Kokëdhima, Edi Ramës: Njërëzit po ikin jo nga qejfi, por nga halli ekonomik
Në një deklaratë ZGJIDHJA sjell në vëmendje eksodin e madh të shqiptarëve, duke theksuar se shqiptarët po ikin për shkak të keqqeverisjes, që vihet re çdo ditë e më shumë. Koço Kokëdhima, lideri i ZGJIDHJA, dikur mik i ngushtë i Edi Ramës, sot ka lëshuar një tjetër deklaratë, kundër politikave dhe qeverisjes se Edi Ramës.
Deklarata e plotë e ZGJIDHJA
Prej disa kohësh, Policia e Shtetit, po bllokon në kufi dhe në aeroport shtetasit shqiptarë që duan të shkojnë në vendet e Traktatit të Shengenit. Atyre ju kërkohen dokumente të personave pritës, biletat e kthimit, mjete të mjaftueshme monetare për ditët e qëndrimit etj, etj. Dhjetra persona janë kthyer mbrapsh nga autoritetet policore shqiptare duke u vlerësuar si qytetarë që duan të ikin për të mos u kthyer më.
ZGJIDHJA e refuzon këtë politikë që po ndjek qeveria me shtetasit tanë në përpjekjet e saj të dëshpëruara që të bllokojë e mbulojë eksodin tragjik me mjete e metoda policore. Kryeministri nuk angazhohet seriozisht për të trajtuar problemin, qoftë edhe një herë të vetme, me ndershmëri e kompetencë. Ai dhe qeverisja e tij janë shkaku i këtij eksodi.
ZGJIDHJA e ka të qartë se qeveria do të dështojë siç dështuan të bllokonin eksodin në mënyra të ngjashme qeveritë në fillimvitet ’90. Shqiptarët kanë humbur çdo shpresë te qeveria dhe te atdheu i tyre. Qeveria dhe kjo elitë politike e mbushur me kusarë dhe tutkunë të paaftë, injorantë e të pashkolluar, nuk e kuptojnë se shqiptarët nuk po ikin për turizëm, por për mbijetesë. Nuk ikin nga qejfi, por nga halli. Nuk po ikin te të afërmit e tyre për t’u çmallur, por për t’u përballur me jetën e vështirë të emigrantit, edhe pse e dinë se do të përfundojnë në kampet masive të azilkërkuesve në Francë, Gjermani apo Britaninë e Madhe.
Ndofta jemi i vetmi vend që në paqe ka më shumë se 40 për qind të shtetasve të vet në emigrim ndërkohë që në shkallë botërore ka emigruar vetëm 3 për qind e popullsisë së botës. Kështu edhe në vitin 2017, plot 27 vite pas eksodit të parë masiv të shqiptarëve që dolën nga diktatura komuniste, njerëzit duan të ikin nga tirania e skamjes dhe mjerimit, korrupsionit dhe padrejtësive që sundon në këtë vend; nga brutaliteti dhe despotizmi i një qeverisjeje të pashpirt e mizore, antidemokratike dhe antipopullore që shtyp çdo ditë popullin e vet dhe shërben, mbron dhe pasuron vetëm një grusht oligarkësh në kurriz të tij.
Sa kohë që këtu do të sundojë kjo elitë politike, shqiptarët nuk mund të jetojnë në vendin e tyre. Sa kohë që këtë vend do ta qeverisë Rama dhe oligarkia e korrupsionit, këtu s’ka vend për shqiptarët, ndaj ata do të ikin nga sytë këmbët.
ZGJIDHJA po punon për ta rrëzuar dhe përmbysur këtë elitë politike. Nëse nuk ikin këta, këtu, pas disa vitesh do të mbeten vetëm disa qindra mijëra pleq dhe të sëmurë, më shumë kriminelë, të marrët dhe të paaftët, fëmijë të vegjël që i kanë prindërit të divorcuar ose në emigracion dhe ata që s’kanë mundësi të ikin.
ZGJIDHJA u bën thirrje shqiptarëve: mos e braktisni vendin e të parëve, mos u dorëzoni. Qëndroni këtu dhe të bëhemi barrikadë përballë të keqes që nuk do t’i ketë ditët të gjata nëse i tregojmë forcën tonë! Të përballemi me këtë qeverisje që ka shkatërruar mirëqenien dhe ekonominë e shqipërisë, zgjedhjet e lira dhe themelet e shtetit e të demokracisë kushtetuese!
ZGJIDHJA ka besimin absolut se Shqipëria do ta ndalë eksodin vetëm me një rrugë tjetër, me qeverisje të mirë e të pastër, me zhvillim të lartë ekonomik e punësim, me investime të suksesshme e të mençura private dhe publike, duke luftuar pabarazinë dhe varfërinë, duke instaluar lirinë e konkurencës në ekonomi, politikë, administratë dhe kudo.
ZGJIDHJA ju kërkon partnerëve strategjikë të Shqipërisë, SHBA-ve, BE-së dhe Britanisë së Madhe të mos privilegjojnë stabilitetin momental duke sakrifikuar standardet demokratike të qeverisjes së Shqipërisë. Standardet demokratike do të garantojnë stabilitet afatgjatë dhe zhvillim të qëndrueshëm e të shpejtë.
Qeveritë e vendeve europiane janë duke gabuar kur besojnë te gënjeshtrat e kryeministrit tonë se me demek, ky, me masa policore do bllokojë azilantët të ikin në Francë e gjetkë. Franca dhe Gjermania duhet ta dinë se kryeministri ynë, si një nga frymëzuesit, arkitektët, mbështetësit dhe eksponentët e oligarkisë së korrupsionit dhe elitës politike që kanë kapur partitë, shtetin dhe gjithçka në këtë vend, punon për ta zbrazur Shqipërinë nga forcat e afta, nga rinia, nga njerëzit e zotë e të lirë.
ZGJIDHJA apelon autoritetet franceze e gjermane që të mos e mbështesin kursin policor e demagogjik të Ramës. Kjo ju shkakton vuajtje të reja qytetarëve të Shqipërisë. Si vende partnere të Shqipërisë, Franca dhe Gjermania duhet ta kuptojnë se qytetarët shqiptarë nën qeverinë aktuale po përballen me sfidat e mbijetesës dhe me varfërinë e mjerimin më ekstrem. Qeveritë e tyre duhet t’i ndihmojnë shqiptarët që janë në kampet e refugjatëve dhe azilantëve të integrohen në shoqëritë e tyre dhe të mos i kthejnë mbrapsht. Kthimi është i papërballueshme për ta. Këta shqiptarë janë të kërcënuar për ekzistencën e tyre! Ky është kërcënimi më i rëndë për liritë dhe të drejtat njerëzore.