Kokëdhima shpall lëvizjen politike: Rama, një kryetar pa parti në bazë

Ish-deputeti socialist, ish-sekretari në PS dhe ish-anëtari i Asamblesë, Koço Kokëdhima ka shpallur zyrtarisht lëvizjen politike brenda Partisë Socialiste. Në një takim të zhvilluar në ambientet e Kishës Ortodokse në Tiranë, Kokëdhima publikoi dhe emrin e nismës politike, e cila do të quhet, “Zgjedhja”. Në një sallë plot me qindra e qindra vetë, ku nuk pushonin ovacionet për Kokëdhimën , ai shpalosi platformën e Lëvizjes së tij politike.

Në fjalën e tij, Kokëdhima kritikoi mënyrën sesi po funksion sot Partia Socialiste. Ai tha se PS është kthyer në një parti pa alternativë, ku ndalohen idetë dhe ku çdo njeriu i thuhet se duhet të mendojë siç mendon kryetari i PS-së.

Ai tha se këto 3 vjet qeverisja e ka larguar PS-në nga baza e elektoratit dhe socialistët e thjeshtë. Kokëdhima u shpreh se ky distancim e ka bërë “Edi Ramën, një kryetar pa parti në bazë”. Një parti vetëm për Udhëheqjen, tha ish-deputeti.

Gjatë fjalës së tij, Kokëdhima është shprehur në mbështetje të votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhje. Gjatë bashkëbisedimit me socialistët e Tiranës, ai akuzoi mazhorancën dhe opozitën se kanë krijuar një sistem të rafinuar të vjedhjes dhe manipulimit të zgjedhjeve.

“Ndër të gjitha krimet, më i rëndi është vjedhja, trafikimi dhe manipulimi i votës së popullit. Vjedhja dhe ndotja e zgjedhjeve. Saliu e mbolli në Shqipëri kulturën e vjedhjes së zgjedhjeve, nga manipulimi, trafikimi dhe vjedhja e zgjedhjeve nuk fitojnë socialistët dhe qytetarë të thjeshtë të Shqipërisë. Nga manipulimet e zgjedhjeve fiton vetëm kasta sunduese. Këta politikanë nuk i mundësojnë dot akoma Shqipërisë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Udhëheqësit e majtë në vend që të distancoheshin nga kultura e vjedhjes së zgjedhjeve i vajtën pas, dhe të dy palët rafinuan një sistem të manipulimit të zgjedhjeve ku populli voton dhe kryetarët numërojnë  votat”,- tha ish-deputeti Koço Kokëdhima.

Kokëdhima tha se lëvizja e tij ka për qëllim reformimin e PS, duke shuar zërat se ka për qëllim të kalojë te ndonjë forcë politike tjetër.

“Unë jam socialist dhe kam punuar e investuar më shumë se kushdo tjetër për fuqizimin dhe suksesin e PS. Unë nuk krijoj parti tjetër, nuk shkoj tek LSI. Nuk ik nga PS, këtu kam miqtë dhe bashkëpunëtorët e mi. Lëvizja jonë nuk mund të izolohet. Partia e udhëheqjes është përpjekur ta likujdojë këtë reformë dhe këtë lëvizje reformuese, ka shantazhuar qindra e mijëra socialistë. Askush nuk duhet të trembet. Gjyqi që rrëzoi mandatin tim në Kushtetuese nuk ishte betejë ligjore, as betejë politikë mes meje dhe Saliut. Ishte vazhdim i luftës së brendshme politike me PS”,- deklaroi Kokëdhima.

Kokëdhima me këtë lëvizje synon, siç thotë ai, që të mundësi demokratizimit të PS-së dhe të mos mbetet parti e kryetarit , por e anëtarsisë. Ish-deputeti kërkoi me forcë mbledhjen e firmave nga baza e PS-së ku emrat kandidatë për deputetë i caktoj me votim të fshehtë baza e PS në qark e jo kryetari i partisë.
https://www.facebook.com/Ora.News.RTV/videos/685995508192241/

SHKARKO APP