Kokëdhima nga Vlora:Po na iku Meta ramë në greminë dhe vjen Saliu!
Në ditët kur Ben Blushi ka trazuar PS-në dhe ujërat me tepër në stanin e selisë rozë kryeministri ka zgjedhur “supërdeputetin” dhe “kryeministrin e jugut” Koço Kokëdhima që ti çoj mesazh publik Ilir Metës se pa LSI ne kemi humbur. Ishte e programuar gjithçka nga dyshja Kokëdhima-Rama. Duan që të fusin në gjumin e fund’dimrit Ilir Metën, pasi nëse LSI ikën nga qeveria , Rama bie. Mesazhi ishte: Iliri të rrijë i qetë, se pa atë, PS-ja mbaron! Në të vertetë ikja e LSI nga qeveria shkakton termet në mazhorancë. Dhe vjen një qeveri teknike e cila drejton vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Më saktë PS rrëzohet nga pushteti pasi PD-LSI-PDIU bëjnë shumicën e votave në sallën e Kuvendit.
Ndaj sot para se t’i jepte fjalën Edi Rames në asamblenë e Vlorës, Koço Kokëdhima ia përsëriti edhe njëherë këshillën për Metën. “Pa LSI ne nuk e bëjmë dot shumicën qeverisëse. Nga përçarja me LSI përfiton Saliu”, tha Kokëdhima.
Administratori i Jugut dhe një nga njerëzit më të afërt të kryeministrit Rama, sulmoi edhe aleatin e larguar nga koalicioni Vangjel Dulen.
“Ne jemi këtu qysh më para se të vinte deti. Dulja minoritar grek, unë shqiptar himariot. Unë i qëndrova besnik minoritetit grek të Finiqit, Dulja e tradhëtoi. Sot është në vendin që meriton, në një stan me Saliun” tha Kokëdhima.
“Socialistë rrace” i quajti Kokëdhima mbështetësit e tij në Vlorë, ndërsa dërgoi përshëndetjet e tij për bujqit dhe blegtorët, i ndjekur nga duartrokitjet e zjarrta të shoqeve dhe shokëve në sallë.
“Nga kjo tribunë Partia Socialiste do të vijë në Kongresin e 19 marsit me 22 mijë anëtarë më shumë, me një strukturë vendore të ngritur në katër nivele qendrore. Kështu ne përmbushim direktivën e kryetarit të Partisë Socialiste për të dyfishuar anëtarët. Dua të falenderoj nga zemra të gjithë anëtarët e Partisë dhe u uroj të bëhen socialistë të devotshem. Këta socialistë të rinj e forcojnë partinë me shume…Dua të përshëndes bujqit dhe blegtorët, ish ushtarakët, gratë, peshkatarët nga rajoni Gjirokastër- Vlorë që janë punësuar gjatë kësaj kohë. Ata duhet të jenë të lumtur per hapin e drejtë që ata bënë duke zgjedhur Partinë Socialiste. Këtu dua të përmend edhe ata socialistë që dhanë jetën dhe që na lanë trashëgim Partinë Socialiste”.
Pra këto ditë po shtojnë anëtarsinë Rama dhe Kokëdhima si dhe të çojnë në kongres delegatët e tyre e jo të PS-së. Duket se duan të shkojnë në kongres të blinduar që të mos ketë ndonjë surprizë të pakëndshme.
Fakti që Gramoz Ruçi nuk shikohet më në krahun e Edi Ramës në takimet në bazë , por ai merr Kokëdhimën, duket se kreut të PS-së nuk i hyn më në punë prania e Ruçit.
Koço po përgatitet për numrin dy të PS.