Kompanitë e internetit i kanë kthyer rrugët dhe pallatet si rrjeta merimange nga telat e panumërt
“Ka nisur sot aksioni i Bashkisë Shkodër për lirimin e hapësirave nga kabllat e kompanive të internetit. Puna ka nisur në Rajonin 1 për të vijuar në të gjitha zonat e qytetit.
Siç ishte njoftuar publikisht, ky aksion nisi menjëherë pas përfundimit të afatit të lënë nga Bashkia për heqjen vullnetare të tyre. Në përgjigje të këtij njoftimi, një pjesë e kompanive të internetit kanë qenë bashkëpunuese, duke iu bashkuar këtij aksioni që synon të garantojë sigurinë për banorët nga kablla dhe tela, që për 32 vite janë një gangrenë e qytetit të Shkodrës”- shkruan sonte Benet Beci.
Ky veprim i bashkisë shkodrane është një veprim i duhur sepse kompanitë e internetit i kanë mbushur si merimangat hyrjet, dritaret dhe pallatet, ku duket vetja se je në një xhungel.
Veprim i Benet Becit duhet përkrahur nga të gjitha bashkitë e vendit. Edhe në Tiranë ka disa lagje tmerr nga këto “rrjeta merimangash”. Kompanitë e internetit që fitojnë dhjetra milionë lekë duhet të investojnë në linjat e tyre sipas standartëve bashkëkohore dhe jo duke i kthyer në vend kaotik telash.