Kreditë e këqija, keq e më keq

Megjithë se reduktimi i portofolit të kredive të këqija ka qenë prej dy vjetësh objektivi kryesor i politikave të Bankës së Shqipërisë dhe qeverisë, një sukses i lehtë i shënuar vitin e kaluar u përmbys në muajtë e parë të këtij viti.

Kreditë e këqija pësuan një rritje të re gjatë muajit shkurt 2016, duke zhgënjyer shpresat për rigjallërim të shpejtë të sektorit të kreditimit bankar. Të dhënat statistikore të publikuara nga Shoqata e Bankave, tregojnë se kreditë e këqija u rritën në 18.9 për qind të totalit të portofolit të kredive në fund të shkurtit, nga 18.4 për qind që ishin në janar dhe 18.2 për qind që ishin në dhjetor.

Totali i kredive të këqija për rrjedhojë u rrit nga 106.6 miliardë lekë që qe në dhjetor, në 110.8 miliardë lekë në shkurt. Vetëm gjatë muajit shkurt, portofoli i kredisë totale të dhënë nga bankat për ekonominë u rrit me 1.1 miliardë lekë ndërsa kredia e keqe, e cila përfshin kredinë që ka shënuar vonesa të gjata në shlyerjen e kësteve, u rrit me 3.1 miliardë lekë.

Kreditë e këqija konsiderohen si problemi kryesor pengues në rigjallërimin e rritjes ekonomike të vendit. Kreditë e këqija u rritën gjatë krizës së viteve të fundit nga 7 për qind që qenë në vitin 2009 në 24 për qind në vitin 2014. Disa vendime të Bankës së Shqipërisë detyruan bankat të fshijnë nga bilancet e tyre një pjesë të kredive të këqija, shpresat e rekuperimit të të cilave, qenë pothuajse zero. Kjo solli rënie të kredive të këqija në 18.2 për qind në dhjetorin e kaluar. Por rritja e shënuar në janar dhe shkurt sugjeron se problemi është sërish larg zgjidhjes.

Kreditë e këqija në një masë të madhe kontrollohen nga një numër i vogël biznesesh, të cilat do të duhet të falimentohen ose ristrukturohen për të zgjidhur problemin. Gjithsesi, për shkak tëpengesave të karakterit politik, plani për të zgjidhur problemin e kredive të këqija rezulton se nuk ka ecur siç duhet.

Për shkak të volumit shumë të lartë të kredive të këqija, bankat duket se ngurojnë të japin kredi të re, e cila, në një situatë tjetër, do të mund të rigjallëronte investimet dhe punësimin në ekonomi.

Sa i përket bilancit të bankave, ato janë në gjendje të dalin me fitime shumë të larta pasi kanë ulur normat e interesit të depozitave në pothuajse zero dhe kanë mbajtur relativisht të larta normat e interesit të kredive, ndërkohë që sigurojnë një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave nga komisionet që faturojnë për shërbime të ndryshme bankare, shërbime që biznesi dhe individët detyrohen t’i përdorin sepse kështu është detyrimi ligjor. /BIRN – Gjergj Erebara

SHKARKO APP