Meta takon zyrtarin amerikan dhe të OSBE: Duhet zgjidhje mazhorancë-opozitë
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti sot Zv. Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA z. Hoyt Brian Yee i cili shoqërohej prej Ambasadorit të SHBA në Shqipëri Donald Lu.
Duke diskutuar mbi zhvillimet e fundit politike në vend, Kryetari i Kuvendit Meta theksoi se mbarëvajtja e zgjedhjeve të lira e të ndershme kërkon më tepër përgjegjshmëri e më shumë gjithëpërfshirje.
“Bojkoti nuk është zgjidhje dhe opozita duhet të gjejë të gjitha forcat për t’u përfshirë në procesin zgjedhor, për t’i shërbyer demokracisë dhe të ardhmes evropiane të vendit. Njëkohësisht mazhoranca duhet të tregojë vullnet maksimal për përfshirjen e opozitës dhe respektimin e kërkesave dhe të drejtave të saj.” – theksoi Meta.
Kryeparlamentar shtoi se gjithëpërfshirja dhe dialogu konstruktiv janë vendimtare për përshpejtimin e integrimit evropian, për sundimin e ligjit, për zbatimin e reformës në drejtësi dhe për legjitimitetin e institucioneve të vendit.
Kryetari i Kuvendit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA ndaj forcimit të institucioneve demokratike të Shqipërisë dhe vuri theksin mbi rëndësinë e thellimit të këtij partneriteti strategjik në interes të avancimit me reformën në sistemin e drejtësisë dhe me procesin e integrimit evropian të vendit.
Zv. Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA z. Hoyt Brian Yee e uroi Meta për zgjedhjen e tij në postin e Presidentit të Republikës dhe vuri në dukje se SHBA do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për të forcuar demokracinë dhe për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri.
Po kështu sot presidenti i zgjedhur dhe kryetari i parlamentit Ilir Meta në vazhdën e takimeve të tij për gjetjen e një zgjidhje për krizën politike është takuar me zyrtarë të lartë të OSBE.
Kryetari i Kuvendit dhe presidenti i zgjedhur, Ilir Meta ka bërë sot apele të forta për zgjidhjen e krizës politike në vend. Në një takim me delegacionin e Asamblesë Parlamentare të OSBE Meta u shpreh se askush nuk mund të luaj më fatin e qytetarëve shqiptarë.
Ai shtoi se “Shqipëria ka nevojë për një marrëveshje të përgjegjshme mes palëve”. Kreu i Kuvendit ka deklaruar se palët duhet të arrijnë një zgjidhje të gjithëpranuar.
“Zgjidhja të bazohet në gjithëpërfshirje dhe dialog konstruktiv politik. Askush nuk duhet të luajë me fatin e qytetarëve shqiptarë. Sot më shumë se kurrë nevojitet pjekuri, përgjegjshmëri kombëtare dhe vullnet për të gjetur kompromisin e munguar”,- tha kreu i Kuvendit.
Delegacioni i OSBE përbehej prej Roberto Battelli, Zv. President i AP OSBE, Andreas Nothelle, Përfaqësues i Veçantë i AP OSBE dhe Bernd Borchardt, Ambasador i OSBE në Tiranë.
Gjatë takimit Meta shprehu mirënjohje për bashkëpunimin e deritanishëm me Asamblenë Parlamentare të OSBE. “OSBE rol të rëndësishëm për forcimin e demokracisë dhe përmirësimin e standardeve të zgjedhjeve në Shqipëri”,- tha kreu i Kuvendit.