Konventa e LSI, Kryemadhi: Gati të përballemi me qeverinë e krimit

Lëvizja Socialiste për Integrim, mblodhi të dielën Konventën Kombëtare për të përcaktuar axhendën opozitare të partisë. Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi në fjalën e saj akuzoi ashpër qeverinë “Rama”. Kryemadhi tha se ka ardhur momenti që opozita dhe qyetarët të reagojnë ndaj mazhorancës qeverisëse, e cila është marrë peng nga krimi.

Nga Konventa Kombëtare e LSI-së, Kryemadhi tha se forca politike që ajo drejton është gati të përballet dhe të ngrihet kundër kësaj mazhorance kriminale. Ajo drejtoi gishtin nga kryeministri Rama, si personi i vetëm përgjegjës për situatën në të cilën ndodhet vendi.

Kryetarja e LSI-së përmendi edhe rastin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili dyshohet si i implikuar në trakun e drogës me Habilajt. Sipas saj, “timoni” i qeverisjes është përqëndruar në duart e një personi të vetëm i cili po lejon grabitjen e qytetarëve.

“E gjithë kjo situatë katastrofike ka një autor. Ai është Edi Rama, ky njeri që deri më sot nuk ka patur asnjë marrëdhënie me të vërtetën, ndihet i frikësuar për karriken që po i lëkundet për hir të asaj që ai është gati të bashkëpunojë me çdo kriminel. Ky kryeministër që sot sheh frikërat e tij me arrogancën, çdo ditë po e kupton dhe vetë që asgjë nuk mund t’ja zgjasë më qëndrimin e tij në karrige.

Nuk kemi më kohë për të humbur me retorikën politike dhe as nuk do të presim paradën mediatike të fakteve të tjera tronditëse të kësaj mazhorance të kapur nga krimi. Ne jemi gati të përballemi, duhet të shkundim apatinë kolektive kundër një rreziku të madh që i kanoset vendit”, u shpreh Monika Kryemadhi.

Fjala e plotë e Monika Kryemadhit:

Unë e mirëkuptoj entuziazmin tuaj dhe jam vetë pjesë e emocionit të kësaj salle. Por më duhet t’ju them që në fillim, se kjo Konventë Kombëtare e Lëvizjes Socialiste për Integrim thirret në një moment kritik dhe delikat të Shqipërisë në raport me të tashmen dhe të ardhmen e saj.

Sot nuk jemi mbledhur për një tubim elektoral apo për një Konventë Zgjedhore partiake, por jemi mbledhur për një mision që shkon përtej dimensionit dhe aksionit politik të një partie. Ky aksion është për të shpëtuar shqiptarët dhe Shqipërinë.

Të dashur miq,

“Ata që nuk nxjerrin leksionet e duhura nga historia dhe gabimet e së shkuarës, janë të dënuar ti përsërisin ato…”

Kush më shumë se populli ynë ka vuajtur pasojat e së shkuarës diktatoriale për shkak të arrogancës dhe etjes për pushtet të një njeriu autoritar që kishte mbërthyer në një grusht të gjitha pushtetet? Kush më shumë se sa pushteti I sotëm është një remineshencë e shëmtuar e pushteteve që të rinjtë dhe shqiptarët rrëzuan njëherë e përgjithmonë në fillim të viteve 90. Ja pra që sot më shumë se kurrë, kjo kambanë alarmi e historisë tonë jo të largët dhe të përvuajtshme tashmë ka rënë, dhe sfida jonë si një opozitë  e përgjegjshme para qytetarëve tanë është që mos të përsërisim gabimet e dhimbshme të së kaluarës së errët.

Është pikërisht kjo vetëdije kombëtare që na duhet të zgjojmë në këto momente, për t’i dhënë frymë një misioni politik historik të mobilizimit të “Frontit Kombëtar Opozitar” në betejën tonë të përbashkët qytetare ,kundër krimit të organizuar në kupolën e narko–qeverisë  dhe varfërisë që kanë kapur prej fyti shqiptarët”. Sot kemi përballë një qeverisje arrogante që përtej çdo imagjinate konkurron veten në papërgjegjshmërinë e saj/  për të drejtuar vendin, për të hartuar politika për ti ardhur në ndihmë qytetarëve apo për të përmirësuar jetën e shqiptarëve.

Por jo.

Qeveria e zgjedhjeve të blera të qershorit është tashmë në kaosin e shkaktuar nga zullumet e ministrave të saj. Si mundet të mendojnë për të përmirësuar jetesën e shqiptarëve ata që deri dje ishin në një kabinet me  ish ministrin e brendshëm qe akuzohet nga Antimafia italiane për trafik droge dhe armësh, dhe që sot nuk gjejnë më dot asnjë justifikim për të fshehur përfshirjen e tij në krimin e organizuar. Si mundet që një grup njerëzish që janë zgjedhur me bekimin e bandave në parlament të shqetësohen për faktin se çdo metër katror i këtij vendi rrezikon të jetë i mbjellë me kanabis? Si mundet që këta ministra dhe drejtues të tjerë të lartë të këtij shteti heshtin kur shohin si po shkon Shqipëria drejt greminës çdo ditë e më shumë? Ne  e dimë pse ndodh kjo, madje kam bindjen se jo vetëm ju qe jeni në këtë sallë por qindra e mijëra të tjerë që janë jashtë kësaj salle e kanë të qartë që e gjithë kjo situatë katastrofike ka një autor që po zbaton skenarin famëkeq të shkruar në skutat e bandave dhe trafikantëve.

Ai është Edi Rama!

Ky kryeministër që bënte show kur prokuroria kërkonte heqjen e imunitetit për bashkëpunëtorin e tij të ngushtë ka  ditë që  po këshillohet me miqtë e tavolinave të orëve të vona së nëse duhet të shesë apo ta blejë përsëri Saimir Tahirin. Ky njeri që deri më sot nuk ka pasur asnjë marrëdhënie me të vërtetën dhe përgjegjësinë për të drejtuar shtetin çdo dite e më shumë ndihet i frikësuar për karrigen që po i lëkundet e për hir të saj ai është gati të bashkëpunojë me çdo kriminel apo bandë që mund të sigurojë postin e blerë me paratë e drogës. Ky kryeministër që sot fsheh frikërat e tij me arrogancën bajate të sjelljes me gazetarët çdo ditë e më shumë po e kupton dhe vetë se asgjë dhe asnjë forcë nuk mund t’ia zgjasë qëndrimin në karrigen e drogës. Nuk kemi kohe për të humbur me retorikën politike qe bie në veshët e shurdhët të qeverisë banditeske, dhe as nuk do të presim paradën mediatike të fakteve të tjera tronditëse të skandaleve të radhës të kësaj mazhorance të kapur nga krimi dhe droga…

Ne jemi gati të përballemi…

Ne …duhet të shkundim apatinë kolektive për hir të interesit të përbashkët kombëtar kundër një  rreziku të madh që i kanoset vendit… … duhet të thyejmë heshtjen për ti dhënë zë qindra mijëra qytetarëve të cilëve u cenohet siguria e jetës në mes të ditës në rrugët e vendit…ku ligjin e bëjnë bandat…

…duhet ti japim kurajo dhe shpresë çdo të papuni i cili kursimet e jetës i luan si në bixhoz për të blerë një biletë avioni pa kthim në Gjermani apo kudo gjetkë në Europë, siç bënë rreth 300 mijë shqiptarë vetëm në 4 vitet e fundit…pa ditur se çfarë i pret atje…

…duhet të ngjallim besim tek qytetarët e zhgënjyer nga politika sepse në këto 27 vite kemi dështuar të ndërtojmë një copëz Europe këtu në Shqipërinë tonë për shkak të egoizmit, makutërisë së pushtetit dhe mungesës së vizionit për të qeverisur…

Ne duhet të trokasim edhe në dyert e mijëra bizneseve të ndershme që janë në kufijtë e mbijetesës për shkak të taksave stratosferike që paguajnë, apo së fundmi kur qeveria me taksat e reja siç është ajo e TVSH-s për biznesin e vogël, kërkon ti japi shkelmin e fundit për të nxjerrë në rrugë dhjetëra mijëra qytetarë si të papunë…

Të gjitha raportet e fundit ndërkombëtare që skanojnë ekonominë tonë, përfshirë dhe raportin e “Doing Bussines” të Bankës Botërore, dalin me të njëjtat konkluzione : ekonomia shqiptare është e sëmurë nga varfëria, nga papunësia, nga keq-qeverisja, nga korrupsioni galopant, nga pasiguria, nga taksat “çmendurisht” të larta, nga konsumi “anemik”, nga mungesa e investimeve vendase dhe të huaja…

Si ka mundësi të rrimë duarkryq kur shikojmë mijëra të vobektë dhe të varfër që burgosen për një tezgë ambulante pa leje, apo për një faturë energjie të papaguar,

ndërsa kemi qeveritarë, oligarkë dhe trafikantë që po pijnë edhe pikën e fundit të gjakut këtij populli, po shpërdorojnë paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Për çfarë reforme në drejtësi flasim për më shumë se 3 vite, kur drejtësia nuk është e barabartë për të gjithë? Ku është ky Kryeministër i  ethshëm thërriste për “drejtësinë e kulluar” por që struket si struci kur i dalin skandalet dhe kërkon të përdorë sistemin e drejtësisë si mburojë për zullumet e veta dhe të narko-shtetit të tij? Si mund të pranojmë Ne që Shqipëria të ngjitet në vendin e parë në botë për konsumin e kokainës? Çfarë imazhi japim Ne për Shqipërinë? Çfarë garancie japim Ne për investitorët e huaj që të vijnë në vendin tonë? Si mund të jemi të qetë për të ardhmen e fëmijëve, për edukimin e tyre, kur në shkollat tona përdorimi i drogës tashmë është një trend normal Kush mban përgjegjësi për këtë krim që i bëhet rinisë shqiptare? Si mund ti besohet më kësaj qeverie e cila “kanabizimin e vendit” e bëri prioritet kombëtar të  projektit të saj politik, për ti kthyer shqiptarët e varfër në “skllevër modern” të krimit të organizuar dhe të trafikantëve të drogës… Duke ju referuar shifrave të INSTAT-it të tij, dëshmohet qartë se vetëm 10% e popullsisë ka përfituar nga rritja ekonomike, ndërkohë që 90% e shqiptarëve kanë pësuar rënie në konsumin e tyre Kjo tregon se ky Kryeministër e ka çuar në ekstrem polarizimin e shqiptarëve, ka tradhtuar dhe keqpërdorur vlerat e solidaritetit dhe humanizmit, për të cilat dhe vetë partia socialiste ka kontribuar në shoqëri. Ky ka ngritur një kastë oligarkësh, të cilëve u shërben me privilegje, u jep paratë e shqiptarëve duke i pasuruar brenda ditës, ndërkohë që punëtori i thjeshtë dhe shtresa e mesme duhet të sakrifikojnë shumë për të garantuar mbijetesën e familjes. Çfarë duhet të ndodh më në këtë vend që qytetarët të binden se e tashmja dhe ardhmja e tyre është lënë peng e një grushti oligarkësh që duan të privatizojnë dhe konçesionojnë gjithçka publike, të cilët duan të përvetësojnë çdo aset publik dhe në fund malin e madh të borxheve t’ja lënë fëmijëve shqiptar! A keni dëgjuar së fundmi për një “skemë të re piramidale” të qeverisë të pagëzuar me emrin “projekti 1 miliard euro” për investimet publike? Kjo është shpikja më monstruoze sesi kjo narko-qeveri kërkon të “pastrojë paratë e pista” të drogës dhe krimit të organizuar duke futur dorën çdo vit në “xhepat” e taksapaguesve shqiptar për të rritur fitimet e krimit dhe oligarkëve. Por piktori vazhdon të na japë një fasadë të bukur vetëm për të mbuluar ndërtesën që është në gjendje të pariparueshme. Për gjithë këto arsye edhe shumë të tjera, unë besoj se sot çdo qytetar i ndjeshëm, i përgjegjshëm, patriot dhe që i dhimbset vendi dhe e ardhmja e fëmijëve të tij nuk mund të rri më gojëkyçur, nuk mund të rri më indiferent, nuk mund të pajtohet me hallet që po kalon ky vend për faj të keqqeverisjes dhe narko-shtetit që po instalohet frikshëm.

Ky është misioni ynë. Këtë duhet të arrijmë. Për të shembur këtë fasadë dhe për të filluar rindërtimin. Rindërtim për të krijuar vende pune të mira paguara. Rindërtim për të pasur një sistem arsimor që I aftëson fëmijët tanë me njohuri e aftësi për të garuar për punët e së nesërmes. Rindërtim për të pasur një sistem të kujdesit shëndetësor që siguron kujdes shëndetësor me cilësi të lartë. Rindërtim për të pasur një Shqipëri më të mirë për rininë tone, për ata të rinj që duan të qëndrojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri. Duhet Rindërtuar qeveria jonë, që ta bëjmë të punojë për njerëzit, jo për krimin e organizuar. LSI zgjodhi të jetë zëri i qytetarëve! Ajo e ka bërë zgjedhjen e saj…ka dëgjuar zërin e sovranit që te jete  më e dobishme sot në opozitë sesa në qeverinë e krimit.

Sot Timonieri I krimit e ka gjithë timonin vetë. Diskutimi për buxhetin faktik javën e kaluar në parlament tregoi të kundërtën e asaj që timonieri iu përgjërohej shqiptarëve në fushatën elektorale. Ai kishte jo vetëm timonin por edhe patentat qe i ka përdorur për makinën e krimit, për makinën e drogës, për mohimin e vjedhjes dhe grabitjen e shqiptarëve.

LSI e ka të qartë se thirrja jonë ndaj qytetarëve është një urgjencë kombëtare që nuk ka të bëjë me një betejë idesh të majta kundër atyre të djathta, apo të një qeverisje socialiste kundër asaj demokratike…

Rilindja, distancoi socialistët e vërtetë. Rilindja i turpëroi ata. Rilindja i kthehu në shërbëtorë të krimit dhe te oligarkëve. I bëri që socialistët të harrojnë vlerat e vërteta të së majtës, drejtësinë sociale, barazinë dhe solidaritetin. Prandaj miq të hapim dyert e LSI për të gjithë ata socialistë që u përdorën dhe janë të zhgënjyer nga rilindja nga ajo rilindje që vetëm rilindjen e Shqipërisë nuk solli, por solli rilindjen e krimit dhe të oligarkëve. Sfida e  shoqërisë sonë tashmë është dilema ekzistenciale nëse do të vazhdojmë të jemi një Republike Parlamentare e shtetit  të së drejtës, e denjë për një vend anëtar i NATO-s?, Apo do të kthehemi në një “diktaturë kolumbiane të Europës”. Shqipëria hyri në NATO dhe për shumë vite ishte një kontribues për sigurinë. Sot Shqipëria nga një kontribues është kthyer në një kërcënim për sigurinë. Ky Kryeministër, pozicionin gjeostrategjik të Shqipërisë, në vend që ta investonte për zhvillime strategjike për ekonominë dhe biznesin, këtë pozicion të favorshëm ky kryeministër e ka vendosur në shërbim  të bandave dhe krimit te organizuar. Prandaj ne si LSI e kemi marrë këtë vendim për të nisur pa kthim pas “marshimin tonë politik” për të çliruar shqiptarët nga makthi i drogës, i krimit, i varfërisë, i papunësisë dhe pabarazisë, dhe për t’ju dhënë atyre mbrapsht “timonin e jetës së tyre” që pabesisht u është marrë peng nga kjo klikë e korruptuar dhe inkriminuar qeverisëse…. Ky popull nuk e meriton asnjë ditë më shumë këtë narko-qeveri! Prandaj çdo ditë ne do jemi bashkë me qytetarët kudo, në rrugë dhe në sheshe, në qytete dhe në fshatra për të diskutuar për një “kontratë të re sociale” për Shqipërinë Europiane…ku si emergjencë kombëtare është zhdukja e kriminelëve të paprekshëm dhe bandave të veshura me pushtet…  ku ekonomia dhe biznesi nuk mbyten nga taksat dhe marrin frymë lirisht në një treg të lirë dhe me konkurrencë të ndershme, duke krijuar vende të reja pune… ku investitorët e huaj vijnë me besim dhe garanci për të injektuar kapitalet e tyre dhe jo të ikin nga vendi me “këmbë të thyera”. ku arsimi dhe shëndetësia nuk diktohen nga interesat klienteliste të konçesionarëve dhe klientëve të pushtetit, por nga nevoja e kombit për një zhvillim ekonomik dhe social gjithëpërfshirës.

Të dashur miq, Shqipëria që duam nuk mund të jetë një vend ku fëmijët e Bulqizës edhe sot e kësaj dite braktisin shkollën për të shitur krom, si të vetmen mundësi për të mbajtur familjet e tyre me buke…

Pse duhet që shqiptarët, të bekuar nga Zoti me pasuri natyrore, tokësore dhe nëntokësore të jenë të mallkuar nga politika, duke qenë populli më i varfër në Europë? Ne sot jemi shumë dhe jam e sigurtë se qindra mijëra të tjerë do ti bashkëngjiten në ditët dhe në javët në vazhdim  këtij misioni historik për vendin…sepse shqiptarët presin prej nesh alternativën qeverisëse që sjell punësim dhe mirëqenie…Sot, për këtë qeveri është vetëm fillimi i fundit te saj… Është emergjencë kombëtare dhe shpëtim jetësor për qytetarët tanë rrëzimi i kësaj qeverie të dalë boje në sytë e shqiptarëve dhe të botës, dhe krijimi i një qeverie të re anti-mafia që rikthen stabilitetin, fuqizon ekuilibrat e brendshëm ekonomiko-social për më shumë mirëqenie, si dhe rikthen dinjitetin e Shqipërisë si një vend i NATO-s që kontribuon në sigurinë e rajonit dhe jo si një vend eksportues i trafiqeve dhe kriminalitetit.

Historia do të na gjykojë nëse kishim të drejtë apo jo, por deri atëherë ne si klasë politike ua kemi borxh shqiptarëve, sidomos të rinjve tanë,  që t’i japim fund tranzicionit të tejzgjatur politik dhe ekonomik. Është përgjegjësia jone historike ti japim përgjigjen finale kujtdo politikani apo lideri delirant i cili kujton se mund të blejë apo të “burgos lirinë” shpresën apo të ardhmen e shqiptarëve. Një herë e mirë ta mësojë kushdo qoftë ai, përpara se ta merr leksionin  e hidhur  nga populli ynë,  se askush nuk mund të tallet me fatin e shqiptarëve. Sepse për ndryshe përfundon në “kazanin e plehrave të historisë së shqiptarëve”. Koha është tani për tu ngritur të gjithë në këmbë dhe për të filluar të gjithë së bashku marshimin e fitores së madhe! Fitorja e shqiptarëve, jo fitorja e politikës! Të dashur delegatë, sot kjo konventë pati një rëndësi. Rëndësia e saj është për të treguar që asnjë njeri  nuk mund të blejë dot zemrën, shpresën, dhe pasionin e një anëtari, të një votuesi të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Sot kjo konventë tregon dhe njëherë se LSI do të jetë në krye të çdo marshimi kundër këtij narkoshteti, kundër kësaj diktature të drogës që Edi Rama me falangat e tij kanë vendosur në Shqipëri.  Sot më shumë se kurrë ne na thërret misioni i të ardhmes për të rinjtë tanë, për atë brez të ri i cili e do dhe e adhuron vendin e tij. Për atë brez të ri i cili aspiron për një Shqipëri europiane, për atë brez të ri i cili e ndjen veten shqiptar në zemër, dhe në mendje. Ju uroj gjithë të mirat e kësaj bote! Zoti ju ruajt ju dhe familjet tuaja! Zoti e ruajt Shqipërinë.

https://www.facebook.com/KryemadhiMonika/videos/1428430900602981/

SHKARKO APP