Kontrata koncesionare 200 mln euro fut në sherr Ballën dhe Ahmetajn
Ligji për kontratat e Partneritetit Publik Privat dhe një kontratë koncesionare me vlerë 200 milionë euro ka futur në sherr kryetarin e Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, me ish-ministrin e Financave, Arben Ahmetaj.
Debati i ashpër ndërmjet tyre është bërë në mbledhjen e konferencës së kryetarëve të datës 8 maj, në Kuvendin e Shqipërisë.
Panorama zbardh debatin e plotë ndërmjet tyre. Sipas procesverbalit, që në hapje të mbledhjes, Ahmetaj ka shprehur kritikat për kalendarin e punimeve të Kuvendit ku ka kërkuar me ngulm që, në të, të përfshihet akti normativ i qeverisë “Për disa shtesa në aktin normativ të ligjit nr. 4, datë 9.7.2008, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim të shoqërive tregtare, ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta të mjeteve kryesore të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”.
Këtë kërkesë të tij e ka hedhur poshtë kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Balla, i cili ka theksuar se nuk mund të përfshihet në kalendarin e punimeve pa mbaruar më parë shqyrtimi i akteve ligjore të parashikuara në programin e punës. Por, përgjigjja e Ahmetajt, i cili tha se kishte folur me Kryeministrin, duket se i ka nxehur më shumë gjakrat. Debati u spotua më pas te një kontratë koncesionare dhe te ligji i PPP-ve.
Ahmetaj akuzoi Ballën se ka bllokuar ligjin në mënyrë të qëllimshme dhe sillet si pronar i Grupit Parlamentar, pasi ai kishte diskutuar me Kryeministrin. Balla në përgjigje i ka thënë se në Parlament nuk vendos Kryeministri, por ai si kryetar i grupit.
Gramoz Ruçi – Mirëmëngjesi! Fillojmë mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve për miratimin e kalendarit 3-javor për punimet e Kuvendit.
Arben Ahmetaj – Kryetar, mundem?
Gramoz Ruçi – Po.
Arben Ahmetaj – Para se të fillonte mbledhja, iu referova një çështjeje, që e kam porosi rastësore dje, kur u takova me Sekretarin e Përgjithshëm. Ndoshta, edhe Lisa duhet ta dijë. Bëhet fjalë për ndryshimin e një akti normativ që ka kërkuar qeveria. Sipas tyre, iu duhet. Besoj se i takon Komisionit të Ekonomisë. Personalisht nuk do ta kisha problem nëse futej në kalendarin 3-javor. Ta shikoj, sepse ma dërgoi edhe me titull. Të mbaroj, Taulant.
Taulant Balla – Për procedurë.
Arben Ahmetaj – Dakord, por të mbaroj unë.
Taulant Balla – Qeveria duhet të sjellë kërkesën dhe më pas ta shqyrtojmë me procedurë të përshpejtuar.
Arben Ahmetaj – Nuk besoj se është procedurë e përshpejtuar. Nuk ka pse të jetë
Gramoz Ruçi – Është depozituar, apo jo?
Mimoza Pano (Drejtoreshë e Shërbimit të Seancave Plenare) – Është depozituar, është njoftuar dhe është publikuar në faqen e Kuvendit, por nuk është përfshirë në program, sepse është një nga projektligjet që nuk plotëson kushtet që të futet automatikisht në program.
Mimi Kodheli – Moza, të lutem, cilin kusht?
Arben Ahmetaj – Është projektligji për disa shtesa në aktin normativ të ligjit nr. 4, datë 9.7.2008 “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim të shoqërive tregtare, ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta të mjeteve kryesore të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”. Këtë ka dërguar Sekretari i Përgjithshëm.
Gramoz Ruçi – Cilin kusht nuk plotëson? 2-javëshin?
Mimoza Pano – Jo, nuk plotëson kushtin që të futet automatikisht në program, sepse është depozituar, pasi ne kemi miratuar programin aktual, i cili mbaron më 31 maj.
Gramoz Ruçi – Dakord! Vazhdojmë.
Arben Ahmetaj – Kryetar, besoj se këtë radhë do të fusim ligjin për ndryshimet në koncesionet e Partneritetit Publik Privat. Ramë dakord edhe me Kryeministrin. Ndërkohë, në dijeninë time, ka ardhur një PPP specifike për të kaluar në Parlament dhe ne nuk kemi pse ta mbajmë…
Gramoz Ruçi – Mos ngatërroni dy gjëra. E para, këtu nuk është programi, por kalendari. Ju po flisni për programin, por për të do të flitet kur të vijë koha.
Arben Ahmetaj – Kjo është çështje e kaluar. Po e them meqenëse nuk e kemi futur, sepse e kemi mbaruar para dy muajve si procedurë në komision.
Mimoza Pano – Është një projektligj që e kemi futur edhe në rend dite dhe me kërkesë e kemi lënë jashtë, nuk e kemi diskutuar. Projektligjin e kemi gati, komisionet kanë përgatitur raportet, por duhet vullnet për ta futur në rendin e ditës.
Gramoz Ruçi – Kush ka kërkuar të shtyhet?
Taulant Balla – Unë kam kërkuar të shtyhet. Kryeministri të japë porosi, nëse do, në qeveri. Këtu në Parlament vendosim ne, kështu që …
Arben Ahmetaj – Çfarë problemi ka kjo, jam kurioz të di.
Taulant Balla – Nuk është kjo, por nuk mund të vish këtu e të thuash “kam folur me Kryeministrin”.
Arben Ahmetaj – Ishte në mbledhje atë ditë.
Taulant Balla – Kryeministri jep porosi në qeveri, në Kuvend, unë, si Sekretar Grupi, kam kërkuar të shtyhet.
Arben Ahmetaj – Taulant, nuk mund të thuash “nuk dua unë”, sepse e kam dëgjuar disa herë këtë gjë. Kjo është çështje shumë e rëndësishme, pjesë e reformave…
Taulant Balla – Dakord.
Arben Ahmetaj – Të lutem, të mbaroj unë! Kur thua “nuk dua unë”, duket sikur ti je pronar i grupit. Nuk silleni dot kështu. Ka ndonjë arsye që nuk do ti? Kryeministri e tha në grup, kur e ngrita unë. Ka ndonjë arsye specifike? Unë ndoshta nuk dua të fus PPP-në, që është 200 e ca milionë euro investim.
Taulant Balla – Do ta diskutoj dhe do të kthej përgjigje.
Arben Ahmetaj – Mos u sill sikur je pronar i Grupit! Mos më kthe përgjigje mua!
Gramoz Ruçi – Ju lutem!
Arben Ahmetaj – Gramoz, të lutem, sepse e ka bërë disa herë! Ka ndonjë arsye specifike kjo që nuk futet në program? Kjo mbyll ofertat e pakërkuara njëherë e mirë. Ka ndonjë arsye?
Gramoz Ruçi – Arsyeja është kjo: është tërhequr.
Arben Ahmetaj – Jo, nuk është tërhequr.
Gramoz Ruçi – Mos e merr kështu. Ti je pjesëtar i grupit. Kërkesa ka qenë në emër të grupit. Merruni vesh në emër të grupit, zgjidhni problemet e grupit dhe më pas…
Arben Ahmetaj – Jemi marrë.
Taulant Balla – Jo, nuk jemi marrë.
Gramoz Ruçi – Ju lutem! Kryetari i Grupit është këtu. E ka kërkuar ky të tërhiqet dhe duhet ta kërkojë ky që të futet. Kaq e thjeshtë është.
Arben Ahmteaj – Gramoz, dakord, por nuk është tërhequr.
Gramoz Ruçi – Të lutem, fol me etikë! E dyta, ti nuk përfaqëson në emër të Grupit. Përfaqëson …
Arben Ahmetaj – Jo, nuk dua ta përfaqësoj Grupin.
Gramoz Ruçi – Ti ke punë vetëm me problemet e komisionit. Të lutem!
Arben Ahmetaj – Kjo është çështje e komisionit, Gramoz!
Gramoz Ruçi – Është çështje e komisionit, por kjo nuk është mbledhje e komisionit. Komisioni ka mbaruar punë, e ka depozituar në seancë, ka qenë në rendin e ditës. Grupi Parlamentar ka kërkuar heqjen e tij. Grupi Parlamentar të kërkojë futjen e tij! Kaq.