Ilir Meta: Do bëjmë pjesën tonë për emigrantët, me mbështetjen e BE

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka komentuar sot krizën e refugjatëve në Ballkan. Në një prononcim për mediat nga qyteti i Gjirokastrës, kreu i Kuvendit u shpreh se Shqipëria do të bëjë pjesën e pasa për pritjen e emigrantëve.

Ai u shpreh se “ne do të bëjmë pjesë tonë me mundësitë që kemi dhe me mbështetjen e Bashkimit Europian”,- u shpreh Meta.

Kreu i Kuvendit ka folur dhe për reformën në drejtësi. Meta u shpreh se “Komisioni i Venecias ka folur për të gjitha çështjet e debatuara”, ndërsa shtoi se tashmë duhet vullnet politik.

Prononcimi për mediat i Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta nga Gjirokastra

Në radhë të parë z. Meta një përshëndetje për festën e Ditës së Verës…

Sot është Dita e Verës dhe ishte një kënaqësi për të festuar me të rinjtë dhe të rejat e Gjirokastrës. Dita e verës, që simbolizon një shpresë, një ripërtëritje dhe shpresa më e madhe në këtë vend është rinia. Sa më shumë të rinj të bashkuar, të motivuar të talentuar të kemi, aq më e madhe është shpresa, aq më e madhe është fuqia për të përballuar të gjitha sfidat me të cilat vendi ynë ndeshet.

Meta, refugjatët sirianë duket se janë afruar gjithnjë e më shumë kufirit shqiptar dhe duket se vete qeveria greke po i shtyn ata drejt Shqipërisë, teksa po i sjell sa më afër kufirit tonë. Cili do të jetë qëndrimi i qeverisë nëse fluksi i tyre do të vërshojë drejt nesh? Do të hapen kufijtë dhe a është e gatshme Shqipëria në aspektin e infrastrukturës për t’i mirëpritur ata?

Mendoj se zgjidhja kryesore lidhur me krizën e refugjatëve nuk është thjesht përballimi dhe pasojat e krizës, por është përqendrimi i BE-së, i SHBA-ve dhe i aktorëve të tjerë të rëndësishëm, për t’i dhënë fund konfliktit në Siri dhe vatrave të konfliktit edhe në zona të tjera, nga ku kemi aktualisht burimin e krizës, por edhe burimin e refugjatëve që duan t’i largohen luftës.

Përsa i takon përballimit të kësaj krize, sigurisht që Shqipëria si një vend demokratik por edhe si pjesë e komunitetit euro-atlantik dhe atij europian në ndarjen e vlerave, jam i bindur do të japë kontributin e saj për aq sa i ka mundësitë dhe kapacitetet e saj.

Para disa ditësh z. Majko tha se do t’i propozojë Partisë Socialiste zgjedhje të parakohshme nëse reforma në drejtësi nuk do të realizohet. Cili është komenti juaj në lidhje me deklaratën e z. Majko?

Jam i bindur se reforma do të miratohet për arsye se të gjitha forcat politike kanë shprehur vullnetin për përmbushjen e reformës. Së dyti të gjithë kanë rënë dakord që standardet evropiane të kësaj reforme i përcakton Komisioni i Venecias, i gjithëpranuar nga të gjithë dhe ky komision ka folur mjaft qartë për të gjitha çështjet ndaj të cilave janë kërkuar sqarime, interpretim, opinione, apo vlerësime.

Padyshim që jam i sigurt se përveç vullnetit të përbashkët të gjithë forcave politike për të interpretuar këto rekomandime në mënyrë objektive dhe të paanshme, pra jashtë interesave të ngushta partiake, kam theksuar që për çështje ku do të ketë dallime të caktuara, ne përsëri kemi fatin që kemi EURALIUS-in, misionin e BE-së dhe OPDAT-in, atë të SHBA-ve, të cilët kanë kontribuuar që nga fillimi në asistimin e kësaj reforme dhe mund të jenë përsëri dy misione të cilat përbëjnë përsëri referencën e përbashkët dhe konsensuale për ato çështje ku ende ka disa lexime të ndryshme.

Por Komisioni i Venecias mendoj se i ka zvogëluar jashtëzakonisht dallimet dhe diferencat kështu që ka vend për optimizëm natyrisht të përmbajtur, por mbi të gjitha për përgjegjshmëri dhe konstruktivitet për të arritur një tekst përfundimtar të dakordësuar për ndryshimet kushtetuese përpara se Komisioneri për Zgjerimin, z. Hahn të vijë në Tiranë në fund të këtij muaji.

SHKARKO APP