Kosovë: Reagime pas dënimeve ndaj Ish-krerëve të UÇK-së. Goditen ambasadat e huaja në Prishtinë

Reagon ashpër masa e njerëzve dhe politika në Kosovë pas vendimit për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së me shumë vite burgim në Hagë.

Pas verdiktit të Gjykatës Speciale, protestuesit janë rikthyer tek zyret e EULEX-it.

Protestuesit kanë hedhur fishekzjarre në drejtim në objekt. Sipas pamjeve është parë zjarr në kulmin e objektit të EULEX-it

Swiss Digital Desktop Reklama

Swiss Digital Mobile Reklama

Me dëshpërim të madh, nën valvitjen e flamujve të shumtë të UÇK-së dhe thirrjeve për drejtësi dhe në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së, mijëra qytetarë të grumbulluar në sheshin kryesor të Prishtinës, e pritënvendimin e trupit gjykues të Gjykattës Speciale prantë Tribunalit të Hagës, që shpalli fajtorë për krime lufte Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Tubime të ngjashme, duke përcjellë në transmetim të drejtpërdrejtë vendimin nga Haga, u mbajtën në qytetet kryesore të Kosovës, ndërsa reagimet dëshpëruese, si nga ana e qytetarëve, ashtu edhe nga udhëheqës të institucioneve dhe partive politike, po mbizotërojnë titujt e mediave dhe parrullat turmave të njerëzve, që brohorisnin në mbështetje të Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit. Disa turma qytetarësh filluan të godasin muret rrethuese të misionit të BE-së për Polici dhe Drejtësi, EULEX, mision ky i cili u vendos në Kosovë që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 dhe vazhdon të operojë edhe tash. Forca të shumta të Policisë së Kosovës dhe njësive speciale, ndërhynë duke parandaluar masën e protestuesve që të shkaktonin incidente të mëtejshme.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një adresim drejtuar qytetarëve, vendimin e sotëm të Gjykatës Speciale e cilësoi si një “padrejtësi të papranueshme, ndëshkim të madh dhe të dëmshëm”. “Shpallja fajtorë dhe dënimi kaq i rëndë për katër ish-krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, është padrejtësi e papranueshme, ndëshkim i madh dhe i dëmshëm. Aktgjykimi mund të jetë shqiptuar formalisht në emër të popullit të Kosovës, por kjo formulë e zbrazët nuk duhet ngatërruar me vullnetin e popullit. Ky aktgjykim patjetër duhet ndryshuar dhe korrigjuar në shkallën e apelit dhe atë sa më parë”, tha kryeministri Kurti. Ai shtoi se “Kosova do të vazhdojë të mbështesë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin në procedurën e apelit, në mbrojtje të plotë, dinjitoze dhe institucionale”.

PDK: Aktgjykimi një padrejtësi e madhe
Partia Demokratike e Kosovës, parti kjo e themeluar menjëherë pas luftës nga Hashim Thaçi dhe disa ish-krerë të UÇK-së, aktgjykimin dënues ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së e cilësoi “Aktgjykim të padrejtë dhe të papranueshëm”, duke theksuar se “beteja për drejtësi vazhdon deri në fund”.

“Në Hagë u godit rëndë e drejta e popullit tonë që luftoi për liri, mbijetesë dhe çlirim nga regjimi shtetëror serb që vrau, dëboi dhe terrorizoi shqiptarët e Kosovës. Për ne, ky aktgjykim është një padrejtësi e madhe, sepse mbështetet në pretendime e materiale që i konsiderojmë të fabrikuara dhe të ushqyera ndër vite nga aparati shtetëror dhe propaganda e Serbisë për ta kriminalizuar luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në reagimin e PDK-së, parti kjo që ngërthen në politikën e saj vlerat e luftës së UÇK-së.

Reagim të ngjashëm pati edhe ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila, aktgjykimin dënues ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cilësoi “një goditje të rëndë për familjet e tyre, një lajm thellësisht tronditës për Republikën e Kosovës dhe një çast i rëndë për kombin shqiptar kudo që jeton”.

“Në një ditë si kjo, pesha e këtij vendimi nuk mund të ndahet nga historia prej së cilës kemi ardhur. Kosova e ka përjetuar mbi vete dhunën e një aparati shtetëror që vrau civilë, kreu masakra, dëboi qindra mijëra shqiptarë nga shtëpitë e tyre dhe la pas mijëra të vrarë e të zhdukur. Kjo përvojë është pjesë e pashlyeshme e kujtesës së Kosovës dhe të kombit shqiptar”, shkroi Haxhiu në reagimin e saj.

Mbrojtja: Vendimi do të apelohet në shkallën e dytë
Pas më shumë se dy vjet që nga fillimi i procesit gjyqësor dhe afro gjashtë vjet nga mbajtja në paraburgim, trupi gjykues i Gjykatës Speciale, me seli në Hagë, të mërkurën (16.09.2026) shpalli aktgjykimin dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Nga Prokuroria Speciale e Dhomave të Specializuara, ata akuzoheshin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë të vitit 1998/99.

Aktakuza për krime kundër njerëzimit nuk u provua nga Prokuroria Speciale, por ata u dënuan për krime lufte kundër civilëve të pafajshëm dhe kundërshtarëve të vet politikë që nuk e mbështesnin UÇK-në, gjatë kohës së luftës. Hashim Thaçi, aktakuza ndaj të cilit u ngrit sa ishte President i Kosovës, u dënua me 25 vjet burgim. Jakup Krasniqi, i cili ishte zëdhënës i UÇK-së dhe pas luftës disa herë kryetar i Parlamentit, u dënua po ashtu me 25 vjet burgim. Kadri Veseli, i cili në kohën e luftës ishte udhëheqës i shërbimit informativ të UÇK-së, u dënua me 18 vjet burgim dhe Rexhep Selimi, i cili ishte kryeinspektor i policisë ushtarake të UÇK-së, u dënua me 13 vjet burgim. Avokatët mbrojtës të të dënuarve, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, thanë se do ta apelojnë vendimin në shkallën e dytë të Gjykatës Speciale.

Dhomat e Specializuara, apo siç njihet në opinion Gjykata Speciale, u themelua nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015 dhe selinë e saj e ka në Hagë. Stafi i saj është komplet ndërkombëtar. Gjykata Speciale trajton vetëm rastet që lidhen me pretendimet për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së gjatë luftës së vitit 1998-1999. Hashim Thaçi, para vitit 1998, ishte student në Zvicër dhe ai u kthye për t’iu bashkuar luftës së Kosovës për pavarësi. Si udhëheqës politik i ish-UÇK-së, u përkrah nga liderët të vendeve perëndimore, të cilët e ftuan në bisedimet e paqes të vitit 1999 në Rambuje në Francë. Thaçi në Kosovë shihej si një udhëheqës që mund ta udhëhiqte vendin drejt pavarësisë, të cilën Parlamenti i Kosovës e shpalli në vitin 2008. Gjatë luftës së Kosovës së vitit 1999/98, u vranë rreth 13 mijë civilë, shumica nga ta shqiptarë të Kosovës. Rreth një milion njerëz u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Pas ndërhyrjes së NATO-s ndaj Forcave Serbe dhe largimit të tyre nga Kosova, Hashim Thaçi themeloi partinë e tij dhe u ngrit në pushtet, fillimisht si kryeministër i Kosovës dhe pastaj edhe si president i vendit. Në vitin 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia, akt ky që u refuzua dhe vazhdon të refuzohet nga autoritetet e Beogradit. Në cilësinë e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në vitin 2020, dha dorëheqje për t’u përballur me procesin gjyqësor në Hagë, epilogu i së cilës u dha më datë 16.09.2026, duke e shpallur atë fajtor për krime lufte. Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të jenë të tensionuara, pavarësisht negociatave mbi 15-vjeçare ndërmjet dy vendeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara./DW/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?

Ke arritur limitin e votimit.

Results

Po 269 (7.1%)
Jo 3502 (92.9%)

Vota totale: 3771