Koço sulmon Erion Veliaj. Pandeli Majko pro kryebashkiakut
Kryesore E Martë, 20 Prill 2021 07:11
Mesa duket pozicionimi i gazetës Shekulli në mbështetje të biznesit kundër tarifave të reja të Bashkisë, nuk ka qenë një qëndrim për një çështje të caktuar. Sot, gazeta e superdeputetit Kokëdhima i ka kushtuar faqen e parë dhe plot dy faqe speciale brenda, aktivistëve të shoqërisë civile që janë ngritur kundër Erion Velisë për të mos lejuar ndërtimin e një këndi lojrash brenda Parkut të Liqenit.
Me titullin e madh “Këndi i lojërave te Parku i Liqenit, probleme me ligjin dhe mjedisin” dhe me foton e dy përfaqësuesve më të spikatur që kundërshtojnë këtë projekt, Shekulli u ka treguar lexuesve të vet të gjitha arsyet se përse ndërmarrja e Velisë duhet ndaluar.
Seria e shkrimeve dhe qëndrimeve kundër kryetarit të Bashkisë së Tiranës, tashmë është e qartë se nuk ka të bëjë me raste të veçanta, por është një vijë e gazetës Shekulli që mesa duket i ka shpallur luftë e tij. Në betejën e parë, atë me biznesin, Erion Velia u detyrura të tërhiqet dhe të anullojë e rishikojë disa nga tarifat që kishte vendosur dy muaj më parë. Mbetet për të parë nëse në përplasjen për Parkun e Liqenit, Velia do të tërhiqet sërish apo do të tentojë të përfundojë projektin. Fakti që gazetën Shekulli dhe Koço Kokëdhimën i ka kundër, nuk është një shenjë e mirë për të, shkruan lapsi i Shkullak-Bushatit.
Ish-kryeministri Majko pro Erion Veliaj
Kanë kaluar shumë muaj nga batuta e famshme e fiqve dhe më në fund Pandeli Majko është bindur se Erion Veliaj është tashmë i aftë t’i kapë ato. Për këtë, deputeti Majko ndihet krenar. Në një koment lidhur mbi konfliktin për Parkun e Liqenit, Majko shkruan se mbështet kryetarin e Bashkisë dhe i cilëson mercenarë ata që kanë dalë në mbrojtje të Parkut.
“Miku im Erion Veliaj po sulmohet padrejtësisht nga mercenarët e krahut tjetër politik por dua t’iu rrëfej diçka: Jam i befasuar dhe i mhanitur nga pasioni dhe energjia pozitive e Erit për të zhvilluar dhe transformuar Tiranën dhe sot jam dyfish krenar që e mbështeta në garën për Tirnaën dhe do të ketë gjithmonë mbështetjen time!
Miku im Erion, bëje këndin e lojrave për fëmijët e Tiranës, mos u tërhiq, transformoje Tiranën. Ti je një djalë energjik dhe punëtor!”, shkruan Majko.
Kështu, vërtet Erioni ka humbur mbështetjen e superdeputetit Kokëdhima, por ka fituar atë të super Majkos. Ky fakt duhet ta bëjë të ndihet mirë dhe i sigurtë, sepse siç ka thënë dhe kryetari Rama, kush rri afër Pandit i del mirë. Për më tepër që Pandi nuk merret as me ndërtime.