Kosova shënon fitore ndaj Izraelit në një ndeshje futbolli që u përcoll me masa të mëdha sigurie
Kosova e mbylli me rezultat 1 me 0, ndeshjen e futbollit me Izraelin në kuadër të kualifikimeve për kampionatin Evropian 2024, që u zhvillua të dielën në stadiumin e qytetit të Prishtinës.
Kjo ishte ndeshja e parë e Izraelit, që kur militantët e Hamasit sulmuan vendin më 7 tetor, duke çuar në luftën në Gaza. Ndeshja fillimisht ishte planifikuar të zhvillohej me 15 tetor, por u shty për shkak të këtyre zhvillimeve.
Grupe tifozësh i fishkëllyen himnit kombëtar të Izraelit para fillimit të ndeshjes, e cila u zhvillua në një terren të vështirë, nën shi dhe më një numër të më të vogël të shikuesve sesa zakonisht.
Goli i vetëm i ndeshjes u shënua në minutën e 41-të nga Milot Rashica. Por kjo fitore nuk jep shumë shpresa për Kosovën që të sigurojë kualifikimin.
Izraeli renditet i treti në grupin e parë të kualifikimeve pas Rumanisë dhe Zvicrës, por me dy ndeshje më pak. Ekipi kombëtar izraelit nuk është kualifikuar asnjëherë në ndonjë kampionat evropian që nga anëtarësimi në UEFA në vitin 1994, dhe tani do të duhet të luajë katër ndeshje brenda dhjetë ditësh në përpjekje që të sigurojë kualifikimin.
Ndeshja në Prishtinë u ndoq me masa të rrepta sigurie. Ditë më parë policia refuzoi t’i jap leje një grupi që kishte kërkuar organizimin e një proteste në mbështetje të kauzës palestineze.
Të dielën gjatë ditës, grupi Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist vendosi një flamur të madh palestinez me mbishkrimin “Free Palestine”, (Liri për Palestinën), në ndërtesën e Hotelit Grand në qendër të Prishtinës, krah një flamuri ukrainas, por u hoq shpejt nga autoritetet.
Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhënie diplomatike në fillim të vitit 2021, disa muaj pasi Izraeli njohu pavarësinë e Kosovës gjatë një takimi të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës e Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në shtator të vitit 2020, të organizuar nga ish presidenti amerikan, Donald Trump.
Kosova u bë vendi i parë evropian që vendosi ambasadën në Jerusalem në vend të Tel Avivit, pas Shteteve të Bashkuara dhe Guatemalës.
Izraeli është aktualisht vendi më i fundit që ka njohur pavarësinë Kosovën, e cila u shpall në shkurt të vitit 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore euro-perëndimore, ndërsa kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia./VOA/