Kremtimi i Shenjtërimit të Nënë Terezës, Meta: Të punojmë me dashuri për një Shqipëri të drejtë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka kujtuar sot ditën e kremtimit të shenjtërimit të Shën Nënë Terezës, nëpërmjet një mesazhi në rrjetin social, facebook. Kreu i Shtetit ka përmendur edhe njëherë veprën e saj të rëndësishme, që ka lënë gjurmë në historinë e njerëzimit, ndërsa bëri thirrje që kjo ditë të shërbejë si ditë reflektimi.

”Me madhështinë e thjeshtësisë së saj, Shën Nënë Tereza është frymëzimi që na nxit çdo ditë për të bërë gjëra të vogla me dashuri të madhe, për të hapur horizonte të reja shprese dhe lumturie, për të ndërtuar një Shqipëri më të drejtë, sociale, e pranë halleve të përditshme të qytetarëve”,-shkruan Presidenti në facebook.

Nga ana tjetër, Presidenti ka ndarë për ndjekësit e tij, edhe një nga porositë e bekuara të Shën Nënë Terezës. “Dashuria s’mund të mbetet vetëm. Dashuria duhet të vendoset në veprim dhe ky veprim është shërbimi. E djeshmja iku. E nesërmja nuk ka ardhur. Ne kemi vetëm të tashmen. Le të fillojmë!”

Postimi i plotë i Presidentit Ilir Meta

Kremtimi i Shenjtërimit të Nënë Terezës është një ditë feste për mbarë kombin shqiptar, botën katolike dhe njerëzimin.

Është dita e përkujtimit dhe respektit ndaj veprës së ndritur dhe të paharruar, humane e hyjnore, të simbolit të nënës shqiptare, shembullit të jashtëzakonshëm të dashurisë dhe misionit të pareshtur të përkujdesjes, ndaj kujtdo që vuan dhe ka aq shumë nevojë për ndihmë, solidaritet dhe përfshirje sociale.

Me madhështinë e thjeshtësisë së saj, Shën Nënë Tereza është frymëzimi që na nxit çdo ditë për të bërë gjëra të vogla me dashuri të madhe, për të hapur horizonte të reja shprese dhe lumturie, për të ndërtuar një Shqipëri më të drejtë, sociale, e pranë halleve të përditshme të qytetarëve.

Ashtu siç na porosit e bekuara dhe e Shenjta Nënë Terezë:

“Dashuria s’mund të mbetet vetëm. Dashuria duhet të vendoset në veprim dhe ky veprim është shërbimi. E djeshmja iku. E nesërmja nuk ka ardhur. Ne kemi vetëm të tashmen. Le të fillojmë!”

SHKARKO APP