Kokëdhima dhe “Varka” Rama-Meta
Autoriteti i “kryeministrit të jugut” është si ajo poezia e Majakovskit, por e shqiptarizuar :“Kur themi Koço nënkuptojmë Edin dhe kur themi Rama nënkuptojmë Kokëdhimën”.
Të gjithë shohin të dalë tymi i sherrit mes koalicionit të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Deri tani tymi është i zi. Reforma në Drejtësi, e jo vetëm kjo, i ka vënë dy aleatët në pozicione pothuaj të kundërta, aq sa gazetarë afër dy kryetarëve kanë nisur të flasin hapur për krizë serioze të koalicionit dhe skenarë rezervë të Ramës dhe Metës.
Kur duket se situata ndryshon përditë dhe takimet Rama-Meta vetëm sa shtojnë zërat për krisje, një prej njerëzve me peshë të veçantë politike në Partinë Socialiste ka marrë sërish rolin pajtuesit të “gjakrave”. Koço Kokëdhima është shfaqur dje në Vlorë në një takim me strukturat e PS-së. Ka qetësuar militantët e majtë për koalicionin, por edhe ka dhënë mesazhe me anë të mediave në Tiranë. Pra ka shkuar në Vlorë që t’i flasë Tiranës!
I pyetur nga gazetarët në jug të vendit lidhur me marrëdhëniet në koalicion, koordinatori i jugut dhe deputeti i qarkut të Vlorës ju tha se nuk ka mosmarrëveshje PS-LSI. Sipas tij, divergjencat për reformën në drejtësi janë krejtësisht normale. “Është një proces i komplikuar. Është shumë normale që për një reformë të tillë partitë të kenë diferenca, të kenë ide të ndryshme siç mund të kenë ide të përbashkëta”,- tha Kokëdhima. Dhe Koço është lideri shpirtëror i PS-së së sotme ose numri dy de facto në selinë rozë. Nuk duhet harruar ky fakt.
Duke folur për bashkëpunimin PS-LSI dhe marrëdhënien Rama-Meta, “supërdeputeti” Kokëdhima u shpreh i bindur se bashkëpunimi i ngushtë Rama-Meta do të vijojë. “Jemi në një koalicion, jemi pjesë e së majtës së bashkuar dhe do të shkojmë gjithmonë përmes një bashkëpunimi të ngushtë dhe do t’i afrohemi qëllimeve tona”,- tha Kokëdhima.
Në këto kohë debatesh për reformën në drejtësi, ku çdo palë dyshon se tjetra, vetëm Koço Kokëdhima nuk ka dyshime në funksionimin e koalicionit. Ndryshe nga deklaratat e shumë të tjerëve në Partinë Socialiste, qëndrimet e deputetit Kokëdhima ia vlen të merren në konsideratë. Kjo pasi është njeriu më i afërt i Kryeministrit Edi Rama. Ka aq ndikim te kreu i qeverisë, sa e bindi të lërë në hije Gramoz Ruçin dhe të mos pyesë grupin parlamentar dhe Kryesinë e Partisë, por vendosi shtyrjen e kongresit. Një tolerancë të tillë, asnjë kryetar në PS nuk e ka bërë për një deputet. Për shumë veta në Partinë Socialiste, kur flet Kokëdhima është njëlloj sikur të ketë folur Edi Rama. Autoriteti i “kryeministrit të jugut” është si ajo poezia e Majakovskit, por e shqiptarizuar :“Kur themi Koço nënkuptojmë Edin dhe kur themi Rama nënkuptojmë Kokëdhimën”.
Sa herë ka një krizë dhe dyshime mes aleatëve të majtë, në skenë del gjithmonë deputeti i Vlorës. Ndaj dhe në këtë rast deputeti i Jugut duket se ka marrë përsipër të afrojë palët që i ndajnë qëndrimet për reformën dhe jo vetëm edhe për reformën. Mesazhin e parë e ka dhënë dje, duke tentuar të largojë çdo hije dyshimi për probleme mes koalicionit. Madje, sipas tij Rama e Meta janë miq dhe koalicioni do të shkojë drejt një bashkëpunimi më të ngushtë. Thuhet se po orvatet të organizojë një darkë mes të dyve në Vlorë, Qeparo, ku ai të jetë darka-ftuesi , kurse Meta e Rama të negociojnë nën shoqërinë e “supërdeputetit”.
Por kur “varka” ka futur ujë dhe vrimën e ka hapur vetë PS me anë të prapaskenave, duket se LSI e ka gati gomën e shpëtimit për të dalë në breg të detit, ndërkohë që Koço rri në majë të varkës me shikimin nga Zona e Bregut.