Kriza politike, ndërhyn Presidenti
Kriza politike në vend po arrin në kulmin e mundshëm. Vendi ndodhet para zhvillimeve të rëndësishme politike, të cilat nëse nuk do të menaxhohen siç duhet mund të çojnë drejt situatave të paparashikuara. Prej më shumë se 40 ditësh opozita ndodhet në çadër nga ku nuk largohet pa qeveri teknike dhe kërcënon me bojkot të zgjedhjeve e 18 qershorit. Por edhe që nuk do të lejojë zgjedhje. Ndërkohë Partia Socialiste dhe Kryeministri Edi Rama, nuk pranojnë asnjë negociatë me PD ku të flitet për qeveri teknike apo shtyrje të zgjedhjeve. Ky qëndrim kokëfortë i të dy kampeve po e çon vendin drejt një situatë kaotike politike dhe ligjore. Aq ironic ishte Edi Rama dje ,aqsa në ditën e 1 prillit (dita e gënjështrave) ai shpërndau në Facebook një sms: Po përgatitëm për Qeveri Teknike!…”. Dhe më poshtë shton:” Gëzuar 1 Prillin”.
Në 18 prill është afati i fundit ligjor për regjistrimin e partive në Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pas kësaj date nuk ka më vend për bisedime politike, pasi palët duhet të bisedojnë sesi mund të shtyhen zgjedhjet, si të shkelin kushtetutën, si të ndryshojnë Kodin Zgjedhor. Pas kësaj date edhe nëse ka dëshirë për marrëveshje politike, fillimisht duket arritur marrëveshje për ndryshime në Kushtetutë. Në rastin më të keq, PS-ja do të vendosë të shkojë drejt kutive të votimit e vetme. Por ky skenar i fundit është i pa parashikuar edhe për vetë socialistët, të cilët thonë se do futën vetëm në fushatë, por nuk dinë sesi mund të dalin prej këtyre zgjedhjeve. Hynë në tunelin e errët dhe nuk dihet se çfarë gremine ka brenda!
Ndërkohë po në muajin prill, mes kësaj krize politike, Kuvendit i duhet të nis dhe proceduarat për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Është një situatë, ku zgjedhjet parlamentare, zgjedhja e presidentit, bllokimi i reformës në drejtësi mbivendosen mbi njëra-tjetrën duke prodhuar një situatë të paprecedentë më parë.
Përveç LSI-së që ka bërë thirrje konstante për dialog që në nisje të krizës, PS dhe PD nuk kanë lëvizur nga pozicionet e tyre. Shtyrja e gjetjes së një zgjidhje vetëm sa thellon krizën dhe e bën më të vështirë daljen prej saj. Deri më sot, përveç disa negociatave secrete, por pa rezultat që mund të jenë zhvilluar mes PS dhe PD, nuk ka pasur asnjë tentavitë zyrtare serioze për dialog.
I vetmi zë zyrtar që bëri thirrje për uljen e palëve në tavolë është kreu i shtetit Bujar Nishani. Në cilësinë e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani kërkoi dje në një intervistë në “Neës 24” uljen e palëve në bisedime. Me autoritetin që i jep Kushtetuta si drejtues i shtetit, Nishani tha se ishte i gatshëm të shërbente si negociator mes palëve, nëse këto të fundit, e pranonin diçka të tillë. “Presidenti i Republikës është tërësisht i gatshëm, nëse vërtet ka një vullnet dhe vullneti duhet të demonstrohet patjetër që nuk do të mungojnë edhe komunikimet edhe gatishmëria edhe në rrugë zyrtare ndaj palëve politike për t’u ulur në tryezën e tyre, me praninë ose jo të Presidentit të Republikës, por institucioni i Presidentit është i gatshëm që të ushtrojë të gjithë mundësitë e tij, të gjithë ndikimet e tij, edhe autoritetin institucional e kushtetues, jo vetëm për të legjitimuar, por për t’i dhënë edhe mburojën dhe legjitimitetin kushtetues palëve për të negociuar dhe për të gjetur dhe një orientim dhe një proces”,- tha Presidenti Nishani.
Nishani tha se palët duhet të kuptojnë se nëse duhet të gjejnë një zgjidhje, mes tyre duhet të nis një proces. Kriza nuk është një çështje që zgjidhet në një takim disa orësh, apo brenda një dite, por kërkon negociata dhe proces serioz.
Në gjithë këto ditë ultimatumesh dhe kërcënimesh, qëndrimi i Presidentit është ai që shkon më afër normalitetit. Pavarësisht se Bujar Nishani, si personalitet politik ka miqtë dhe armiqtë e tij në politikë, oferta nuk është individuale, por institucionale. Nishani është Presidenti i Republikës dhe institucioni i vetëm që sipas Kushtetutës qëndron mbi palët politike. Është koha që PS dhe PD, të paktën të tentojnë një zgjidhje.
Këto ditë janë afatet e fundit kur kriza mund të zgjidhet mes faktorëve politikë, pa pasur ndërhyrjen e ndërkombëtarëve. Nëse afatet digjen, do të duhen disa misione dhe negociatorë ndërkombëtarë që të ulin palët në bisedime. Nëse situata lihet të vazhdojë kështu e sigurtë është vetëm përplasja mes palëve. Dhe në fund, në vend të negociatorëve ndërkombëtarë do të duhet operacioni ushtarak “Alba” për të rivendosur dhe një herë normalitetin.
Q.Xh.