë mundesitë!
Por kjo iniciativë do vizion kulturor, dhe dashuri qeveritare përtej asaj edhe ndaj Tërmet Peçit apo Mero Bazes se per mua s’ka e s’ka, që udhëheqësi artist i Shqipërisë s’po di ta prioritarizojë sa duhet trashëgiminë e saj historike dhe të një qyteti dhe birit të saj të lavdishëm, që as turqit as grekët nuk ia hoqen dot fjalën Tepelena nga emri i tij!
S’kemi pse lodhemi aq shumë për fshatra turistike nëpër humbëtira shqiptare kur kemi kryeqendra historike e turistike të shndërruara në fshatra, aq turistike si Tepelena të cilës i kalojnë tangent shqiptarë e të huaj!