Kokëdhima: Të hetohet Edi Rama për 80 mijë dollarët e fotos me Obamën

Ish-deputeti i PS, Koço Kokëdhima ka kërkuar nga Prokuroria e Përgjithshme të nis hetimet për kryeministrin Edi Rama. Kërkesa e Kokëdhimës vjen pas publikimit të fakteve të reja të procesit gjyqësor në SHBA, ku rezulton se Edi Rama, në vitin 2012 ka paguar 80 mijë dollarë për të realizuar një foto me Presidentin e SHBA, Barak Obama.

Sipas vendimit të gjykatës amerikane, William Argeros një amerikan nga Florida ka paguar në emër të Edi Ramës 80 mijë dollarë. Këto para nuk figurojnë të deklaruara në Shqipëri. “Një gjykatë amerikane dënoi me 4 muaj heqje lirie 61-vjeçarin William Argeros, me akuzën se sajoi një kontribut të paligjshëm nga një shtetas i huaj, në një komitet të përbashkët për mbledhjen e fondeve për presidentin Barack Obama në vitin 2012. Ligji amerikan u ndalon shtetasve të huaj që të japin kontribute për kandidatët federalë dhe shuma prej 80 mijë dollarësh u pagua në emër të Edi Ramës, i cili dëshironte një foto me z. Obama. Zyra e prokurorit amerikan tha se z. Argeros e organizoi kontributin përmes një banori nga New Jersey, Bilal Shehu, i cili u dënua me kusht në vitin 2017”,- thuhet në deklaratën e Kokëdhimës.

Koëdhima shprehet se për një skandal të tillë çdo kryeministër do të kishte dhënë dorëheqjen. “Nëse kjo do të kishte ndodhur në një vend perëndimor, kryeministri do të kishte dhënë dorëheqjen përballë presionit qytetar, që nuk pranon abuzimin me taksat. Prandaj prokuroria të tregojë pavarësi duke nisur hetimet ndaj kryeministrit të vendit”,- shprehet Kokëdhima.

Kokëdhima, dikur mik i ngushtë i Ramës, shprehet se hetimet ndaj Edi Ramës duhet të kishin nisur dy vite më parë. “Partia ‘Zgjidhja’ nuk shpreson që Rama do t’i kërkojë falje shtetasit amerikan që do të vuajë dënimin me burg për fajin e tij. Por ajo i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme që të nisë hetimet ndaj kryeministrit të Shqipërisë për përdorimin e fondeve të padeklaruara që të lobonte pranë administratës së Shtëpisë së Bardhë. Madje, kjo vepër korruptive duhet të ishte hetuar mëse dy vite më parë kur u vërtetua se Rama kishte paguar për një foto me presidentin amerikan”,- deklaron Koço Kokëdhima.

Ja se ç’shkroi sot “Zëri Amerikës”:

Nga VOA/

Një person që sajoi një kontribut të paligjshëm nga një i huaj në një komitet për mbledhje fondesh për presidentin Barack Obama në vitin 2012, u dënua me katër muaj heqje lirie.

William Argeros kishte pranuar fajësinë në vitin 2016 për këtë çështje dhe për dëshmi të rreme para një jurie të madhe, duke u përballur me deri 24 muaj heqje lirie, në bazë të marrëveshjes së tij për pranimin e fajit.

Por gjykatësja, Madeline Cox Arleo, vuri në dukje mungesën e precedentëve penalë të 61vjeçarit dhe besimin se kontributi prej 80 mijë dollarësh nuk kishte për qëllim të ndikonte në zgjedhjet amerikane.

Ligji amerikan u ndalon shtetasve të huaj të japin kontribute për kandidatët federalë. Avokati John Azzarello, duke përfaqësuar zotin Argeros, tha se klienti i tij po vepronte në emër të një kandidati për postin e kryeministrit në Shqipëri, i cili dëshironte një foto të realizuar me zotin Obama.

Avokati Azzarello tha se kandidati ishte Edi Rama, i cili aktualisht është kryeministër i Shqipërisë. Kur akuzat u publikuan në vitin 2016, zyra e zotit Rama mohoi të ishte burim i kontributeve.

Zyra e prokurorit amerikan pretendonte se zoti Argeros organizoi kontributin përmes një banori nga New Jersey, Bilal Shehu, i cili u dënua me kusht në vitin 2017.

Gjykatësja Cox Arleo tha se i dha zotit Argeros një dënim më të rreptë, pasi ai pranoi se kishte gënjyer një juri të madhe.

Zoti Argeros banonte në Tampa të Floridës, në kohën kur u ngritën akuzat. Ai kishte banuar shumë vjet në Betlehem të Pensilvanisë, ku puna e tij përfshinte shërbimin në një bord këshillimor burgu dhe mbështetjen e ri integrmit të të burgosurve, tha avokati Azzarello. Disa nga ish kolegët e tij i shkruan letra gjykatëses Cox Arleo për ta mbështetur.

Me lot në sy, zoti Argeros i tha gjykatëses se “ndjehem i turpëruar dhe marr përsipër përgjegjësinë e plotë për atë që kam bërë”./VOA/

Përgënjështron Endri Fuga:

Zëdhënësi i kryeministrit, në një reagim për BIRN thotë se kjo është deklarata e një avokati që nuk meriton koment.

“Kjo është një histori e vjetër dhe e stërqartë për sa i takon kryeministrit dhe s’kemi asnjë interes të merremi me kush thotë çfarë! Çdo përgojim i tij për çështje lekësh në këtë rast apo në çdo rast, meriton keqardhje po jo koment,”- tha Fuga për BIRN.

SHKARKO APP