Ilir Meta: Pa Gjermaninë zhvillimi i vendit nuk do ishte i mundur

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë në konferencën me temë “25 vjet demokraci parlamentare në Shqipëri” të organizuar nga Fondacioni “Konrad Adenauer” dhe Qendra për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Integrim.

Në këtë aktivitet morën pjesë President i Bundestagut Gjerman, Prof. dr. Norbert Lammert, ish-Kryetarë të Kuvendit, diplomatë, deputetë, akademikë, etj.

Në fillim të fjalës së tij, z. Ilir Meta falënderoi Presidentin e Bundestagut, Prof. Lammert, i cili pavarësisht nga disa ngjarje të paparashikuara nuk e anuloi vizitën e tij në Shqipëri. Kryetari i Kuvendit vlerësoi vizitën e z. Lammert si shumë e rëndësishme për të dhënë mesazhe mjaft të qarta mbështetjeje dhe tregon rëndësinë që Gjermania i kushton Shqipërisë dhe Rajonit tonë.

“Shqipëria sot është një vend, jo vetëm anëtar i NATO-s, jo vetëm kandidat në Bashkimin Europian, është gjithashtu një vend, qytetarët e të cilit lëvizin pa viza në hapësirën Shengen, por është një vend njëkohësisht që synon sa më parë të çelë negociatat për anëtarësimin në BE. Dhe jam i bindur dhe këtë bindje besoj e ndaj me shumë prej jush, që këto arritje do të kishin qenë shumë të vështira, për të mos thënë të pamundura pa mbështetjen e jashtëzakonshme të Gjermanisë për zhvillimin demokratik të vendit tonë, për forcimin e institucioneve, për të mbështetur parlamentarizmin dhe në këtë mënyrë unë. Këtë aktivitet e shikoj si një nxitje për të reflektuar dhe për të përmirësuar cilësinë e parlamentarizmit, demokracisë dhe funksionimit të institucioneve në vendin tonë për të ardhmen”, – tha z. Meta.

Kryetari i Kuvendit u shpreh se për më shumë se gjysmë shekulli Shqipëria patëm një ndërprerje të parlamentarizmit, pavarësisht se ishte një institucion që formalisht miratonte ligjet e partisë-shtet.

meta2“Gjatë këtyre 25 viteve Shqipëria ka njohur zhvillime, transformime të jashtëzakonshme në të gjitha drejtimet, shoqërore, ekonomike, institucionale dhe politike. Megjithatë shumë prej nesh dhe sidomos qytetarët tanë nuk janë shumë të kënaqur me këto arritje, pasi gjithçka që arrihet, harrohet dhe kujtohet se ka qenë dhe më parë. Dhe gjithnjë pritshmëritë janë në rritje dhe mendoj që kjo është pozitive dhe lidhet edhe me ambiciet tona edhe si popull, edhe si komb, për të kapërcyer një prapambetje historike në një kohë sa më të shkurtër”, – theksoi z. Meta.

Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit tha se është shumë e rëndësishme që Shqipëria sot është një vend i hapur dhe faktor mjaft i vlerësuar i paqes dhe i stabilitetit në rajonin tonë dhe kontribuon maksimalisht për të forcuar paqen dhe sigurinë në këtë rajon.

“Por si anëtare e NATO-s kontribuon kudo, ku asaj i kërkohet edhe për sigurinë globale, për luftën kundër terrorizmit dhe sfida të tjera madhore në përputhje dhe me kapacitetet dhe me mundësitë tona. Dhe faktor mjaft i vlerësuar i paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë dhe kontribuon maksimalisht për të forcuar paqen dhe sigurinë në këtë rajon, por si anëtare e NATO-s kontribuon kudo ku asaj i kërkohet edhe për sigurinë globale, për luftën kundër terrorizmit dhe sfida të tjera madhore në përputhje dhe me kapacitet dhe me mundësitë tona. Është kënaqësi për ne, që për herë të parë do të organizojmë muajin ardhshëm Asamblenë Parlamentare të NATO-s në vendin tonë. Është, do të thosha përsëri një arritje që ndoshta nuk na bën shumë përshtypje, por të mos harrojmë se 26 vjet më parë ishin i vetmi vend në botë që i kishte shpallur luftë edhe NATO-s dhe Traktatit të Varshavës, ishim mjaft unik në këtë drejtim. Jo vetëm kaq, por ndoshta kishte dhe njerëz për shkak të izolimit që edhe besonin se mund t’i mundin të dyja blloqet njëkohësisht”, – vijoi z. Ilir Meta.

Sakaq, Kryetari i Kuvendit u ndal edhe të reforma në drejtësi, proces që e cilësoi si shumë e rëndësishme për qytetarët shqiptarë dhe për të thelluar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për të forcuar sundimin e ligjit, etj.

Në pjesën e dytë të konferencës gjatë diskutimeve Kryetari i Kuvendit, z. Meta mori fjalën për të folur në lidhje me çështjet e parlamentarizmit në Shqipëri dhe të bashkëpunimi mes forcave politike në Parlament.

“Ajo që dua të theksoj është se Parlamenti ynë, ende nuk mund të themi që është ai modeli i arrirë i tempullit të demokracisë, që mund të kenë qytetarët në dëshirën e tyre apo në mendjen e tyre. Por edhe në shumë vende të tjera ne shohim që ka bojkote të Parlamentit, ka tensione, ka për fat të keq edhe konfrontime. Unë mendoj se në radhë të parë kjo vjen me trashëgiminë tonë të përbashkët në një masë të madhe si vende ish-komuniste, ku ende kemi të vështirë të shkëputemi nga ajo kultura përjashtuese e mendimit alternativ dhe nga dëshira për ta informuar pa argument dhe në mënyrë racionale, por nga pozitat e më të fortit, më i forti për shkak të pushtetit apo më i forti për shkak të dëmit që mund të shkaktojë”, – theksoi z. Meta, duke shtuar se në rast të opozitës, dëmi që mund të shkaktojë është bojkoti apo një presion që vë në vështirësi jo thjesht qeverinë, por vë në vështirësi dhe vendin.

Sipas z. Ilir Meta, qeveria ka gjithmonë dëshirë t’i imponojë Parlamentit një axhendë të sajën, ndërkohë që është Parlamenti që duhet të rrisë më shumë kontrollin ndaj qeverisë.

“Dhe kjo e ndihmon edhe vetë qeverinë që të jetë më pak e bllokueshme. Sepse çdo vendim i nxituar, i pastudiuar, që nuk merr kohën e duhur për t’u debatuar edhe në komisionet parlamentare, me grupet e interesit, nesër të çon në një rishikim apo në një rivlerësim të efekteve të një ligji apo të një reforme të caktuar . Pra unë e shoh këtë më shumë në këtë drejtim. Së dyti, ndoshta ky legjislacioni që kemi bërë për dekriminalizimin, është më i ashpri që ka ndonjë vend në Europë. Unë them që kemi bërë shumë mirë që e kemi bërë këtë. Nuk është një arsye kjo për t’u krenuar, sepse kemi qenë të imponuar nga disa ngjarje tërësisht të shëmtuara që kanë ndodhur. Por tregon një fuqi reflektimi. Tregon për të gjitha arsyet apo faktorët. Dhe jemi detyruar që të vendosim një standard i cili në të ardhmen jam i bindur, pra dhe legjislaturat e tjera, do të ndihmojë që opinioni ditën enjten apo ditët që kemi debatet e komisioneve, të dëgjojmë më shumë argumente, se sa të shohim ndonjëherë ndonjë sjellje arrogante apo sjellje të fortësh”, – deklaroi Kryetari i Kuvendit.

meta3Më tej, z. Meta vuri në dukje faktin se disa elementë që nuk e kanë vendin për në Parlament, apo për institucione përfaqësuese publike, eklipsojnë me një ngjarje të shëmtuar apo qoftë edhe me një fjalor tërësisht jashtë etike. “Eklipsojnë argumentin apo debatin e shumë kolegëve të tjerë të cilët janë njerëz të nderuar, të cilët janë intelektualë, të cilët janë profesorë, të cilët janë njerëz me eksperiencë politike. Dhe unë këto zhvillime shikoj patjetër si një reflektim të fortë për të ardhmen. Por padyshim që të forcojmë parlamentarizmin, ka rëndësi që partitë të jenë më demokratike. Por ndoshta, tek kjo çështja e partive kjo do të mbetet gjithmonë relative, sepse në fund fare ai që do të vlerësojë është qytetari. Dhe në këtë drejtim, unë mendoj se edhe sistemi ynë zgjedhor ka disa probleme”, – u shpreh ndër të tjera Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta.

Fjala e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta

 I nderuar z. Glos, të nderuar të ftuar, të nderuar kolegë!

Dua në radhë të parë të falënderoj Fondacioni “Konrad Adenauer”, por edhe Qendrën për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Integrim për organizimin e kësaj konference mjaft domethënëse më rastin e 25-vjetorit të demokracisë parlamentare në Shqipëri.

Njëkohësisht dua të shpreh një falënderim të veçantë edhe për Presidentin e Bundestagut, Prof. Lammert, i cili pavarësisht nga disa ngjarje të paparashikuara nuk e anuloi vizitën e tij në Shqipëri. Përkundrazi, mendoj që ndonëse një vizitë pak e shkurtuar, është një vizitë shumë e rëndësishme për të dhënë mesazhe mjaft të qarta mbështetjeje nga Gjermania për Shqipërinë në momente jo të lehta për vetë Gjermaninë dhe për Bashkimin Europian, që tregon rëndësinë që Gjermania i kushton Shqipërisë dhe Rajonit tonë.

Shqipëria sot është një vend, jo vetëm anëtar i NATO-s, jo vetëm kandidat në Bashkimin Europian, është gjithashtu një vend, qytetarët e të cilit lëvizin pa viza në hapësirën Shengen, por është një vend njëkohësisht që synon sa më parë të çelë negociatat për anëtarësimin në BE.

Dhe jam i bindur dhe këtë bindje besoj e ndaj me shumë prej jush, që këto arritje do të kishin qenë shumë të vështira, për të mos thënë të pamundura pa mbështetjen e jashtëzakonshme të Gjermanisë për zhvillimin demokratik të vendit tonë, për forcimin e institucioneve, për të mbështetur parlamentarizmin dhe në këtë mënyrë unë. Këtë aktivitet e shikoj si një nxitje për të reflektuar dhe për të përmirësuar cilësinë e parlamentarizmit, demokracisë dhe funksionimit të institucioneve në vendin tonë për të ardhmen.

Natyrisht është përgjegjësia jonë të ndërmarrim reformat e duhura dhe të përfitojmë nga kjo vëmendje, nga kjo mbështetje e Gjermanisë, por edhe partnerëve të tjerë për hapat që duhet të hedhim në të ardhmen.

Kuvendi i Shqipërisë ka organizuar edhe pak ditë më parë disa aktivitete për të festuar këtë moment të shënuar dhe historik të vendit, pra fillimin para 25 vitesh të rrugës së demokracisë parlamentare. Për më shumë se gjysmë shekulli ne patëm një ndërprerje të parlamentarizmit në vendin tonë, pavarësisht se ishte një institucion që formalisht miratonte ligjet e partisë-shtet.

Gjatë këtyre 25 viteve Shqipëria ka njohur zhvillime, transformime të jashtëzakonshme në të gjitha drejtimet, shoqërore, ekonomike, institucionale dhe politike. Megjithatë shumë prej nesh dhe sidomos qytetarët tanë nuk janë shumë të kënaqur me këto arritje, pasi gjithçka që arrihet, harrohet dhe kujtohet se ka qenë dhe më parë. Dhe gjithnjë pritshmëritë janë në rritje dhe mendoj që kjo është pozitive dhe lidhet edhe me ambiciet tona edhe si popull, edhe si komb, për të kapërcyer një prapambetje historike në një kohë sa më të shkurtër.

Megjithatë nuk duhet të harrojmë se Shqipëria nuk ishte si gjithë vendet e tjera ish-komuniste. Shqipëria ishte vendi shembull i diktaturës komuniste që mund të krahasohej vetëm me Korenë e Veriut. Dhe unë gjithmonë e kam në bindjen time se nëse ka një vend ish-komunist që ka ndryshuar më shumë në 25 vjet, padyshim që është Shqipëria. Nuk është as Polonia, as Hungaria dhe shumë vende të tjera. Megjithatë e ritheksoj që prapambetja jonë është historike dhe me këtë drejtim përsëri ne ndjejmë një kërkesë të fuqishme për ndryshime më të shpejta.

Është shumë e rëndësishme që Shqipëria sot është një vend i hapur dhe faktor mjaft i vlerësuar i paqes dhe i stabilitetit në rajonin tonë dhe kontribuon maksimalisht për të forcuar paqen dhe sigurinë në këtë rajon, por si anëtare e NATO-s kontribuon kudo ku asaj i kërkohet edhe për sigurinë globale, për luftën kundër terrorizmit dhe sfida të tjera madhore në përputhje dhe me kapacitet dhe me mundësitë tona.

Dhe faktor mjaft i vlerësuar i paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë dhe kontribuon maksimalisht për të forcuar paqen dhe sigurinë në këtë rajon, por si anëtare e NATO-s kontribuon kudo ku asaj i kërkohet edhe për sigurinë globale, për luftën kundër terrorizmit dhe sfida të tjera madhore në përputhje dhe me kapacitet dhe me mundësitë tona.

Është kënaqësi për ne, që për herë të parë do të organizojmë muajin ardhshëm Asamblenë Parlamentare të NATO-s në vendin tonë. Është, do të thosha përsëri një arritje që ndoshta nuk na bën shumë përshtypje, por të mos harrojmë se 26 vjet më parë ishin i vetmi vend në botë që i kishte shpallur luftë edhe NATO-s dhe Traktatit të Varshavës, ishim mjaft unik në këtë drejtim. Jo vetëm kaq, por ndoshta kishte dhe njerëz për shkak të izolimit që edhe besonin se mund t’i mundin të dyja blloqet njëkohësisht.

Pra, nga një vend bunker për fat të keq, jemi kthyer në qendër të vëmendjes ndërkombëtare dhe kjo është mjaft e rëndësishme për të ardhmen. Por sikurse e thashë, kemi shumë sfida përpara dhe aktualisht sfida më e rëndësishme, është reforma në drejtësi. Është shumë e rëndësishme për qytetarët tanë, është shumë e rëndësishme për vendin tonë, është shumë e rëndësishme në të gjitha drejtimet. Jo vetëm për të thelluar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, jo vetëm për të forcuar sundimin e ligjit, transparencës e qeverisjes në tërësi, e kështu me radhë, por është shumë e rëndësishme edhe për të përmirësuar më tej klimën e biznesit dhe për të nxitur investimet e huaja, që janë të domosdoshme për të bërë të mundur që ne të shfrytëzojmë plotësisht kapacitet që ofron ekonomia jonë dhe resurset tona.

Dhe unë besoj se është bërë një punë mjaft e rëndësishme për ta përmbyllur me sukses reformën në drejtësi, e cila nuk ka qenë e lehtë, sepse është praktikisht një rithemelim, një riorganizim i sistemit të drejtësisë në vend, pasi të gjithë aktorët kanë qenë të përfshirë, në mënyrë të veçantë Komisioni i Venecias, që është pranuar nga të gjithë si institucioni kryesor për të certifikuar standardet e kësaj reforme.

Por një falënderim të veçantë do ta bëja për misionin e EURALIUS-it, që ka dhënë dhe besoj do të vazhdojë të japë kontribut të rëndësishëm edhe në të ardhmen për të ndjekur zbatimin e kësaj reforme kushtetuese dhe ligjore. Njëkohësisht shpresojmë që kjo reformë të rrisë besueshmërinë e vendit edhe tek investitorët gjerman. Pasi e dimë që jo pak prej tyre ankohen, por ata nuk janë se janë të vetmit. Kjo është për të gjithë.

Pasi, pa një zhvillim ekonomik më të qëndrueshëm dhe pa një rritje të investimeve do ta kemi më të vështirë për të realizuar ato pritshmëri të të rinjve tanë, në mënyrë që ata të shohin si të vetmen alternativë për të ardhmen pikërisht, vendin e tyre. Në këtë mënyrë t’i kontribuojmë edhe Gjermanisë, që të ketë sa më pak shqetësime nga Shqipëria, përsa i takon edhe fenomenit të emigrimit. Pasi dihet që është një situatë mjaft delikate për Gjermaninë dhe BE-në.

Unë dua njëkohësisht të nënvizoj edhe rëndësinë që ne i kushtojmë procesit të Berlinit, si proces i iniciuar dhe i udhëhequr nga Gjermania, që përsëri tregon se sa i rëndësishëm është vazhdimi i vëmendjes për mbështetje e rajonit tonë, të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera. Sidomos në kuptimin rajonal, për të përmirësuar infrastrukturën dhe ndërlidhjen, kolektivitetin e vendeve tona, pasi dhe ne vetë dhe rajoni e kemi kuptuar pas 25 vjetësh se është shumë e rëndësishme, jo vetëm të punojmë për paqen dhe stabilitetin e vendit tonë, por edhe të vendeve fqinje dhe të gjithë rajonit.

Sepse në këtë mënyrë ndihmojmë veten tonë dhe në këtë mënyrë padyshim që i përshtatemi më mirë edhe sfidave të globalizimit ku tashmë konkurrenca zhvillohet më shumë midis rajoneve të ndryshme sesa midis shteteve të caktuara dhe aq më tepër fqinje.

Unë do të falënderoj edhe njëherë Fondacioni “Konrad Adenauer” për punën e jashtëzakonshme që bënë në vendin tonë. Ne kemi qenë dhe jemi të hapur për të forcuar bashkëpunimin edhe si Parlament, por në mënyrë të veçantë për punën që bënë me të rinj. Pasi mendoj që potenciali më i rëndësishëm që ka Shqipëria për një zhvillim më të shpejtë, më të qëndrueshëm, por edhe më racional, që do të thotë më pak emocional sesa deri tani është pikërisht mbështetja dhe edukimi i të rinjve. Dhe unë besoj se me këtë mbështetje i jepni një kontribut të rëndësishëm për modernizimin e politikës sonë.

Gjithashtu, unë do të dëshiroja të falënderoja edhe Qendrën për Zhvillim të Qëndrueshme dhe Integrim për interesin që ka pasur për t’i bërë jehonë këtij 25-vjetori dhe unë mendoj që mënyra më e mirë nuk është që të festojmë, por të reflektojmë se çfarë duhet të përmirësojmë më shumë për të ardhmen, për të rritur cilësinë e parlamentarizmit tonë, që natyrisht lë për të dëshiruar.

SHKARKO APP