KQZ, letër Llallës: PD do bllokojë zgjedhjet.Monitoroni incidentet në Kavajë
Të gjitha zhvillimet politike, por edhe thirrjet e përfaqësuesve të opozitës tregojnë se në Kavajë mund të ketë incidente mes opozitës, forcave të rendit dhe mbështetësve të Partisë Socialiste.
Politika, deri më sot, ka dështuar ta zgjidh krizës. Ndërkohë, nëse zgjedhjet dështojnë dhe situata del jashtë kontrollit përgjegjësia bie mbi institucionet. Për këtë qëllim drejtuesit e Institucioneve, Polici e Shtetit, KQZ, Prokurori etj janë vënë në lëvizje për të paralajmëruar njëra-tjetrën për atë që pritet të ndodh.
Sot kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Denar Biba, i kërkon ndihmë kryeprokurorit Adriatik Llalla që të ndërhyjë për të mos u bllokuar proçesi zgjedhor. Ora News publikuar një kopje të shkresës e cila ka mbërritur në Prokurorinë e Përgjithshme dhe mban datën 5 maj 2017 (sot). Në letër ngrihet shqetësimi nga kreu i KQZ-së pas informacioneve të dhëna nga Drejtori i Përgjithshëm të policisë Haki Çako më 28 prill.
Informacionet konsistojnë në bllokimin e proçesit të votimit duke filluar me KZAZ-n numër 42 përmes zhvillimit të tubimeve dhe grumbulllimeve të simpatizantëve të Partisë Demokratike. “Me shkresën nr. 589 date 28.04.2017 të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit vihemi në dijeni të administrimit te disa informacioneve që kanë të bejnë me zhvillimin e tubimeve grumbullimeve, protestave nga simpatizantëte e Partisë Demokratike dhe bllokimin e KZAZ nr 42, për administrimin e proçesit zgjdhor në datat, 6 dhe 7 maj 2017″,- shkruan kreu i KQZ.
Më tej kreu i KQZ-së thotë se e drejta e tubimit që është një e drejtë kushtetuese, por shpreh shqetësimin se në këtë rast bie ndesh me të drejtën e votës. “Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medias, si dhe zhvillimin e mitingjeve apo veprimtarive të tjera zgjedhore të subjekteve zgjedhore. Gjithashtu vërejmë më shqetesim të madh pamundësinë e forcave të policisë të shtetit për të qenë të pranishme ditën e zgjedhjeve në qytetin e Kavajes në mënyre që të sigurohet e drejta e votes”,- shkruan kreu i KQZ.
Në fund kreu i KQZ, Denar Biba, e mbyll shkresën e tij me kërkesën ndaj Kryeprokurorit. “Me vlerësimin se ndajmë të njëjtin shqetësim ndonëse jo të njëjtën përgjegjësi për organizimin e zgjedhjeve do të kërkonim prej jush në respektim të ligjit për të monituruar ekseset e mundshme që mund të ndodhin gjatë protestave”,- shkruan kreu i KQZ.
Kjo shkresë vjen në një kohë kur kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka paralajmëruar protesta ne datën 7 maj në Kavajë, ndërkohë që ka organizime për bllokimin e KZAZ-së së Kavajës në 6 maj.