Kontratat e rrugëve në Kuvend: Dy koncesionet kushtojnë 337 milionë euro

337,2 milionë euro së bashku me pagesat e TVSH do t’i kushtojnë taksapaguesve shqiptarë dy koncesionet e rrugëve Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat, pjesë e programit 1 miliard euro, raporton televizioni Top Channel.

256,4 milionë euro është fatura që koncesionarët “Ank shpk” dhe “” kanë llogaritur për 17,2 km e Milot-Balldren.

Ndërsa koncesionari “Gjikuari” kërkon 80,8 milionë euro për Orikum-Dukat. Kostot e shpronësimeve nuk janë përcaktuar ende. Ndryshe nga koncesionet e tjera të pa-kërkuara kontratat e këtyre rrugëve do të miratohen në Kuvend.

“Ank shpk” u shpall fituese për koncesion e Milot-Balldren në tetor të 2018-s me një ofertë prej 161 milionë euro pa TVSH, ndërkohë gjatë negociatave kostoja është shtuar dhe kjo thuhet për shkak të ndërtimit të një tubi shtesë të tunelit.

Sipas kontratave një pjesë të financimit kompanitë do të bëjnë nga kapitalet e tyre ndërsa pjesa tjetër do të jetë hua bankare, norma interesit vjetor është 5%.

Koncesionet janë 13 vjeçare dhe përfshijnë ndërtimin në tre vjet dhe me pas mirëmbajtjen. Pagesat e buxhetit do të nisin pas viti të parë të punimeve dhe kur të jete kryer 25% e volumit të ndërtimit.

Në të dyja kontratat zgjidhja e mosmarrëveshjeje nuk do të bëhet nga gjykatat shqiptare, por nga zyra e arbitrazhit e Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë, pjesë e grupit të Bankës Botërore në Washington.

Partia Demokratike dhe LSI pothuajse në një kohë denoncuan si abuziv një nga koncesionet e reja për ndërtimin e rrugëve. Deputeti Agron Shehaj denoncoi shifrat për koncesionin e rrugës Milot-Balldren. “Kontrata e koncensionit të rrugës Milot-Balldren është kontratë mashtruese. Kompania ANK ka marrë përsipër të paguajë 52 milionë euro nga kapitali i saj, kur ka vetëm 4 milionë euro kapital. Kompania ka premtuar që me ketë kapital minimal do të marrë edhe 70 milionë euro të tjera kredi nga bankat dhe 19,5 milionë euro financim nga furnitorët (!). Ose ANK ka fryrë kostot në një skemë tipike korrupsioni, ose do pastrojë para të pista në këtë projekt, ose të dyja bashkë. Një gjë është e sigurt: kompania nuk e ka kapitalin për të cilin ka mashtruar në kontratë dhe ky mashtrim duhet hetuar menjëherë”, tha Shehaj.

Ndërsa numri dy i LSI Petrit Vasili ishte edhe më i ashpër. “Sa vidhet të nderuar qytetarë? Vidhet në mënyrë çnjerëzore. Rruga Milot – Balldren që lidh dy funde rrugësh. Rruga e ka çmimin 15 milionë euro kilometrin. Një shtesë rruge fushore nga Orikumi në Dukat e ka çmimin mbi 5 milionë euro. Të nderuar qytetarë, që ju të kuptoni më mirë sesa vjedhin këta, pra e kuptoni 15 milionë euro ishte ajo rruga Milot Balldren atje në fund”, tha Vasili.

Vasili merr si shembull rrugën Fier-Vlorë, me 4 korsi, me ura, me një asfaltim të nivelit europian e cila kushtoi 2 milionë euro për kilometër.

Brenda 10 ditëve dhurata e tmerrshme që iu ka lënë mbi kurriz qeveria ju të tërëve, është një dhuratë e cila shkon jo më pak sesa afër 400 milionë euro të cilat di paguhen nga xhepat e qytetarëve të varfër shqiptarë”, tha Nënkryetari i LSI

Marrë nga “Top Channel“.

SHKARKO APP