Kokëdhima: Policia mbolli kanabisin. Unë (Koço) shpejt do jem kryeministër

Themeluesi i partisë ZGJIDHJA, Koço Kokëdhima, i ftuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu është shprehur se situata e mbjelljes së kanabisit është një realitet që dihet nga të gjithë.

 “Nuk kam qenë unë që kam bërë Shqipërinë si vend të kanabisit. Kanabisin e bënë zyrtarët e lartë të shtetit, e bënë drejtorët e policisë, që kanë bashkëpunuar me krimin. Nëse dikur kishim një Lazarat, tashmë e gjithë Shqipëria është mbjellë. Është e rëndë që punonjës të Policisë së Shtetit të bashkëpunojnë me kanabistët dhe gjithashtu edhe me fshatarët. Nuk ka qenë ndonjëherë situata kaq e rëndë e mbjelljes së kanabisit në vend”, tha Koço Kokëdhima.

 Kokëdhima u shpreh se ka kontribuar gjithmonë për bashkimin e të majtës në Shqipëri.

“Unë kam qenë gjithmonë i majtë. Mendoj se e majta në vend përbën shumicën. Populli shqiptar është i majtë në bindje. Kjo e majtë që është shumicë dërrmuese për fat të keq është tradhtuar. Pushteti vetëm ka manipuluar popullin shqiptar. Aktualisht, jam i zhgënjyer nga klasa politike sepse ajo është duke tradhtuar interesat e bazës. Kam qenë dhe do të jem gjithmonë që e majta të mund të bashkohet fuqishëm dhe kështu do të ishte e fortë. Por mendoj se e majta shqiptare përfaqësuese ka tradhtuar idealet e popullit”, tha Kokëdhima.

Ai tha se ata që drejtojnë sot PS nuk kanë lidhje me të majtën dhe me Partin Socialiste: “E kam për Edi Ramën, e kam për ekipin e tij drejtues, për gjithë grupin e tij qeverisës që e kanë arratisur PS nga shinat e së majtës. PS e ndan një hendek i tërë me popullin dhe me të majtën”, është shprehur Kokëdhima.

Më tej Kokëdhima është shprehur se në 4 vitet e fundit PS është kthyer në një degradim dhe nuk është parti politike me standarte.

Ai theksoi se vendi drejtohet nga një kastë politike.

“Ne drejtohemi nga një kastë politike. Kjo kastë ka pushtuar popullin shqiptar. Shqipëria është ndoshta vendi i vetëm ku deputeti i Lezhës shkon në Korçë dhe ai i Korçës shkon në Lezhë. Gjithashtu jemi ndër të vetmit vend ku kryetari i partisë vendos për gjithçka dhe ai i vendos se kush do të jetë deputet dhe kush nuk do të jetë. Kjo është e rëndë. Unë kam qenë një njeri që kam qenë në opozitë me kryeministrat shqiptarë me radhë. Unë jam një biznesmen i suksesshëm, që jam goditur nga ana e shumë pushteteve. Unë jam një njeri antikastë. Ne jemi i vetmi vend në botë ku vidhen votat”, tha Koço Kokëdhima.

“Baza e Partisë Socialiste është tradhtuar nga ana e bazës së saj. Edi Rama, por edhe liderët e tjerë politikë në vend kanë tradhtuar idealet e bazës. Unë jam për reformimin e PS, për të diskutuar brenda kësaj partie politike. Unë kam publikuar pikëpamjet e mia gjatë 3 viteve që jam aktiv në politikë. Unë kam parë aty se PS ishte e shkatërruar prej udhëheqjes së vet, atyre që ishin në krye të partisë”, tha Koço Kokëdhima.

Në fund ish-deputeti i PS-së Kokëdhima deklaroi me solemnitet para Fevziut se ai, pra Koço Kokëdhima do jetë së shpejti kryeministri i Shqipërisë.

-Ju kryeministër?!- e pyeti disa here Blendi Fevziu dhe ish-deputeti u përgjigj:

-Popo, unë do jem!

Pas këtij pohimi drejtuesi  mbylli emisionin.

SHKARKO APP